Maribori fitoi 1-2 me përmbysje kundër Birkirkara në Maltë, duke marrë të drejtën për të kaluar në turin e dytë të Conference League. Për sllovenët vendosi goli i Xhuliano Skukës në minutën e 88-të. Sulmuesi i Kombëtares u fut në fushë në pjesën e dytë, konkretisht në të 63 minutë dhe iu deshën 25 minuta për të dalë te goli.
Me ndeshjen e parë që kishte përfunduar 1-1, ishte Skuka heroi i Maribor. Ish-sulmuesi i Partizanit kaloi portierin, teksa dërgoi topin në rrjetë edhe pse dy mbrojtësa ishin në vijën fatale.
Ky është goli i dytë i Skukës me Maribor dhe i pari në një ndeshje zyrtare. 24-vjeçari është në pronësinë e Metz në Francë, teksa luan në huazim te sllovenët për këtë sezon.