Video-artistike, interpretime nën tingujt bluz dhe zhaz, Festivali Ndërkombëtar i Video-art, nisi mbrëmjen e së hënës.
“Kanë qenë mbi 250 aplikime nga të cilat ne kemi bërë një përzgjedhje prej 61 artistësh. Në këtë edicion të parë, jemi munduar të sjellim atë që është sot aktuale por edhe fillesat e këtij arti në Shqipëri”, shprehet artisti Elton Koritari, , një prej organizatorëve.
61 artistë shqiptarë e të huaj, ju bashkuan në nisje festivalit, me punime të tyre të kahershme apo vepra të viteve të fundit, duke krijuar edhe një sfond historik të video-artit në Shqipëri, pa harruar homazhin ndaj fotografit Gjon Mili.
“Festivali këto ditë mbahet në Tiranë, pastaj vijon në Korçë e më tej në Nju Jork. Në Korçë para tre muajsh mbajtëm një ëorkshop shumë interesant, ku edhe krijuam një laborator. Gjon Mili ka qenë inovator, eksperimental, i guximshëm, pak a shumë ajo që duhet për t’u marrë me art në Shqipëri. Dhe në fakt tributi më i mirë që mund ti bëhet atij, është që të rinjtë shqiptarë të vijojnë të merren me art”, thotë Koritari.
Situata socio-ekonomike në ’97-ën efektet e izolimit gjysmë shekullor, që i gjenin shqiptarët në rrugë me armë në një situatë absurde nxiti asokohe Gentian Shkurtajn të përdorte personazhin e Diznejt “Lizën në Botën e Çudirave” për të krijuar fabulën e tij. Është një nga videot më të hershme të shfaqura, realizimin e së cilës në ato vite artisti rreket ta shpjegojë.
“E kam realizuar këtë video në kohë të vështira, kur kamera, montazhi e të tjerë., nuk ishin lehtësisht të aksesueshme si sot”, shprehet artisti pamor Gentian Shkurtaj.
Drama e shkurtër “Darka” e Suela Bakos, e realizuar 8 vite më herët, “Ditari i Koronës” i artistit Leart Rama, filmi “Mama”, i Fracisco Mazziotti-t ishin disa nga videot e shfaqura. Shtete si Australia, Britania, Amerika, Italia, Franca, do të kenë gjithashtu përfaqësuesit e tyre. Shfaqet këtë mbrëmje në ambjentet e “Tullës” edhe videoja artistike e Helidon Gjergjit, “Danubi blu”, e realizuar në vitin 2004.
“Kemi sot video të artistëve të njohur, siç është Helidon Gjergji, dhe të mos harrojmë faktin se disa nga artistët shqiptarë më të njohur në botë, merren në fakt me videoart”, thotë Koritari.
Rrugëtimi tri ditor zuri fill në hapësirat e Qendrës Kulturore “Tulla” e vijon në sallën Tonin Harapi, galerinë “Kalo” e Galerinë e Tiranës.
“Ajo që është e rëndësishme sot, në një epokë kur ne po shkojmë gjithnjë e më shumë drejt një bote hibride midis reales e digjitales të rinjtë të kuptojnë që këto mediume shërbejnë për të komunikuar nevojat që ata kanë dhe për më tepër për të bërë art”, rrëfen Koritari.