TIRANË- Trofetë prestigjiozë si Premier League, Champions League dhe FA Cup të fituar nga Manchester City ekspozohen në Shqipëri për dy ditë radhazi për të gjithë tifozët shqiptar.
Për të gjithë admiruesit e futbollit guardiolian trofetë ekspozohen sot nga ora 13:00 deri në 19:00 në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD) te kryeministria dhe më pas më 18 prill në sheshin Italia si dhe në stadiumin “Air Albania”.
“MIRËMËNGJES dhe me ftesën dashamirëse për admiruesit e artit të futbollit guardiolian, që trofetë e fituara nga Manchester City gjatë sezonit futbollistik 2022-2023 (të cilat erdhën në Amfiteatrin e Durrësit si pjesë e programit të Akademisë së Futbollit të Mancity në Durrës), të vijnë po të duan t'i vizitojnë sot nga hyrja kryesore në hollin e Kryeministrisë, prej orës 13:00 deri 19:00, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.
Manchester City është gjithmonë e më shumë pranë futbolldashësve shqiptare. Këto trofe të fuituara sezonin e kaluar erdhën në Amfiteatrin e Durrësit si pjesë e programit të Akademisë së Futbollit të Mancity në Durrës.
Parada quhet ‘treble tour’, për shkak se përmban trofetë më prestigjozë të fituar si Premier League, Champions League dhe FA Cup. Megjithatë pjesë e kësaj parade do jenë edhe trofetë e Superkupës së Europës dhe Botërorit të klubeve. Në total pesë trofe kanë mbërritur në vendin tonë përmes Akademisë së Futbollit Durrah City.
Ka gjasë që në të ardhmen e afërt Manchester City të jetë në Shqipëri, ndërsa kjo vizitë historike mund të konkretizohet edhe me një ndeshje miqësore.
Megjithatë ajo që vlen më shumë është ndërtimi i akademisë së 6 në botë i këtij klubi madhështor që do jetë pikërisht në vendin tonë, që si për qëllim ka evidentimin dhe rritjen e talenteve të dalluar. Ata do stërviten me metodikën e një klubi si Manchester City, ndërsa më të veçantët do mund të provojnë veten në këtë klub gjigand.