Kronikë

Zjarret në vend/ Situata në Finiq drejt normalizimit, vijon 'lufta' në Patos, vatër dhe në Mirditë! Fusha e mbetjeve në Vlorë sërish në flakë, asfiksohet punonjësi

7 Gusht, 07:32| Përditesimi: 7 Gusht, 20:11

  • Share

Situata e zjarrit në Finiq është drejt normalizimit. Kështu bëri me dije sot Ministria e Mbrojtjes teksa informoi se gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 21 vatra zjarri, nga të cilat 18 janë shuar dhe 3 janë ende aktive.

Së fundmi në flakë ka shpërthyer orët e pasdites së sotme edhe fusha e mbetjeve në Vlorë, për të disatën herë. Re tymi dhe shtëllunga flakësh masive janë parë në vendin ku grumbullohen mbetjet, teksa shkaqet mbeten të panjohura.

Në terren forca të shumta zjarrfikëse, policie, nga Emergjencat dhe Bashkia, përfshi edhe kryebashkiakun Ermal Dredha, koordinon aksionin, duke kërkuar edhe mbështetje në telefon. Forca policie i qëndrojnë zonës së zjarrit afër për të ndihmuar zjarrfikësit, por edhe për një evakuim të mundshëm të banorëve.

Një punonjës është asfiksuar gjatë aksionit, teksa përpiqej të largonte mjetin që po digjej. Pas më shumë se te orësh pune intensive, përfshi eskavatorë dhe traktorë, u lokalizua vatra e zjarrit dhe u vu nën kontroll, teksa u hodh edhe dhé mbi flakë, për t'i shuar.

Edhe zjarri në zonën e Poliçanit në Berat vijon të jetë aktiv në zonën e pyllit, larg Kombinatit të Armëve. Raportohet në terren ndodhen 7 automjete zjarrfikëse, 40 efektivë të MZSH nga Poliçani, Berati dhe Skrapari, 20 forca bashkiake si dhe 1 automjet zjarrfikës me ekipin nga FA, të cilët kanë rinisur punën për shuarjen e flakëve që në orët e para të mëngjesit të sotëm. Burime bëjnë me dije se zjarri në zonën pranë uzinës është shuar, ndërsa po punohet për të fikur plotësisht pjesën e mbetur të pyllit me shkurre.

Ndërkohë, policia e ka identifikuar autorin e zjarrvënies në territorin e Uzinës së Armëve në Poliçan. Ai është një 63-vjeçar, banor i zonës, person me probleme të shëndetit mendor.

Duhet theksuar se terreni është tepër i vështirë dhe gjithçka realizohet me mjete rrethanore, pompa shpine dhe punë me krah. Zjarri që ra mesditën e djeshme ishte brenda territorit të uzinës së armëve, një zonë e cila është rreptësisht e ndaluar dhe ku nuk lejohen civilë apo media pa autorizimin përkatës.

Sipas drejtuesve të uzinës, mësohet se hidrantët e uzinës nuk funksiononin dhe nuk kishin ujë. Mjetet zjarrfikëse furnizoheshin me ujë duke shkuar në qytet, gjë që e vështirësoi ndjeshëm punën për shuarjen në kohë të zjarrit.

Disa fshatra të bashkisë Finiq u rrezikuan seriozisht nga një zjarr i fuqishëm, ku ndërhyrja intensive nga forcat zjarrfikëse dhe efektivët e Forcave të Armatosura ka qenë vendimtare për të frenuar përhapjen e flakëve drejt zonave të banuara. 

Për shkak të përkeqësimit të situatës, mbrëmjen e djeshme u mor vendimi për evakuimin e banorëve të fshatit Dhivër si një masë sigurie, ndërsa sot Mbrojtja njoftoi se banorët do të rikthehen në shtëpitë e tyre gjatë orëve në vijim. Fatmirësisht, deri më tani nuk raportohen dëme në njerëz.

