Një vatër e re zjarri është raportuar në fshatin Dukat- Fushë në Vlorë gjatë pasdites së sotme. Të favorizuara nga era e fortë dhe temperaturat e larta, flakët po përparojnë drejt disa banesave në këtë fshat.
Në këtë zonë ka mbërritur edhe helikopteri për të bërë të mundur shuarjen e flakëve.
Zjarret në fshatrat e Himarës, Sasaj, Lukovë dhe Shën Vasil janë vendosur në kontroll pas ndërhyrjes nga ajri ditën e sotme. Aktualisht raportohet për 3 vatra aktive të vogla. Po kështu flakët në Kalasë të Delvinës janë vendosur nën kontroll.
Në fshatin Kuç të bashkisë Vorë, zjarri i ardhur nga zona e Shijakut u afrua në drejtim të banesave. Ndërhyrja e helikopterit të ushtrisë ndihmoi në izolim. Në Shëngjergj, në bashkinë e Tiranës, zjarri është përhapur në një sipërfaqe të gjerë kullotash dhe pyjesh. Po kështu në Ibë janë aktive tre vatra zjarri.
Në Parkun e Lurës, një prej vatrave është afruar fshatit Sinë, ndërsa në fshatin Zall Gjoçaj, në bashkinë Mat, zjarri ka marrë shtrirje mbi 14 kilometra. Zjarri vijon edhe në Parkun e Prespës por pa rrezik për zonat e banuara.
Ministria e Mbrojtjes publikon pamjet e marra me dronin Bayraktar i cili në këtë periudhë me zjarre thuajse në gjithë vendin, survejon dhe skanon territorin për vatra. Nga pamjet e mara prej tij në disa zona të vendit, shfaqen helikopterët teksa mbushin ujë për shuarjen e flakëve.
Emergjencat Civile raportojnë se rreth 1 mijë forca, 4 helikopterë dhe një avion Canadair italian janë aktualisht në operacione.
Situata në Parkun Kombëtar Prespës, Bashkia Pustec paraqitet e qetë, ndërsa aktualisht nuk ka vatra aktive zjarri.
Strukturat përgjegjëse vijojnë monitorimin në terren për të garantuar stabilitetit dhe parandalimin e çdo riaktivizimi të mundshëm.
Sipas Prefekturës së Qarkut Korçë të gjitha vatrat e zjarrit në zona të tjera të qarkut janë shuar.
'Vijon monitorimi i vazhdueshëm nga strukturat përgjegjëse, të cilat mbeten në gatishmëri për të reaguar në kohë në rast të ndonjë riaktivizimi', njoftoi prefektura.
Zjarri në Lukovë po përparon drejt fshatit Bregas në Finiq, pasditen e sotme ku në ndihmë kanë shkuar edhe banorët e zonës, të cilët 'po luftojnë' me flakët për të bërë të mundur shuarjen e tyre.
Në terren ndodhen edhe zjarrfikës të Bashkisë së Finiqit.
Në fshatin Dukat- Fushë në Vlorë, vijon zjarri që ka nisur që presj pasdites së sotme.
Ndërkohë, në ndihmë për të bërë të mundur shuarjen e flakëve ka shkuar edhe helikopteri.
Vazhdon të jetë aktiv zjarri në Lukovë, forca zjarrfikëse dhe forca të ushtrisë janë në gatishmëri.
Ndërkohë, një helikopter operon nga ajri për shuarjen e flakëve.
Aktualisht, nuk paraqitet rrezik për shtëpitë dhe zonat e banuara.
Një vatër e re zjarri është raportuar këtë të hënë në Dukat Fushë. Nga pamjet e siguruara nga vendgjarja, zjarri duket se ka djegur një sipërfaqe të madhe toke dhe vatra është ende aktive. Të favorizuara nga era e fortë dhe temperaturat e larta, flakët po përparojnë drejt disa banesave.
Teksa situata e zjarreve mbetet kritike, pamjet e reja të siguruara me dronin Bayraktar tregojnë pasojat e dëmeve, vatrat aktive, por edhe betejën e Agjencisë së Mbrojtjes Civile, Emergjencave dhe Zjarrfikësve me flakët në terren apo nga ajri.
