Policia ka vënë në pranga autorin kryesor të vjedhjeve, i cili ishte shpallur në kërkim gjatë operacionit “Sezoni”.
Në cilësinë e provës materiale 45 vjeçarit i janë sekuestruar euro, lekë dhe sendet e vjedhura në banesa.
Si rezultat i operacionit 'Sezoni', u vunë në pranga 3 persona dhe u shpallën në kërkim 2 persona të tjerë.
Ditën e sotme u arrestuar 45 vjeçari Arjan Rrupa, banues në Durrës, autori kryesor i vjedhjeve, i dënuar më parë për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikeve” dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Ky person, në bashkëpunim me shtetasit e tjerë të arrestuar, vidhte kasaforta, sende me vlerë dhe shuma parash në banesa të ndryshme në Tiranë.
Gjatë kontrollit fizik dhe në banesën e tij u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale sendet me vlerë të vjedhura në banesa, shuma të konsiderueshme parash, veshje, 3 aparate celular, njëra prej kasafortave të vjedhura, 1 automjet dhe sendet që autorët përdornin për të kryer vjedhjet.
Gjithashtu u dokumentua vjedhja në banesën e E. Ç., ku autorët kanë marrë bizhuteri dhe një shumë parash.
Vijon puna për kapjen e personave që janë shpallur në kërkim dhe për dokumentimin e vjedhjeve të tjera të ndodhura në qarkun e Tiranës, në të cilat mund të jenë të implikuar këta persona. Vijon të jetë në kërkim edhe një vajzë 33 vjeçe, e cila luante rolin e shitjes së bizhuterive që vidheshin jashtë vendit.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.