Katër vatra zjarri janë ende aktive në gjithë vendin. Zjarri në landfillin e mbetjeve në Elbasan vijon akoma, njofton Ministria e Mbrojtjes. Ndërkohë, 3 vatrat e tjera janë aktive në Finiq, Tiranë dhe Has. Gjatë 24 orëve janë raportuar 16 vatra zjarri.
Vatrat aktive janë si më poshtë:
Bashkia Elbasan: Në vendgrumbullimin e mbetjeve vijon puna për shuarjen e plotë të flakëve. Gjatë ditës së djeshme u ndërmorën veprime për hedhjen e inerteve dhe kapsulimin e mbetjeve, ndërsa një grup ekspertësh ishte në terren për matjen e ndotjes së ajrit. Forcat operacionale do të vijojnë edhe sot punën për shuarjen e plotë të zjarrit.
Bashkia Finiq: Vatra mes fshatit Grazhdan (njësia Livadhja) dhe fshatit Malçan (njësia Dhivër). Situata është më e qetë dhe intensiteti i zjarrit ka rënë. Zjarri po monitorohet nga një mjet zjarrfikës me 3 efektivë dhe punonjës të Shërbimit Pyjor në fshatin Malçan.
Bashkia Tiranë: Në fshatin Bulticë, njësia Vaqarr, në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Terreni i vështirë e bën të pamundur kalimin e mjeteve. Sot do të vijojë ndërhyrja me forca operacionale dhe helikopterin Cougar.
Bashkia Has: Në zonën malore mes fshatrave Gjinaj dhe Domaj, në një sipërfaqe me pyll pishe. Era dhe terreni i thyer e bëjnë të vështirë ndërhyrjen, por puna për kontrollin e flakëve vijon.
Zjarret janë regjistruar kryesisht në sipërfaqe me shkurre dhe bimësi.
Sipas parashikimeve të Institutit të Gjeoshkencave, sot priten reshje lokale të dobëta në disa qarqe. Sa i përket zjarreve, pritet nivel rreziku “i lartë” pothuajse në të gjitha qarqet. Vetëm në qarqet Durrës, Korçë dhe Vlorë pritet nivel “I moderuar”
"Sipas parashikimeve të Institutit të Gjeoshkencave, sot priten reshje lokale të dobëta në disa qarqe. Sa i përket zjarreve, pritet nivel rreziku “I LARTË” pothuajse në të gjitha qarqet. Vetëm në qarqet Durrës, Korçë dhe Vlorë pritet nivel “I MODERUAR”, me rrezik lokal “TË LARTË” në zona të caktuara (Durrës - Jug, Korçë - Qendër, Vlorë - VeriQendër)", thuhet në njoftim.
Komente