Një ndër qarqet më të prekura nga zjarret është edhe Vlora, kryesisht aksi Sarandë-Konispol, por edhe zona e Dukatit, Sherishtës, Kaninës, Senicës, Sasajt, Markatit, Vergos etj.
Këto janë pamjet nga sipër të marra me dron nga vatrat e zjarreve dhe pasojat mbi zonat e Lukovës dhe Shën Vasilit në Sarandë.
Aksioni për shuarjen e vatrave të mbetura po vijon me intensitet të lartë nga grupet operacionale.
Zjarret në Dibër
Policia e Dibrës teksa mbështet me gatishmërinë e saj forcat e Emergjencave dhe të Armatosura për shuarjen e zjarreve dhe evakuimin e banorëve kur është e nevojshme, vijon paralelisht edhe hetimin për shkaqet e vatrave në qark.
Dy persona janë identifikuar dhe proceduar orët e fundit, njëri prej të cilëve i moshuar, që kanë ndezur zjarr në tokat e tyre, por janë bërë shkak për dëmtimin e hektarëve të tjera me pyje e bimësi.
Të akuzuarit janë A.D., 56 vjeç, banues në fshatin Zdojan, që ka ndezur zjarr në vendin e quajtur "Kuben" dhe si pasojë është djegur një sipërfaqe toke me shkurre dhe bimësi dhe në Bulqizë P.Gj, 70 vjeç, banues në fshatin Çerenec, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në fshatin Viçisht dhe si pasojë është djegur një sipërfaqe e konsiderueshme toke me bimësi.
Policia apelon ndaj qytetarëve që të jenë të kujdesshëm dhe të denoncojnë çdo rast.
Njoftimi i plotë i Policisë së Dibrës:
"Strukturat për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, kanë vijuar me intensitet veprimet hetimore për identifikimin dhe vënien para ligjit të autorëve të zjarrvënieve, të qëllimshme apo të shkaktuara nga pakujdesia.
Si rezultat, janë referuar materialet në Prokurori dhe ka nisur procedimi penal për 2 shtetas, të dyshuar si autorë të zjarrvënieve, konkretisht;
Në Dibër; Procedohet penalisht shtetasi A.D., 56 vjeç, banues në fshatin Zdojan, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në vendin e quajtur "Kuben", dhe si pasojë është djegur një sipërfaqe toke me shkurre dhe bimësi.
Në Bulqizë; Procedohet penalisht shtetasi P.Gj, 70 vjeç, banues në fshatin Çerenec, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në fshatin Viçisht dhe si pasojë është djegur një sipërfaqe e konsiderueshme toke me bimësi.
Policia e Dibrës apelon për të gjithë banorët, dhe ata që kanë në përdorim sipërfaqe kullosore, që në asnjë rast të mos ndezin zjarr, sepse do të përballen me forcën e ligjit. Ftojmë qytetarët të denoncojnë në numrin 112 çdo rast zjarrvënieje, duke ju garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm.
Policia e Shtetit është e vendosur të çojë para drejtësisë të gjithë ata që, me dashje apo nga pakujdesia, djegin pyje, kullota, prona private dhe rrezikojnë seriozisht jetën e qytetarëve, punonjësve të policisë, zjarrfikësve dhe të gjithë të angazhuarve në fikjen e zjarreve”.
Një zjarr vijon që prej pasdites së djeshme në fshatin Janjar, bashkia Konispol. Zjarri ka dalë jashtë kontrollit si pasojë e erës së fortë. Aktualisht në zonë janë forca zjarrfikëse nga Konispoli, ndërsa për ndihmë nga ajri është dërguar edhe një helikopter.
Në operacionin në Janjar kanë shkuar edhe 2 avionë nga Greqia.
Në zonën e Kalasë në Delvinë mesditën e sotme është riaktivizuar sërish vatra e zjarrit.
Flakët ndodhen afër zonës së banuar, ndërsa në terren nuk ka asnjë shërbim zjarrfikës.
Në këtë situatë banorët janë mobilizuar për fikjen e flakëve.
Këto janë pamjet e kapura me dronin ‘Bayraktar’ në zonën e Lukovës.
Siç shihet edhe nga videot vatra e zjarrit vijon të jetë ende aktive duke djegur sipërfaqe pyjore.
