TIRANË - Kombëtarja U-19 e drejtuar nga Julian Ahmataj u mposht 0-1 këtë të hënë nga moshatarët e Kosovës në miqësore, në ndeshjen që pa një gjest prekës në fushë. Në minutën e 18-të, kapiteni i kuqezinjve të vegjël, Matia Huqi gaboi me qëllim penalltinë, duke ia pasuar gardianit të Kosovës.
Në zhvillimet e një goditje dënimi, një paqartësi e arbitrit bëri që ky i fundit të akordonte penallti për prekje topi me dorë në zonë, edhe pse rënia e bilbilit gjatë krosimit ishte konfuze.
Me ekipin nga Kosova që protestoi dhe disa çaste situata ishte e paqartë, një zgjidhje që mori duartrokitjen e tifozëve u gjet nga kapiteni i Shqipërisë U-19. Matia Huqi nuk zgjodhi të godiste portën, por e pasoi sferën te portieri mik.
Ndeshja - Edhe pse skuadra e drejtuar nga trajneri Julian Ahmataj pati mundësinë të dilte me rezultat pozitiv, një gol i shënuar nga Medjen Llumnica në minutën e 74-të i dha fitoren Kosovës.
Komente
