Rreth 287.1 miliardë lekë janë arkëtuar në buxhetin e shtetit në 5 mujorin e parë të këtij viti, duke u rritur me 11.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të 2023-shit. Ministria e Financave thotë se përgjatë muajve janar-maj janë mbledhur 29 miliardë lekë më shumë se vjet.
Në raport me vjet të ardhurat nga TVSH-ja janë rritur me 24.2%, dhe në total janë mbledhur 23.2 miliardë lekë ose 4.5 miliardë më shumë se vjet. Rritja e arkëtimeve nga TVSH-ja sinjalizon shtim të konsumit por edhe reflekton çmimet e larta që vijon të ketë vendi.
Në këtë periudhë janë rritur me 17.5% edhe të ardhurat nga tatimi i pagave. Sipas të dhënave të ministrisë janë mbledhur 26.8 miliardë lekë nga ky tatim duke tejkaluar edhe planet e qeverisë. Ndikim në këtë rritje ka dhënë edhe rritja e pagave të administratës publike.
Njëkohësisht janë rritur edhe kontributet për sigurime shoqërore dhe shëndetësore me 15.2%, dhe të total përgjatë 5-muajve janë mbledhur 63.4 miliardë lekë ose 8.4 miliardë lekë më shumë se 5-mujori 2023. Po ashtu janë rritur edhe të ardhurat doganore, me 6.6%, dhe në total janë arkëtuar 89.7 miliardë lekë.
Sa i takon shpenzimeve, në 5 muaj ato arritën në 236.6 miliardë rreth 14.3 miliardë lekë më shumë se vjet.
Kjo ecuri e ekonomisë ka rol kyç edhe në rishikimin që pritet të pësojë buxheti i shtetit, ku do të reflektohen edhe treguesit e ri për të ardhurat dhe shpenzimet.