HUNGARI - Shqipëria ka siguruar një tjetër medalje në mundje, pasi Zelimkhan Abakarov ka shkuar në finalen e eventit "Polyak Imre dhe Varga Janos Memorial" që po zhvillohet në Budapest.
Çeçeni i natyralizuar si shqiptar ka mundur në gjysmëfinale kazakun Vladimir Kudrin, me këtë të fundit që ka dalë nga tapeti duke çaluar. Ndeshja ishte e luftuar deri në çastet e fundit, teksa Abakarov u tregua i vëmendshëm dhe goditi në pikat kyçe kundërshtarin. 12-6 për sportistin kuqezi, që shkon në finalet e peshës deri në 61 kilogramë në stolin e lirë.
Tanimë Abakarov ka në dorë nëse do dëgjohet himni kuqezi në Hungari, në të kundërt do kënaqet me medaljen e argjendtë. Kampioni i Evropës në fuqi ende nuk e ka mësuar kundërshtarin e finales, duke shpresuar për të artën.
Kujtojmë se dje për kategorinë deri në 65 kilogramë në stilin e lirë, sportisti që përfaqëson ngjyrat kuqezi, Islam Dudaev fitoi medaljen e bronztë , duke zënë vendin e tretë.