Ditët e fundit Zjarret duket se kanë ‘pushtuar’ Shqipërinë, por Emergjencat dhe Ministria e Mbrojtjes vijojnë punën e tyre për neutralizimin e flakëve.
Në qarkun e Dibrës raportohen aktualisht 4 vatra zjarri aktive.
Më problematikja mbetet ajo në Parkun Kombëtar Lurë, nga ana lindore ‘Gurë-Lurë’ dhe është afruar në distancë të konsiderueshme fshatit Sinë, të Njësisë Administrative Arras.
Vatra e dytë e zjarrit në Zall-Gjoçaj është problematike me zhvillime në dy vatra, njëra nga Mas-Deja dhe vatra tjetër nga Qafa-Tolla edhe në Bulqizë, që vazhdon të jetë aktive, sikurse vatra e zjarrit në ‘Majën e Lepurit’, ku ndodhen dhe antenat e kompanive celulare.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile bëri publik sot (28 korrik) bilancin e 24 orëve të fundit nga situata e zjarreve në Shqipëri.
Janë evidentuar 34 vatra zjarri nga të cilat 17 janë ende aktive, 6 janë nën monitorim dhe 11 janë shuar.
"Sipas IGJEO-s, sot priten reshje të dobëta deri lokalisht mesatare në qarkun e Shkodrës dhe të dobëta në shumicën e qarqeve të vendit. Sa u përket zjarreve, sot pritet nivel rrezik “I LARTË” në qarqet Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër, ndërsa në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër dhe Lezhë pritet nivel rrezik “I MODERUAR”", thuhet në njoftimin zyrtar për ecurinë në lidhje me rreziqet dhe parashikimin e motit.
Zonat më problematike nga zjarret mbeten qarqet Dibër, Korçë dhe Vlorë.
Njoftimi i plotë i Agjencisë së Mbrojtjes Civile:
"Vatrat aktive janë regjistruar në zonat e mëposhtme, ku puna në terren vijon pa ndërprerje për izolimin dhe kontrollin e flakëve:
- Në Parkun Kombëtar të Lurës, i zhvilluar në dy vatra të mëdha në drejtim të Fushës së Pelave, ku nuk rrezikon banesa, dhe në kahun lindor të Gurë-Lurës, ku ka pasur shtrirjen më të madhe, duke kaluar Fushën e Pllajës dhe mbi fshatin Sinë të njësisë administrative Arras. Në terren janë angazhuar mbi 54 forca të strukturave operacionale.
- Në fshatin Zall Gjoçaj, bashkia Mat, vijon puna për shuarjen e zjarrit me një shtrirje mbi 14 km, me zhvillime në tre kahe, nga Mas Deja ku përfshin sipërfaqe të konsiderueshme në pyje, në vendin e quajtur Qafa e Tollës , si dhe në vendin e quajtur Fushë Kuqe. Në terren u angazhuan 54 forca dhe sot pritet të shkojnë dhe 30 efektive të FA dhe 15 forca vendore.
- Në Qafë Buall, bashkia Bulqizë, vazhdon aktive vija e zjarrit nga Rruga e Arbrit me drejtim nga Maja e Lepurit. Operacioni me ndërhyrje nga ajri ka penguar konsiderueshëm zhvillimin e vatrës. Vazhdon aktive vatra në Malin e Allushit, në Plan të Bardhë, Bashkia Klos që paraqet vështirësi për vënien nën kontroll, megjithë dislokimin në terren afro 130 forcave nga të gjitha strukturat dhe Helikopterit të Forcës Ajrore.
- Në fshatin Kalas, bashkia Delvinë, ku si rezultat i erës së fortë, zjarri kaloi nga ana e Himarës dhe zbriti drejt një lagjeje të fshatit, por pa paraqitur rrezik për banesa, ndërsa u bë i mundur edhe evakuimi i banorëve. Në vendngjarje, u angazhuan rreth 75 forca nga strukturat operacionale. Gjithashtu në zonë operoi dhe një Helikopter i Forcës Ajrore.
- Në fshatin Markat, Bashkia Konispol zjarri u përhap ditën e djeshme drejt fshatit Shalës. Pas angazhimit të forcave të struktura operacionale dhe FA, sot vatra e zjarrit paraqitet e izoluar.
