Në të gjithë Shqipërinë, po shpërndahen ndihma për të gjitha shtresat në nevojë, që në këtë situatë të vështirë të marrin shërbimet e përditshme brenda banesave të tyre, pa dalë nga shtëpia. Pensionistët dhe familjet në nevojë po marrin paketa ushqimore nga rezervat e shtetit në derën e shtëpisë së tyre së bashku me medikamentet, pasi e cilësuar si shtresa dhe hallka më e dobët ku koronavirusi godet më fort, të qëndrojë në shtëpi dhe të mos rrezikojë të infektohet.
Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë një video në faqen zyrtare në facebook, ku tregon momentet nga shpërndarja e ndihmave në shumë familje, në disa prej qyteteve të Shqipërisë, ku dhe u bëhet thirrja të qëndrojnë brenda dhe të telefonojnë për çdo gjë.
“Ndihmuam sot mijëra familje të tjera, bëni durim, ju lutem durim, askush nuk do mbetet pa ndihmë! Besim e durim! Asnjë fukara, asnjë pensionist i vetmuar nuk do të mbetet pa ndihmat bazë, deri në fund!”, shkruan kryeministri.
Ndërkohë ka dhënë një mesazh dhe për të gjitha ata që janë shprehur skeptikë dhe kritikues se shtresat në nevojë nuk po ndihmohen dhe janë lënë në mëshirë të fatit.
“Ndërsa kush ushqen edhe ajfonin, të mos i harxhojë bateritë për t’u ankuar në emër të popullit, po le të inkurajojë forcat operacionit humanitar nëse nuk rri dot pa komentuar”, ka thënë ndër të tjera Rama.
Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka ka publikuar fotot e forcave ushtarake që ndihmojnë në shpërndarjen e pakove ushqimore për familjet e varfra dhe pensionistët në të gjithë vendin.
Ministrja Xhaçka shprehet se të bashkuar do ja dalim, ndërsa ndihma për nevojtarët do të vijojnë në këtë periudhë krize.