Uji i pijshëm gjatë stinës së nxehtë mungon në fshatin Vidohovë të Bashkisë Devoll. Mbi 600 banorë detyrohen çdo dite te mbushin ne burimet natyrore, pasi nuk furnizohen nga ndërmarrja e ujësjellësit.
“S’kemi ujë as për të pirë as për të larë. Shkojmë dy orë larg mbushim me kafshë. Shumë problem është, pimë ujë me rërë”, thanë banorët.
Kjo problematikë i ka shoqëruar prej vitesh banorët e kësaj zone, e cila njëkohësisht është e pasur me burime nëntokësore uji, por e mbetur pa investim. Banorët shprehen se janë ankuar në bashki, por nuk kanë marrë përgjigje.
“Kemi tërë jetën që ankohemi për ujin dhe rrugën. Mbushim në përrenj, jemi me fëmijë. Shumë problem është!”, shprehet një tjetër banor.
“Vajta tek xhamia për të mbushur dhe nuk gjeta ujë. Po shyqyr që kemi këtë sondën që është bërë në kohën e Enver Hoxhës, se të mos ishte kjo do na çante morri”, tha një i moshuar.
Zona e Devollit njihet si një ndër zonat më të pasura me burime uji nëntokësor, por mungesa e investimeve për rrjetin ujësjellës ka sjellë ketë problematike te mbartur nder vite.