"Pas ndërhyrjes nga ajri me helikopterin e Forca Ajrore dhe punës së pandërprerë dhe heroike nga toka, ku morën pjesë 28 efektivë me 8 automjete zjarrfikëse nga MZSH-të e bashkive Finiq, Sarandë, Delvinë, Konispol, Gjirokastër dhe Dropull, 30 trupa të Forcave të Armatosura të Shqipërisëdhe 3 zjarrfikëse, të ndihmuar nga 5 forca të pyjores dhe 40 forca vullnetare, zjarret janë vënë nën kontroll! Aktualisht po vijon puna nga toka për të shuar çdo vatër që mund të riaktivizohet gjatë orëve në vijim në fshatrat Dhivër, Shëndre dhe Cerkovicë, ku dalëngadalë banorët po kthehen në shtëpitë e tyre", thuhet në njoftimin e MM.

Banorët e Dhivrit, Kularat, Cerkovicë, Shën Ndre dhe Janicat shprehen se kanë pësuar dëme të konsiderueshme në ullinj dhe pemë. Në fshatin Cerkovicë janë djegur dy shtëpi të pabanuara, ndërsa edhe në Shën Ndre janë djegur dy shtëpi të tjera të pabanuara. Zjarri ka prekur gjithashtu oborret dhe bahçet e dhjetëra shtëpive në këto zona.

Banorët vlerësojnë se puna e zjarrfikësve ka qenë e mrekullueshme dhe vendimtare, ndërsa ndërhyrja e helikopterit është cilësuar si efikase në kontrollimin e situatës.

Në Qarkun Fier, flakë me përmasa të mëdha po përhapen me shpejtësi në pyllin me pisha, midis fshatrave Gjinoqare, Drenie dhe Lofkënd. Në vendngjarje ndodhen forcat ushtarake të repartit të Poshnjes, si dhe zjarrfikësit e Mallakastrës dhe Patosit. Për shkak të terrenit të vështirë, forcat zjarrfikëse nga qyteti, si dhe Mallakastra, po operojnë për shuarjen e flakëve me aparatura shpine. Shefi i zjarrfikësëve në Patos, Alket Halimi thotë për Report Tv se flakët janë përhapur edhe për shkak të bimësisë së dendur.

Përhapja e flakëve shoqërohet me shpërthime të befta, për shkak të qilimit halor shumëvjeçar. Shkurret e dendura dhe terreni i thyer po e vështirësojnë ndjeshëm ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse. Deri tani, raportohet se janë djegur rreth 5 hektarë pyll dhe shkurre, që nga pasditja e djeshme.

Për shkak të përkeqësimit të situatës, gjatë mbrëmjes u mor vendimi për evakuimin e banorëve nga fshati Dhivër, si masë sigurie. Fatmirësisht, deri më tani nuk raportohen dëme në njerëz. I pranishëm pasditen e sotme duke ndjekur aksionin nga ajri dhe toka ishte edhe ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, që ka kërkuar prioritet për jetën e qytetarëve dhe mjedisit. Të paktën 10 mjete dhe dhjetëra forca janë në operacion. Ndihma kryesore ka ardhur nga ajri me helikopterë.

Ndërkohë, pasditen e kësaj të enjteje, zjarri ka përfshirë edhe fushën e mbetjeve në Vlorë, duke krijuar shtëllunga të mëdha tymi, një rast ky i përsëritur gjatë sezonit turistik.

Një vatër zjarri u shfaq mbrëmjen e sotme edhe në fshatin Vjollcë (Malaj) të Mirditës. për shkak të erës flakët përparuan në pyllim me pisha, duke djegur sipërfaqe të tëra, teksa ndërhyrja mbetet e vështirë për shkak të terrenit të thepisur.

(lajmi ne perditesim...)

Ora 20:05
Vatër e madhe zjarri edhe në Mirditë, flakët përfshijnë pyllin me pisha! Terreni vështirëson ndërhyrjen e forcave (VIDEO)

Një vatër zjarri ka rënë pasditen e së enjtes (7 gusht) në fshatin Vjollcë (Malaj) të Mirditës.

