Persona ende të paidentifikuar kanë vjedhur gjatë natës Zyrën Postare Nr.2 në lagjen "Muzakaj". Kjo zyrë postare ndodhet në anë të rrugës që përshkon qytetin dhe është e pajisur jashtë dhe brenda me kamera sigurie. Nga ana e policore konfirmohet se hajdutët, pasi kanë hyrë brenda postës kanë vjedhur 100 mijë lekë që ndodheshin në një nga sirtaret e këtij filiali.
Vjedhja është konstatuar mëngjesin e sotëm nga dy punonjëset e postës, të cilat kanë njoftuar menjëherë policinë. Ende nuk dihet sesi hajdutët kanë mundur të hyjnë brenda Zyrës Postare Nr.1 në lagjen Muzakaj, pasi fillimisht u tha se hajdutët kishin thyer xhamin e derës dhe më pas u fol që kishin shqyer derën hyrëse të postës. Por siç duket e dhe nga planet filmike, dera kryesore e Zyrës Postare Nr.2 është e paprekur. Burime të brendshme policore konfirmojnë se një nga pistat që po ndiqet prej tyre për të zbuluar këtë vjedhje është edhe "harresa e derës pa kyçur" pas mbarimit të turnit nga vetë punonjëset e këtij filiali poste.
Të njëjtat burime konfirmojnë se janë sekuestruar regjistrimet e kamerave të sigurisë dhe po punohet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje si dhe identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve të vjedhjes. Materialet procedurale për këtë vjedhje i kanë kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat për të kryer veprimet e mëtejshme.