Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, gjatë një takimi me të rinj në Turqi ka komentuar një nga momentet më të përfolura të Samitit të Tiranës, videon e bërë me inteligjencë artificiale ku liderët e Europës ishin 'kthyer' në fëmijë dhe uronin mirëseardhjen në Shqipëri në gjuhët përkatëse.
“Shqipëria bëri diçka interesante në prezantim. Ajo solli në ekran krerët e shteteve dhe kryeministrat e e vendeve pjesëmarrëse përmes një realizimi me AI. Ishte shumë interesante dhe çdo kryetar shteti ose kryeministër i atij vendi iu prezantua me inteligjencë artificiale”, nënvizoi Erdogan, duke e cilësuar këtë qasje si një risi domethënëse në paraqitjen digjitale të liderëve botërorë.
Erdogan madje, shtoi se Turqia synon të ndjekë hapa të ngjashëm dhe të jetë konkurruese në zhvillimin e teknologjive të avancuara.
“Shpresojmë që të dalim me një infrastrukturë të tillë në një konkurs që do të mbahet në një të ardhme të afërt. Ne i besojmë vetes, ju besojmë juve dhe kështu, me vullnetin e Zotit, po ecim drejt së ardhmes me një infrastrukturë të fortë të inteligjencës artificiale”, ka thënë Erdogan.
Komente