Menjëherë pas njoftimit, forcat zjarrfikëse janë nisur drejt zonës, por për shkak të erës së fortë dhe terrenit të thepisur, flakët janë përhapur me shpejtësi dhe kanë përfshirë një sipërfaqe të madhe pylli me pisha.

Report Tv ka siguruar edhe pamjet e flakëve, teksa gazetari Elvis Hila informon se pavarësisht përpjekjeve të pandërprera, zjarrfikësit nuk kanë mundur të izolojnë zjarrin, i cili ka avancuar në një zonë të vështirë malore.

Forcat janë ende në vendngjarje dhe ndërhyrja po vijon me mjete të kufizuara, për shkak të aksesit të vështirë në zonë dhe do të duhet një ndërhyrje më e specializuar nga ajri.

Ora 19:55
Zjarri në pyllin mes Patosit dhe Mallakastrës dyshohet i qëllimshëm! Vijon lufta me flakët, VIDEO e operacionit

Prej ditës së djeshme, një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme pylli me pisha, që shtrihet mes zonave të Lofkëndit dhe Drenies, në kufirin administrativ të bashkive Patos dhe Mallakastër.

Në terren ndodhen prej orëve të para të zjarrit forcat e Emergjencave Civile, shërbimet zjarrfikëse të dy bashkive, si dhe punonjës të tjerë të angazhuar në përpjekje për të vënë nën kontroll flakët. Situata mbetet serioze, por ndërhyrja nga ajri me një helikopter ka dhënë ndihmë të konsiderueshme në izolimin e vatrave aktive.

Autoritetet theksojnë se po bëhet maksimumi për të mos lejuar përhapjen e mëtejshme të flakëve, me qëllim ruajtjen e kësaj pasurie natyrore me rëndësi për ekosistemin lokal.

Ndërkohë, nuk përjashtohet mundësia që zjarri të jetë i qëllimshëm. Policia ka nisur hetimet dhe rikujton se zjarrvënia e qëllimshme dënohet sipas parashikimeve të Kodit Penal.

Ora 19:31
Zjarri në Patos, ministri Vengu ndjek operacionin nga toka dhe ajri për shuarjen e flakëve: Prioritet jeta e qytetarëve dhe e mjedisit! (VIDEO)

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ndjek nga afër çdo ditë operacionet e shuarjes së flakëve në vatrat më kritike.

Ai ishte sot edhe në fshatrat Lofkënd dhe Drenie, ku vijon ndërhyrja nga toka dhe ajri për izolimin dhe shuarjen e flakëve që kanë përfshirë një sipërfaqe me pisha dhe bimësi të dendur, në zonën midis Bashkisë Mallakastër dhe Bashkisë së Patosit, që prej ditës së djeshme.

Në terren janë angazhuar trupat e Forcave të Armatosura, në bashkëpunim të ngushtë me strukturat e emergjencave civile të qarkut Fier dhe shërbimet zjarrfikëse nga disa bashki dhe institucione.

Vengu u njoh me punën e grupeve operacionale dhe diskutoi me ta problematikat, masat e marra dhe mbështetja që duhej për të vënën nën kontroll dhe shuar sa më parë të gjitha vatrat.

Në aksion janë edhe 10 mjete zjarrfikëse nga rrethe të ndryshme, përfshi dy të kompanisë Albpetrol.

Në operacion po marrin pjesë:
-2 automjete zjarrfikëse të FA-së
-3 zjarrfikëse nga bashkia Patos
-1 zjarrfikëse nga bashkia Mallakastër
-1 zjarrfikëse nga bashkia Lushnjë
-1 zjarrfikëse nga bashkia Fier
-2 mjete të kompanisë Albpetrol sha
-1 mjet zjarrfikës nga Roskoveci

“Ministri Vengu vlerësoi profesionalizmin dhe përkushtimin e të gjithë forcave të angazhuara, duke theksuar se mbrojtja e jetës së qytetarëve dhe e mjedisit është prioritet absolut”, njoftoi MM.

