TIRANË- Në Gjykatën e Posaçme është shtyrë seanca gjyqësore për ish-kryebashkiakun e Safet Gjicit dhe Alma K. Në seancën e sotme ishte parashikuar mbrojtja, por u shty për shkak se mungonte një prej gjyqtarëve.
Pasi të mbahet seanca e mbrojtjes, më pas pritet të shpallet vendimi nga Gjykata. SPAK kërkon dënimin me 4 vjet e 6 muaj burg për ish-kryebashkiakun e Kukësit Safet Gjici për video-skandalin e regjistruar në zyrën e tij që u bë publik më 16 qershor 2023. Si pasojë e uljes së një të tretës nga gjykimi i shkurtuar, nëse shpallet fajtor për akuzën e korrupsionit pasiv, ai rrezikon të dënohet me 3 vjet heqje lirie.
SPAK kërkon 1 vit e 6 muaj burg për të akuzuarën tjetër Alma K, e cila përfiton uljen në një vit heqje lirie nga gjykimi i shkurtuar për korrupsion aktiv.
Sipas prokurorisë, videoskandali në Bashkinë Kukës është realizuar nga Alma K në takimin e saj të dytë që ka pasur aty me Safet Gjicin. Hetimet kanë zbardhur se pas regjistrimit të skenave që u bënë publike Safet Gjici dhe Alma K zhvilluan një bisedë për tenderin e trajtimit të qenve endacakë të qytetit të Kukësit.
Në këtë bisedë, kryebashkiaku e drejton Alma K për te nënkryetari i bashkisë Granit Gjana, për të folur mbi procedurat. Kontrolli i kryer në banesë ka gjetur një USB që përmbante filmimin bruto të cilin autorja ka pretenduar se e regjistroi për llogari të një emisioni investigativ.
Teksa kthehej nga Kukësi Alma K ka pretenduar se filmimin ia ka marrë ish-kreu i Qarkut Kukës, Abedin Oruçi. SPAK citon në dosje biseda mes tyre para dhe pas regjistrimit të materialit në zyrën e Safet Gjicit, por hetimet nuk kanë arritur ta provojnë këtë pretendim.