Duke përdorur drithëra dhe farëra të ndryshme, Alkent Pozhegu, artisti nga Gjakova ka realizuar në një mënyrë tepër të veçantë portretin e yllit të futbollit argjentinas Lionel Messi dhe të futbollistit francez Kylian Mbappe. Ky punim vjen me rastin e përballjes Francë-Argjentinë për titullin e Botërorit 2022.
Artisti nga Kosova ka spikatur me talentin dhe formën e veçantë të punimeve, aq sa ai është tre herë fitues i rekordeve Guinness për prodhimin e mozaikëve më të mëdhenj të grurit.
Ai ka krijuar portrete e shumë personazheve të njohura.
Në vitin 2019 ai krijoi një mozaik prej 560 metrash katrorë të ish-Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump. Në janar të vitit 2021, artisti krijoi portretin e presidentit amerikan Joe Biden duke përdorur drithëra dhe fara.
Alkent Pozhegu ka realizuar edhe portretin e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, me oriz dhe fara luledielli.
Ai hyri në Librin e Rekordeve Guinness kur bëri portretin e këngëtares së njohur Rita Ora. Mozaiku ishte realizuar me grurë, oriz, fara luledielli, misër dhe thjerrëza.