Puna për neutralizimin e plotë të flakëve vijon me intensitet dhe koordinim të plotë ndërinstitucional.

Ora 18:52
Normalizohet situata te fusha e mbetjeve në Vlorë, zjarri drejt shuarjes! Hidhet dhé me eskavatorë dhe traktorë (VIDEO)

Shkon drejt normalizimit zjarri te fusha e mbetjeve në Vlorë.

Pas angazhimit të dhjetëra forcave në terren dhe mjeteve të Emergjencave, përfshi disa eskavatorë dhe traktorë për mbulimin me dhé të zjarrit, është arritur të lokalizohet dhe vihet nën kontroll vatra më e madhe.

Intensiteti i flakëve ka rënë ndjeshëm dhe puna po vijon ende.

Ora 18:07
REPORT Tv siguron pamjet kur shpërthen zjarri te fusha e mbetjeve në Vlorë! Fillimisht iu vu flaka eskavatorit, akt i qëllimshëm, hetime për autorët (VIDEO)

Zbulohet momenti kur merr flakë fusha e mbetjeve në Vlorë.

Report Tv siguron pamjet filmike, ku dallohet qartë vatra e zjarrit që nis fillimisht nga eskavatori (skrepi) që punonte të fusha e mbetjeve dhe më pas përhapen flakët edhe të ndihmuara nga era në të gjithë fushën e mbeturinave.

Zjarri dyshohet që të jetë i qëllimshëm dhe Policia ka administruar pamjet filmike për të clerësuar dhe ekspertuar personin apo personat që e kanë vendosur zjarrin fillimisht tek mjeti i rëndë. Kjo është e disata herë që fushës së mbetjeve i vihet zjarri qëllimisht për këtë vit.

Ora 16:43
Devoll/ Zjarri djeg sipërfaqe me tokë dhe plevicën në Cangonj, hetime për shkaqet!

1754577799_zjarrnedevoll.jpg

Devoll- Një zjarr ka përfshirë një pjesë toke në fshatin Cangonj të Devollit.

Sipas informacioneve, mësohet se zjarri ka rënë në barishte, ndërsa në afërsi ka qenë një plevicë (magazinë, kasolle për ushqimin e kafshëve), e cila u dogj totalisht.

Në vendngjarje aktualisht janë 3 mjete zjarrfikëse dhe 9 efektivë, së bashku me banorë të fshatit, të cilët po ndërhyjnë për shuarjen e flakëve.

Gazetari i report Tv, Armand Braho, ka sjellë pamje nga zjarri dhe informon se momentalisht vatra është izoluar dhe po punohet për fikjen totale.

Në vendngjarje ndodhet edhe policia, e cila do të kryejë hetimet lidhur me shkaqet e rënies së zjarrit.

Ora 16:11
Vijon djegia masive e fushës së mbetjeve në Vlorë, asfiksohet një punonjës! Edhe kryebashkiaku Dredha në terren (VIDEO)

1754572538_vlore.jpg

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë pasditen e sotme fushën e mbetjeve urbane të qytetit të Vlorës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:00, kur një re e dendur tymi është vërejtur të ngrihet mbi zonën e mbetjeve, duke alarmuar banorët dhe autoritetet.

Flakët, të ndihmuara nga era e fortë që frynte në drejtim të veriut dhe verilindjes, janë përhapur me shpejtësi në sipërfaqen e mbetjeve, duke vënë në rrezik edhe mjete që ndodheshin pranë vatrës së zjarrit.

Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta të zjarrfikëses, si dhe punonjës të Bashkisë së Vlorës, të cilët kanë punuar për më shumë se dy orë për neutralizimin e flakëve.

I pranishëm në terren ishte edhe kryebashkiaku i Vlorës, Ermal Dredha, i cili koordinonte aksionin për shuarjen e flakëve.

