Partia Demokratike e mbajti mandatin e katërt të Lezhës vetëm me 73 vota diferencë nga PS, teksa votat e fundit nga zarfat e diasporës së Greqisë u numëruan mes tensioneve, ankthit dhe deri kontestimeve politike.
Partia Socialiste ka thelluar rezultatin në diasporë me mbi 61 mijë vota diferencë nga PD. Sipas të dhënave të deritanishme nga KQZ, ndërsa po numërohet edhe vota e emigrantëve të Greqisë, nga 181 992 zarfa në total të numëruar në 195007 gjithsej, PS kryeson me 105,955 vota, ose 58.88%, ndërkohë që koalicioni i Sali Berishës ka 45 006 vota ose 25.01% të totalit të votave.
Aktualisht kanë mbetur më pak se 13 mijë zarfa për t'u numëruar, ndërsa nuk kanë munguar kontestimet mes palëve dhe kryesisht nga PD.
Votat e Greqisë për qarkun Lezhë ngushtuan diferencën mes PD, që mbajti 4 mandate në fund të numërimit, kurse PS ka marrë 3 mandate. Trendi i votave të Greqisë në favor të socialistëve, u rrezikoi mandatin demokratëve deri në fund. Mandati ndahej mes Kastriot Pirolit të PD dhe Admir Kadelit të PS-së. Tashmë konsiderohet i fituar mandati i katërt nga demokratët, teksa pritet vetëm zyrtarizimi dhe tabulimi nga komisionet dhe KQZ.
Pas tensioneve në sallë, në fund palët kanë uruar njëra-tjetrën, teksa u pa qartë agresiviteti i Flamur Nokës, që edhe në fitore u shfaq si humbës duke sulmuar verbalisht dhe madje shtyrë deputetin socialist Taulant Balla. Ndërhyrja e të pranishmëve shoi tensionet në Parkun Olimpik. Kandidati socialist Admir Kadeli, e uroi në fund Kastriot Pirolin e PD që ruajti mandatin, teksa po lufton brenda partisë me Marjeta Nelin, që është para tij me vota. Madje edhe kreu politik i qarkut të Lezhës, ministri Ulsi Manja, përgëzoi demokratët për mbajtjen e mandatit të Lezhës dhe uroi gjithashtu kandidatin demokrat Piroli.
Një sjellje shumë e ndryshme kjo nga ajo e përfaqësuesve të PD-së, të cilët nga njëra anë kanë kontestuar votat e diasporës së Greqisë pas çdo kutie të numëruar dhe në krahun tjetër iu gëzuan fitores me mbajtjen e mandatit të katërt të Lezhës, duke e cilësuar si të ligjshme. Demokratët vijuan festën për mbajtjen e mandatit, duke bërë edhe një fotografi në grup me dy gishtat lart, që tregon se alibia për votat e parregullta të diasporës së Greqisë duke i kontestuar, ishte një pretendim më shumë politik sesa real.
Vëmendja u zhvendos tek zarfat e votave të fundit për partitë në qarkun e Fierit dhe ato preferenciale për qarkun e Tiranës. Në Fier Nisma Shqipëria Bëhet pretendoi që t'i hiqte mandatin e 12-të Partisë Socialiste, që rezultoi e vështirë matematikisht në ato pak vota të Greqisë për t'u numëruar. Koalicioni i Adriatik Lapaj deri tani duket se nuk ka shanse matematikore për t’i marrë mandatin e 12-të PS-së, ndërsa pritet vetëm zyrtarizimi nga KQZ. Kurse votat e diasporës për partitë në kryeqytet nuk pritet të ndryshojnë gjë.
Në Tiranë lufta është zhvendosur tek kandidatët, në dy gara brenda PS-së, mes Ornaldo Rakipit që ndodhet mbi 100 vota para Xhemal Qefalisë dhe Blerina Gjylametit dhe Olta Xhaçkës, që ndaheshin vetëm me 20 vota diferencë. Vetëm dy vende deputetësh janë në garë në këtë betejë brenda socialistëve që po diskutohen në numërimin e zarfeve të Greqisë.
Kurse përsa i përket koalicioneve dhe partive të tjera në shifrat e votës së diasporës, në vend të tretë është Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet me 13,822 vota, që përfaqësojnë 7.68%. Të tjera subjekte politike kanë marrë përqindje dukshëm më të ulëta. Lëvizja Bashkë ka siguruar 2.32% të votave, Partia Mundësia 3.2%, dhe Partia Socialdemokrate 1.23%. Ndërkohë, partitë e tjera si Lëvizja Atdheu, Partia Aleanca Demokracia e Re apo Koalicioni Djathtas për Zhvillim kanë rezultuar me më pak se 1% të votave secila.
Numërimi i votave të Greqisë nisi mëngjesin e kësaj të shtune pas vendimit të djeshëm të kryekomisionerit Ilirjan Celibashi, pasi kishin mbetur peng që prej të dielës ku u mbajtën zgjedhjet për shkak të pretendimit të PD për manipulim.
Por PD, edhe pse ka dërguar komisionerë që po monitorojnë procesin e numërimit të këtyre votave të ardhura nga Greqia, doli me një deklaratë se do t’i kontestojnë dhe do të kërkojnë që të mos përfshihen në rezultatin përfundimtar.
Komente