- Në fshatrat Piqeras dhe Sasaj, bashkia Himarë vatrat janë kthyer problematike gjatë orëve të natës, ku rrezikoheshin banesat dhe u bë i mundur evakuimi i banorëve. Në terren u angazhuan 9 mjete zjarrfikëse, një ambulancë, helikopterët e FA dhe avioni canadair italian i mundësuar nga Mekanizmi Europian i Mbrojtjes Civile, duke e neutralizuar situatën atje.
- Në fshatin Fang, njësia administrative Rubik, është e pamundur ndërhyrja për shkak të pjerrësisë së madhe të shpatit të malit, të veshur me dëllinja, që favorizojnë zjarrin. Në fshatin Kulme, njësia administrative Rrëshen, situata është më e qëndrueshme dhe po mbahet nën kontroll, pas angazhimit të afro 85 forcave nga strukturat operacionale. Situata paraqitet nën kontroll.
- Në fshatin Dishnicë, bashkia Korçë, vazhdon aktiv zjarri ndërmjet fshatrave Dishnicë dhe Barç në bimësi të ulët dhe pa rrezik për zonat e banuara.
- Në Parkun Kombëtar të Prespës, fshati Lajthizë, Bashkia Pustec, për fikjen e zjarrit që vijon me intensitet të ulët, janë angazhuar rreth 100 forca nga strukturat operacionale.
- Në fshatin Fushëbardhë dhe pranë tunelit të Skërficës, bashkia Gjirokastër, vatra ndodhet në lartësi të madhe dhe i paaksesueshëm nga forcat dhe mjetet. Pjesa me e madhe e rreth 60 forcave operacionale punuan për izolimin e zjarrit për të mos lejuar kalimin në zonën e mbrojtur në pyllin e Zhulatit.
- Në fshatin Dragobi, brenda Parkut Kombëtar të Alpeve të Shqipërisë, ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit të rënë në një sipërfaqe pyjore. Terreni është shkëmbor dhe me dru halorë, duke e bërë të pamundur ndërhyrjen nga toka.
- Në Malin e Shkëlzenit, Bashkia Tropojë, vatra e zjarrit ndodhet në një terren të vështirë, zonë kullotash duke bërë të pamundur ndërhyrja në këmbë.
- Në vendin e quajtur “Fusha e Staneve”, në Shëngjergj, Bashkia Tiranë, zjarri është përhapur në kullota dhe në sipërfaqe pyjore. Vijon puna me intensitet të shtuar për nga strukturat operacionale. Situata është nën kontroll dhe nuk paraqit rrezik për banesat.
- Në fshatin Ibë, bashkia Tiranë, aktualisht janë aktive 3 vatra zjarri, nën kontroll dhe me rrezik të ulët. Zjarri është shuar në rreth 90%, po punohet nga efektivët e MZSH Tiranë dhe forca pyjore. Helikopteri i Forcës Ajrore ka ndërhyrë në një sipërfaqe me shkurre të dendura. Situata është nën kontroll dhe nuk paraqit rrezik për banesat.
- Në fshatin Kuç, bashkia Vorë ka mbërritur zjarri i ardhur nga bashkia Shijak (fshati Shetel, Në krahun e bashkisë Shijak, ku janë angazhuar rreth 30 forca zjarri është shuar. Në krahun e bashkisë Vorë, zjarri vijon aktiv. Në vendngjarje janë 60 forca nga strukturat operacionale. Terreni është i vështirë, por rreziku nga banesat u evitua falë ndërhyrjes së helikopterit Cougar të Forcës Ajrore.
- Në Bjeshkën e Rahovicës, bashkia Malësi e Madhe, pranë kufirit me Malin e Zi, vijon të mbetet aktive vatra e zjarrit e rënë në një sipërfaqe me pyje. Terreni i thyer e bënë të vështirë ndërhyrjen, dhe zjarri ka marrë përmasa.
Janë nën monitorim vatrat si më poshtë: Livadhet e Peladhisë, bashka Bulqizë; Në vendin e quajtur Shashicë, bashkia Vlorë; Në vendin e quajtur pyjet e Gurakuqit, bashkia Librazhd; në zonën pas malit të Lisecit, bashkia Gramsh; Në fshatin Strelcë, bashkia Maliq; në fshatin Konisbaltë, bashkia Dimal.
