Kronikë

Ardit Beshiri 3 ditë nën krom, familjarët: Ndihmë nga shteti, të sjellë pajisje, dedektorë, po gërmojmë me lopata

5 Maj, 16:39| Përditesimi: 5 Maj, 17:29

  • Share

Prej së shtunës, familjarët kërkojnë dëshpërimisht për gjetjen e trupit të 29-vjeçarit Ardit Beshiri në Qafë-Burrel të Klosit.

Forcat e Armatosura, banorë të zonës dhe familjarë të 29-vjeçarit po kërkojnë me mjete rrethanore, kazma e lopata.

Kur kanë kaluar më shumë se 48 orë nga aksidenti fatal në fabrikën e kromit, shpresat po veniten, ndaj kërkojnë ndihmë nga shteti për gjetjen e trupit me pajisje të specializuara.

“I bëjmë thirrje shtetit të ndërhyjë të na sjellin aparaturat që të gjejmë trupin. Kjo është fatkeqësi për familjen tonë. Shteti duhet të na ndihmojë të gjejmë trupin. Familja smund të jetojë në këtë lloj mënyre. Shteti të sjellë aparaturat. Dimë që është një kompani turke që ka aparatura, ka ndodh një rast i tillë në Vaun e Dejes dhe kanë arrit me e gjet trupin”, tha kushëriri i 29-vjecarit.

Ardit Beshiri ka qenë duke punuar me eskavator, në stokun e fabrikës së përpunimit të kromit, e cila muajt e fundit shfrytëzohej nga një shoqëri kineze. Në rrethana ende të paqarta është çarë rezervuari dhe nga vërshimi i ujit dhe inerteve, i riu ka humbur jetën. Për shkak të sasisë së madhe të ujit, trupi mund të jetë zhvendosur 8 kilometra nga vendi i aksidentit.

“Deri në këtë moment janë vullnetarë, njerëz nga fshatrat, kam parë dhe disa ushtarë, policia është këtu por ata janë njerëz si puna jonë dhe nuk besoj se mund ta gjejnë. Duhen aparatura, terreni është i thyer, makineritë nuk futen dot sepse dherat kanë shkuar 8 km larg. Është pothuajse e pamundur. Janë gjetur disa vetëm pjesë të fadromës”, shton ai.

Për aksidentin fatal në fabrikën e kromit është arrestuar përgjegjësi Admir Lala, i cili akuzohet për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.  

K.M/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se zgjedhjet do ndikojnë në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së?