Kryen 12 vjedhje në Tiranë, Durrës dhe Belsh, 4 të arrestuar dhe 1 në kërkim! Sekuestrohet një granatë, një automjet, piktura me vlerë dhe para

27 Dhjetor 2021, 12:26| Përditesimi: 27 Dhjetor 2021, 13:20

  • Share

TIRANË- Katër persona janë arrestuar në Tiranë pasi u kapën duke vjedhur një farmaci në rrugën "Petraq Leka" në zonën e Kombinatit, ndërsa është shpallur në kërkim bashkëpunëtori i tyre. Grabitja në farmaci çoi edhe në dokumentimin e ngjarjeve të tjera kriminale, pasi policia konstatoi se pesë të rinjtë rezultojnë autorë të 11 grabitjeve kryesisht të dyqaneve dhe shtëpive në zonën e Tiranës, Durrësit dhe Belshit.

Polica ka sekuestruar një granatë, një automjet, piktura me vlerë, një mjet prerës për lëndë drusore, një biçikletë, një sasi parash dhe mjete që autorët i përdornin për kryerjen e vjedhjeve.

Në kuadër të operacionit "Shtegtarët" u bë arrestimi në flagrancë i autorëve Behar Allmuça, 27 vjeç; Klajdi Lila, 17 vjeç, Leonard Hoxha, 24 vjeç; Anderson Fidani, 31 vjeç dhe u shpall në kërkim shtetasi F. L., 29 vjeç.

Allmuça, Hoxha dhe Fidani akuzohen për veprën penale "Vjedhja" e kryer në bashkëpunim, ndërsa të tre rezultojnë të dënuar më parë për vjedhje. Lila akuzohet për veprat penale "Vjedhja" e kryer në bashkëpunim dhe "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit".

Po ashtu edhe 29-vjeçari i shpallur në kërkim rezulton i dënuar më parë për vjedhje.

Të gjitha vjedhjet e kryera nga autorët:

* Më datë 16.12.2021, në Durrës, në dyqanin në pronësi të shtetasit E. Sh., dyshohet se kanë vjedhur një shumë të papërcaktuar parash;

*Më datë 16.12.2021, në Durrës, në dyqanin në pronësi të shtetasit B. Sh., dyshohet se kanë vjedhur një shumë parash;

* Më datë 18.11.2021, në Tiranë, dyshohet se kanë vjedhur një sasi të papërcaktuar parash dhe paketa cigaresh në marketin në pronësi të shtetasit V. U.;

*Më datë 21.12.2021, në rrugën "Tefta Tashko" dyshohet se kanë vjedhur një shumë parash në farmacinë në pronësi të shtetases V. P.;

*Më datë 21.12.2021, në Qytetin e Nxënësve në Tiranë, dyshohet se kanë vjedhur një shumë parash në një dyqan;

*Më datë 25.12.2021, në rrugën "Budi", dyshohet se kanë vjedhur një shumë parash dhe disa paketa cigaresh në marketin me menaxhere shtetasen A. Sh.;

*Më datë 25.12.2021, në qytetin e Belshit, gjatë natës dyshohet se kanë vjedhur një pajisje prerëse për materiale drusore në një banesë;

*Më datë 26.12.2021, në qytetin e Belshit, kanë tentuar të vjedhin një farmaci;

*Më datë 26.12.2021, po në qytetin e Belshit kanë tentuar të vjedhin një kancelari;

*Më datë 26.12.2021, në fshatin Pezë, në Tiranë, dyshohet se kanë vjedhur disa vegla pune në banesën e shtetasit G. R.;

*Më datë 26.12.2021, në Durrës, në një market në zonën e "Shkëmbit të Kavajës", dyshohet se kanë vjedhur një shumë parash;

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?