Forcat e angazhuara në operacionet për shuarjen e zjarreve :
- 56 automjete zjarrfikëse
- 953 forca operacionale.
- 5 Helikopterë nga Forcat e Armatosura (operuan në disa zona) dhe 1 helikopter Canadair Italian, i ofruar nëpërmjet Mekanizimit të Mbrojtjes Civile Evropiane,
Sipas IGJEO-s, sot priten reshje të dobëta deri lokalisht mesatare në qarkun e Shkodrës dhe të dobëta në shumicën e qarqeve të vendit. Sa u përket zjarreve, sot pritet nivel rrezik “I LARTË” në qarqet Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër, ndërsa në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër dhe Lezhë pritet nivel rrezik “I MODERUAR”.
Autoritet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal, të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr dhe të raportojnë menjëherë pranë strukturave përkatëse për çdo vatër të dyshimtë".
Zjarret duket se kanë gjunjëzuar Shqipërinë ditët e fundit, por Emergjencat dhe Mnistria e Mbrojtjes nuk janë dorëzuar duke punuar me forca dhe mjete të shtuara në terren dhe nga ajri për shuarjen e tyre.
Numri i tyre aktualisht ka shkuar në rreth 1 mijë dhe në gatishmëri të plotë në të gjitha vatrat aktive dhe të rrezikshme. Janë edhe 56 mjete e 4 helikopterë dhe një avion Canadair italian.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ndau edhe informacionet e fundit nga aksionet, ku po operohet në 15 zona problematike.
Ai ndau edhe pamjet e operacionit të helikopterëve, të marra me dronin Bayraktar, teksa mbushin ujë për shuarjen e flakëve.
“Forcat e Armatosura, strukturat e AKMC dhe të emergjencave civile vendore vijojnë të jenë në terren dhe në operacione nga ajri për përballimin e vatrave aktive. Të angazhuar sot me 953 forca, 56 mjete zjarrfikëse, 4 helikopterë dhe në mbështetje një avion Canadair italian”.
Postimi i ministrit Vengu
Pjesa më e madhe e zjarreve dyshohet se vendosen në mënyrë të qëllimshme ose nga pakujdesia. Një rast i ngjashëm ka ndodhur edhe në Vaun e Dejës, ku Policia e Shkodrës ka arrestuar pas identifikimit një person të dyshuar.
I arrestuari është Lodovik Rrethej, 80 vjeç, banor i kësaj zone dhe sipas policisë dyshohet se e ka kryer herë pas here një veprim të ngjashëm kohët e fundit. Ai akuzohet se ndezi zjarr ditën e djeshme në varrezat e fshatit Barbullush dhe si pasojë e përhapjes së flakëve u dogj një sipërfaqe e konsiderueshme toke me shkurre. Nga flakët nuk u dëmtuan varrezat dhe vatra u shua në kohë, pa lejuar përhapjen.
Policia apeloi që qytetarët të jenë të kujdesshëm pasi ndëshkimet do jenë të rënda.
Njoftimi i Policisë së Shkodrës:
“Si rezultat i punës hetimore dhe i veprimeve të shpejta për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të autorëve të zjarrvënieve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vau i Dejës arrestuan në flagrancë shtetasin L. Rr., banues në fshatin Barbullush.
Ky shtetas dyshohet se ditën e djeshme ka ndezur zjarr në varrezat e fshatit Barbullush dhe si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe e konsiderueshme toke me shkurre. Nga flakët nuk janë dëmtuar varret.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër apelon për të gjithë qytetarët që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi do të përballen me ligjin.
Në bashkëpunim me komisariatet në varësi, vijon intensivisht puna për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të çdo autori të zjarrvënieve në territorin e qarkut të Shkodër.
Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 çdo rast të kësaj veprimtarie kriminale dhe të paligjshmërive në tërësi, duke iu garantuar anonimat, reagim të shpejtë dhe të paanshëm”.
Në Lukovë situata e zjarrit është vendosur nën kontroll.
Për neutralizimin e flakëve në ndihmë ka ardhur edhe helikopteri Ministrisë së Mbrojtjes.
Zjarri vijon edhe në malin e Skërficës. Në orën 05:00, trupa e shërbimit zjarrfikës të Gjirokastrës, së bashku me forcat mbështetëse të bashkisë, u nisën në drejtim të malit të Skërficës për izolimin e zjarrit që po vjen nga Delvina. Ne teren janë angazhuar: 6 punonjës të MZSH, 15 punonjës të shërbimeve publike.