Gjatë përpjekjeve për shuarjen e zjarrit, një fadromë që shërbente për mbulimin me dhe të mbetjeve është përfshirë nga flakët.

Një punonjës që tentoi të largonte mjetin nga vatra e zjarrit është asfiksuar dhe është transportuar në Spitalin Rajonal të Vlorës.

Ndërkohë, policia ka nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të zjarrit. Janë marrë në pyetje disa banorë të zonës, si dhe persona të tjerë që kanë frekuentuar zonën, ndërsa po kqyren kamerat e sigurisë të bizneseve pranë fushës së mbetjeve.

Pas rreth dy orësh përpjekjesh intensive, zjarri është vënë nën kontroll. Autoritetet mbeten në gatishmëri për të shmangur rindezjen e mundshme të flakëve.

Ora 15:13
Vlorë/ Fusha e mbetjeve përsëri në flakë, zjarr masiv dhe re tymi, të panjohura shkaqet! Digjet edhe eskavatori (VIDEO)

Vlorë- Fusha e mbetjeve në Vlorë përfshihet përsëri nga flakët.

Re tymi dhe flakë janë parë në zonën ku ndodhet fusha e mbetjeve, e cila edhe si më parë, ka shpërthyer në vatër zjarri masive.

Flakët kanë pasur një vatër aq të gjerë në sipërfaqe, saqë kanë përfshirë dhe djegur gjithashtu një nga eskavatorët (skrep) që punonte në fushën e mbetjeve. Report TV, nëpërmjet gazetarit Armand Xhelili, ka siguruar edhe pamjet e zjarrit masiv në fushën e mbetjeve, që po djeg gjithçka.

Shtëllungat e tymit të zi, të favorizuara edhe nga era, janë shpërndarë në të gjithë hapësirën ajrore dhe i janë drejtuar zonave të banuara të qytetit.

Nuk dihen shkaqet e zjarrit, teksa autoritetet janë vënë në lëvizje pas sinjalizimit për shuarjen e flakëve. Hera e fundit që kjo zonë u përfshi nga flakët ishte në muajin qershor (tre herë brenda atij muaji), situatë që shqetësoi edhe qeverinë në nisje të sezonit turistik, teksa zjarri u dyshua se ishte i qëllimshëm.

 

Ora 15:13
Zjarri në Patos, shefi i zjarrfikësve flet për Report Tv: Flakët me përmasa të jashtëzakonshme, duhet urgjentisht ndërhyrje nga ajri! Po na rrezikohet jeta

Shefi i zjarrfikësve në Patos, Alket Halimi, kërkon ndërhyrje të menjëhershme nga ajri për të vënë nën kontroll zjarret në kurorën e pishave në këtë qytet.

Në një prononcim për Report Tv, Halimi e përshkroi situatën si tejet të vështirë.

Sipas tij, zjarri ka marrë përmasa të mëdha dhe flakët arrijnë deri në lartësinë 50 metra. Për këtë arsye, kërkohet ndërhyrja nga ajri.

Ai theksoi gjithashtu se flakët e mëdha po rrezikojnë jetën e zjarrfikësve nga toka, teksa theksoi se banesat për momentin nuk janë të rrezikuara.

“Zjarri ka marrë përmasa të jashtëzakonshme. Zjarri ndihmohet nga era e fortë. Do jetë e vështirë të vendosen flakët nën kontroll. Kërkohet ndërhyrje e menjëhershme nga ajri. Lartësia e flakëve arrin në rreth 50 metra. Kanë ardhur forca dhe mjete të jashtëzakonshme, por është e pamundur. Flakët arrijnë lartësi shumë të madhe dhe është e pamundur të ndërhysh. Për momentin zjarri është në pisha, zjarrfikëset janë pozicionuar në afërsi të banesave për të bërë ndarjen e zjarrit. Terreni është shumë i thyer dhe era është e fortë. Rrezikohet seriozisht jeta e zjarrfikësve. Për momentin nuk rrezikohet asnjë banesë”, theksoi shefi i zjarrfikësve të Patosit.

