Të veshur me të zeza, nëna me flokë të bardha, vajza dhe gra qajnë përpara gjykatës së Apelit të juridiksionit të përgjithshëm në Tiranë. Dy fëmijë mbajnë në dorë portretet e dy vëllezërve Lavdimir dhe Gramos Kurtaj të vrarë në fshatin Kurjan të Roskovevit nga Altin Kuka më 10 shtator 2024
Ata kërkojnë drejtësi dhe dënim maksimal për autorët.
“Dua që kriminelët, bashkëpunëtorët të marrin dënimin maksimal, të marrin dënimin që u takon, mos të na vrasin për së treti, se dy vëllezër na ikën. Ju flas në emër të kësaj nëne 90-vjeçare që po e qetësojmë dy herë dita në spital, ju flas në emër të këtyre fëmijëve që ngelën rrugëve, që mbajnë në portretin e babait në dorë, nuk e kanë babanë në krah.
Ju lutem në emër të këtyre vëllezërve, në emër të nipërve, mbesave, motrave, i lutem shtetit ta çojë ligjin atje ku duhet, mos të na detyrojë të bëjmë ndryshe, se ka vetëgjyqësi.
Të vriten në qiell të hapur dy vëllezër pa një shkak, taksapagues të shtetit nuk e meritojnë”, shprehet vëllai i viktimave.
Gjykata vendosi të lërë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për Altin Kukën, për dy djemtë e tij Ervis dhe Emaurisio Kuka dhe për Tomor Zykën.
Ata ankimuan masën e gjykatës së shkallës së parë Fier, në Apel, por trupa e gjykimit la në fuqi vendimin e datës 13 shtator.