Gati 50 milionë euro mbetën të pashpenzuara në 8-mujorin e këtij viti. Referuar shifrave të Ministrisë së Financave deri në fund të gushtit u shpenzuan 4 miliardë e 575 milionë euro, ndërkohë që plani ishte për tu shpenzuar 4 miliardë e 625 milionë euro.
“Vitet e fundit shikohet një rritje të presionit të kontrollit nga sistemi i drejtësisë, kjo në një farë mënyre ka trembur shumë prej ‘firmëtarëve’, të cilët mendohen disa herë përpara se të firmosur një shpenzim të caktuar”, thotë eksperti i ekonomisë Klodian Muço.
Ndryshe nga viti i kaluar që nuk realizoheshin investimet, këtë vit problemi është tek shpenzimet korrente (paga, sigurime, interesa, mirëmbajtje, etj) që nuk janë realizuar me 61 milionë euro, pasi plani i financave ishte për shpenzime korrente 4.1 miliardë euro.
“Vlerësimi i vazhdueshëm i monedhës tonë vendase kundrejt valutave, ka ndikuar përsa i takon një sërë shpenzimesh, sidomos ato për pagesa shërbimi ndaj borxhit të mos realizohen”, thotë eksperti
Sipas raportit të Ministrisë së Financave, gjatë kësaj periudhe bashkitë nuk arritën të shpenzonin 47 milionë euro. Po ashtu nuk u realizuan shpenzimet e planifikuara për interesat e borxhit, për bonusin e bebeve, pagesën e papunësisë apo për ndihmën ekonomike.
Për shkak të shpenzimeve më të pakta se plani dhe prej rritjes mbi planin të të ardhurave, arka e shtetit ka arritur në suficit prej 412 milionë euro në fund të muajit gusht, nga 295 milionë euro që ishte plani për këtë 8-mujor.
“Paratë mos të shkojnë atje ku nuk ka nevojë. Mund të shkojnë shumë mirë tek shëndetësia, tek bujqësia që është në tkurrje të vazhdueshme, mund të ketë më shumë para për industrinë që prej 10-tremujorësh është në rënie”, thotë Muço.
E njëjtë ishte situata edhe në vitin e kaluar. Deri në nëntor të 2024-ës suficiti (pra të ardhura më shumë se shpenzime) ishte 710 milionë euro. Me rishikimin e buxhetit në dhjetor qeveria rriti fondet për bonusin e pensionistëve (100 milionë euro), u dha shpërblim për punonjësit e administratës dhe familjet në nevojë, ndërsa pjesën tjetër e shpërndau nëpër projekte infrastrukturore, për bashkitë si dhe aprovojë një kredi Albcontrol.
“Ato rialokimet e fondeve që bëhen në dy muajit e fundit duket më shumë si shpërdorim i parave sesa rialokim i mirëfilltë”, pohon eksperti.
Vetëm pas kësaj rishpërndarje u arrit që viti 2024 të mbyllej me deficit prej 180 milionë eurosh, dhe përsëri investimet e premtuara nuk u realizuan, duke dëshmuar sipas ekspertëve paaftësi nga institucionet për të shpenzuar para në shërbim të qytetarëve.
Komente

Po normal si ti trembi te gjithe spaku asnjeri nuk do doje te punoje per kete shtet qe nuk mbron punonjesit e vet ne asnji gjyq
Përgjigju