Luftimet në Kartum të Sudanit

Vijojnë luftimet në Sudan,teksa palët zhvillojnë bisedime për armëpushim në Arabinë Saudite

14 Maj 2023, 14:10| Përditesimi: 14 Maj 2023, 14:18

  • Share

Granatime dhe sulme ajrore kanë goditur pjesë të kryeqytetit sudanez, Kartum, duke dhënë pak sinjale se fraksionet ushtarake janë të gatshme të ulin armët në konfliktin që ka lënë të vdekur qindra persona, pavarësisht se bisedimet për armëpushim pritet të zhvillohen në Arabinë Saudite më 14 maj.

Kartumi dhe qytetet përreth, Bahri dhe Omdurmani, kanë qenë në epiqendër të konfliktit së bashku me provincën perëndimore të Darfurit, që kur ushtria dhe Forcat paramilitare të Mbështetjes së Shpejtë nisën luftimet një muaj më parë.

Sulmet ajrore kanë goditur Bahrin dhe Omdurmanin mëngjesin e së dielës, raporton Reuters. Ndërkaq, televizioni Al Arabiya ka raportuar për luftime të ashpra në qendër të Kartumit.

Luftimet në Sudan kanë vrarë qindra persona, 200.000 të tjerë janë larguar nga shteti, ndërkaq 700.000 janë zhvendosur brenda vendit, duke nxitur një krizë humanitare dhe kërcënon të tërheqë në konflikt edhe fuqitë e jashtme duke destabilizuar rajonin.

Luftimet po zhvillohen mes ushtrisë së udhëhequr nga Abdel Fattah al-Burhan dhe forcave paramilitare të udhëhequra nga Mohamed Hamdan Dagalo. Të dy gjeneralët ndanin pushtetin që nga grusht-shteti i vitit 2021, që pasoi rrëzimin nga pushteti të autokratit Omar al-Bashir më 2019.

Por, dy gjeneralët kanë mospajtime lidhur me transicionin në sundim civil dhe asnjëri nga ta duket se nuk është i gatshëm për koncesione, me ushtrinë që kontrollon fuqinë ajrore dhe me Forcat e Mbështetjes së Shpejtë që kanë prani në qarqet e qyteteve.

Marrëveshjet e armëpushimit janë shkelur vazhdimisht, por Shtetet e Bashkuara dhe Arabia Saudite janë duke ndërmjetësuar bisedimet në Xhedah që synojnë arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi afatgjatë.

Të enjten, palët u pajtuan për “deklaratën e parimeve” për të mbrojtur civilët dhe për ofruar qasje humanitare, por bisedimet e 14 majit pritet të adresojnë edhe monitorimin dhe mekanizmin që do të zbatojë këtë marrëveshje.

M.T/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?