Tirane- Një ngjarje e çuditshme ka ndodhur sot në gjykatën e Tiranës ku ishte masa e sigurisë për mjekët e spitalit të Onkologjikut.
Gjykata e Tiranës ka lënë në fuqi masën arrest shtëpie për mjekun Edmond Gashi që doli në dosjen e skandalit të Onokologjikut, ku pacientëve me tumor u refuzonin shërbimin publik në Shtetëror dhe i çonin në klinikën private të tij, 'Megis' në Astir.
Mjeku Edmond Gashi ndaj të cilit gjykata kishte caktuar masën e sigurisë arrest shtëpie u shfaq në gjykatë pa polic. Kur hyri gazetarëve u tha se ka bërë detyrën.
Pas përfundimit të seancës, mjeku Gashi u filmua teska del nga ana tjetër e pasme gjykatës, aty ku kalojnë vetëm gjyqtarët e prokurorët, për të shmangur përballjen me gazetarët.
Madje në një moment, siç shihet në videon e Report Tv dhe Shqiptarja.com, mjeku ia fut vrapit për t'i ikur gazetarëve. Në një njoftim për median gjykata tregon se ai jo vetëm ka ikur nga dera ku kalojnë gjyqtarët por dhe i pashoqëruar nga një polic, sic e kërkon dhe ligji.
Kështu, në datën 27.06.2024, për paraqitjen dhe pjesëmarrjen e tij në seancën e caktuar për “Komunikimin e masës së sigurimit personal të caktuar në mungesë nga Gjykata”, në zbatim të nenit 248 të K.Pr.Penale, personi nën hetim E. G., do të duhej të ishte i shoqëruar nga punonjës të policisë së shtetit, të cilët në zbatim të vendimit të gjykatës si dhe në referim të nenit 237 të K.Pr.Penal, duhet të ndjekin dhe të zbatojnë me përpikmëri vendimet e gjykatës, si dhe zbatueshmërinë e masave të sigurimit.
Me përfundimin e seancës gjyqësore, pasi gjyqtarja ka lënë sallën e gjyqit, po kështu me rradhë pas saj edhe prokurori, avokatët, si dhe vetë personat nën hetim, shtetasi E. G., teksa ka qënë në korridorin e katit të parë të gjykatës, duke përfituar nga një moment i vetëm në të cilin një punonjëse e gjykatës ka qënë duke dalë në rrethana krejtësisht rastësore nga dera e cila shërben për hyrjet dhe daljet e autorizuara vetëm të gjyqtarëve dhe punonjësve të gjykatës (me karta të posaçme), ka dalë i shoqëruar edhe nga një shtetas tjetër, duke u larguar me vrap, i pa shoqëruar nga asnjë punonjës i policisë së shtetit.
Gjykata e Tiranës rikonfimoi masat për 7 mjekët dhe bashkëpunëtorët e tyre të akuzuar për shpërdorim detyre.
Lajmi kryesor:
Dosja e Onkologjikut, Gjykata lë në fuqi masat, pezullohen mjekët! Doktoresha Pere: Hetoni spitalet private! Debat me gazetarët: Më keni shëmtuar fotot! Gashi ikën vrap (VIDEO)
SI.E.//ReportTv.al