Liridon Peka, 28 vjeç, ishte në arrest shtëpie për mashtrim kompjuterik, por kjo nuk e ndaloi të vijonte më tej zhvatjen e të tjerë qytetarëve. Në rastin më të fundit, ai do të paguante një borxh prej 25 mijë eurosh që ia kishte një të moshuari dhe për të siguruar paratë rinisi mashtrimin e shqiptarëve të Kosovës. I riu, pasi arrinte të thyente llogaritë në Facebook, niste t’u shkruante familjarëve dhe të afërmve duke iu kërkuar shuma të konsiderueshme parash me pretendimin se i duheshin urgjentisht pasi ishte në spital. Shumë prej tyre ranë në prehën e mashtrimit dhe i nisën paratë, por shpejt kuptuan se diçka nuk shkonte. Prokuroria mësoi se sërish Liridoni po kryente të njëjtën vepër penale dhe kësaj here u kërkua për të ndryshimi i masës së sigurisë nga “arrest në shtëpi” në “arrest në burg”, që u miratua nga Gjykata e Tiranës.
Në pamundësi për të lëvizur nga banesa, Liridon Peka, me profesion farmacist, kishte angazhuar burrin e moshuar që i kishte paratë borxh që të tërhiqte shumat e parave që i dërgonin personat që mashtronte përmes agjencive të transfertave të parave. Burri nga ana e tij kishte angazhuar gjithë familjen e tij për të kryer tërheqjen e parave, nga vëllai, nipi, shokë, etj. Ai u ka thënë hetuesve se kishte tërhequr në total 61 mijë euro, por vetëm 10 i kishte mbajtur vetë dhe pjesën tjetër ia kishte dorëzuar Pekës. Prokuroria e Tiranës pretendon se ka prova të mjaftueshme për të implikuar Liridon Pekën në këtë veprimtari kriminale, përfshirë këtu komunikimet e Pekës me burrin e moshuar që i kishte borxh dhe deklarimit të këtij personi, përfshirë edhe 62 mandate transfertash dhe 2 laptopë. Por, të kundërtën pretendon vetë ai dhe mbrojtësi ligjor, sipas të cilëve nuk ka asnjë lidhje me veprimtarinë kriminale.
Por si nisi hetimi fillestar për Pekën?
Gjithçka nisi pas një kallëzimi që një shtetas nga Kosova bëri në policinë e Prishtinës. Sipas tij mendonte se i kishte nisur para nipit të tij pas një mesazhi që i kishte ardhur në Facebook, por kur kishte folur në telefon me të kishte kuptuar se ishte mashtruar, pasi nipi i tij nuk i kishtë kërkuar kurrë para. Pas hetimeve u arrestua Liridon Peka, i cili në atë kohë u la në “arrest shtëpie”, por nuk hoqi dorë nga mashtrimi.
Një borxh prej 25 mijë euro që Liridon Peka, 28 vjeç, i kishte një burri të moshuar, e ka shtyrë atë të mashtrojë shqiptarë të Kosovës përmes vjedhjes së llogarive të tyre në Facebook dhe më pas mashtrimi i familjarëve dhe të afërmve për t’i nisur shuma të ndryshme parash, që në total kapën vlerën mbi 100 mijë euro.