Sa i përket zjarreve të ditës së djeshme në vargmalin Fushë-Bardhë-Zhùlat, zjarri është shuar plotësisht. Në fshatin Zhulat ka disa trungje masive që vazhdojnë të digjen, por pa rrezikshmëri.
Ato po monitorohen nga shërbimi zjarrfikës për të parandaluar çdo riaktivizim të mundshëm.
Vatra e zjarrit në Parkun Kombëtar të Prespës është ende aktive. Perfekti Nertil Jole bën me dije se 150 forca po punojnë për shuarjen e flakëve, ndërsa thotë se janë favorizuar edhe nga ulja e temperaturave. Deri më tani llogaritet rreth 7 ha sipërfaqe me bimësi që është djegur nga flakët.
“Që para dy ditësh kemi marrë njoftim nga stacioni i pikës kufitare Goricë për një vatër zjarri të shfaqur këtu në Parkun kombëtar të Prespës, edhe falë një reagimi shumë të shpejtë të strukturave vendore të stafit të Agjencisë Rajonale të Zonave të Mbrojtura, u bë e mundur që të ketë një mobilizim me reagueshmëri të lartë edhe të shpejtë. Në mënyrë që të ndikonin pozitivisht që në momentet e para, edhe sot është dita e dytë që organizohet aksionin që në orën pesë të mëngjesit. Në total janë angazhuar rreth 150 forca, edhe unë dua të përfitoj nga rasti një fakt të falenderoj gjithë ekipet e angazhuara në këtë drejtim, jo vetëm këtu në rastin e pushtetit, por në të katër rastet që është prekur qarku jonë ditët e fundit, ku në totalin e tyre janë angazhuar rreth një mijë forca. Edhe afërsisht 100 mjete, kjo ka bërë të mundur që sot të kemi aktivi në qark vetëm vatrën në parkun kombëtar të Prespës. Por që besoj që falë organizimit të sotëm, edhe në një farë mënyre, edhe favorizimi që kemi patur nga ulja e temperaturave, të kemi mundësinë që ta neutralizojmë sa më herët, edhe të evitojmë riskun e përshkrimit të sipërfaqeve të tjera të gjelbra në Parkun Kombëtar të Prespës. Ka një përshkruarje diku tek 7 ha të bimësisë të prekur. Besojmë që puna e sotme dhe nesër të bëjë të mundur që edhe kjo vatër të neutralizohet”, thotë Jole.
Situata aktuale në territorin e Qarkut Korçë paraqitet e stabilizuar. Të gjitha vatrat e zjarrit janë neutralizuar dhe nuk paraqitet rrezik për përhapje të mëtejshme. Ndërhyrjet dhe monitorimi në terren vijojnë për garantimin e sigurisë dhe parandalimin e çdo riaktivizimi të mundshëm.
1. Fshati Strelcë, Njësia Administrative Gorë, Bashkia Maliq:
Zjarri është shuar plotësisht dhe vatra është neutralizuar. Vijon monitorimi nga forcat vendore në terren.
2. Zona midis fshatrave Dishnicë dhe Barç, Nj.A. Bulgarec, Bashkia Korçë:
Zjarri është neutralizuar dhe situata paraqitet e qëndrueshme. Sektori i shërbimit pyjor vijon monitorimin.
3. Fshati Lajthizë, Bashkia Pustec – rruga Zvezdë–Goricë:
Zjarri në zonën e sipërme të fshatit është nën kontroll. Vatrat janë momentalisht të neutralizuara. Prezenca e tymit gjendet brenda sipërfaqes së djegur dhe nuk paraqet rrezik për përhapje.
Angazhimet e datës 27.07.2025 në Bashkinë Pustec ("Parku Kombëtar Prespa"):
Në terren kanë qenë të angazhuara gjithsej 64 forca.
Planifikimi i ndërhyrjes për datën 28.07.2025, ora 05:00:
Për neutralizimin përfundimtar të vatrave në Lajthizë janë angazhuar:
13 forca nga ADZM
13 forca nga MZSH
25 forca ushtarake nga reparti nr. 1033
Total: 51 forca
Komente