 

 

Ora 12:54
Vijon zjarri në Dhivër të Finiqit, banori i fshatit: Djemtë po punojnë me shpirt për shuarjen e flakëve

 

Vijon të mbetet kritike situata me zjarret që kanë përfshirë fshatin Dhivër në Bashkinë Finiq. Banorët e zonës u janë mirënjohës forcave zjarrfikëse dhe jo vetëm, që po punojnë me vetëmohim për shuarjen e flakëve masive, që po zgjerohen për shkak të temperaturave të larta dhe erës së fortë.

“Nëpër ullinj, nëpër fruta. Në shtëpi nuk ka tani për tani. Të shohim se çdo bëhet. Kanë punuar me shpirt, kanë punuar djemtë, janë futur në zjarr, edhe ditën edhe natën”,- thotë një qytetar.

Ora 11:59
Zjarret/ Ministria e Mbrojtjes: Gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 21 vatra, 3 ende aktive

Ministria e Mbrojtjes njofton se gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 21 vatra zjarri, nga të cilat 18 janë shuar dhe 3 janë ende aktive.

Vatrat aktive:

Qarku Vlorë - Malet mbi fshatin Dhivër, bashkia Finiq. Zjarri vijon të përhapet mbi zonat Cerkovicë, Llupsat dhe Shëndre, në një sipërfaqe pyjore me pisha dhe bimësi të ulët.

Në terren për izolimin e plotë janë angazhuar: 34 efektivë me 10 automjete zjarrfikëse nga MZSH-të e Finiqit, Sarandës, Delvinës, Konispolit, Gjirokastrës, Himarës dhe Dropullit, 30 forca vullnetare, forca bashkiake, të pyjores si dhe  30 efektivë të FA me mbështetje ajrore po nga Forcat e Armatosura.

Qarku Berat – Zona e ish-Uzinës Mekanike Poliçan, ku në terren ndodhen 7 automjete zjarrfikëse, 40 efektivë të MZSH nga Poliçani, Berati dhe Skrapari, 20 forca bashkiake si dhe 1 automjet zjarrfikës me ekipin nga FA. Forcat po punojnë për izolimin e plotë të zjarrit me kujdes të shtuar për shkak të zonës.

Qarku Fier – Fshati Lofkënd, bashkia Mallakastër:

Zjarri ka përfshirë një sipërfaqe me pisha, me përhapje për shkak të erës. Forcat në terren po punojnë për izolimin e tij.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan: 41 automjete zjarrfikëse dhe 314 forca operacionale, të ndihmuar nga Forcat e Armatosura me 30 efektivë, 3 automjet zjarrfikëse me ekuipazh dhe mbështetje nga ajri.

Ora 10:10
Policia zbulon shkakun e zjarrit në Uzinën e Armëve në Poliçan: E ndezi 63-vjeçari me probleme të shëndetit mendor

1754554192_polican.jpg

Policia e Beratit ka zbardhur shkakun e zjarrit që ra në territorin e Uzinës së Armëve në Poliçan. Nga hetimet ka rezultuar se zjarri u ndez nga një banor i Poliçanit, 63-vjeçari me iniciale M.S., i cili vuan nga probleme të shëndetit mendor.

Nga zjarri që ra në Kombinatin e Poliçanit, flakët u përhapën me shpejtësi dhe kanë djegur një sipërfaqe pyjore.

Njoftimi i Policisë Berat:

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Poliçan referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin M. S., 63 vjeç, banues në Poliçan, me probleme të shëndetit mendor, pasi dyshohet se në territorin e Kombinatit Mekanik në Poliçan ka ndezur zjarr dhe si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe pyjore.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Beratit, për veprime të mëtejshme.

Ora 09:13
Finiq/ Zjarr në fshatrat Dhivër dhe Shën Ndre, evakuohen banorët, ndërhyrje intensive gjatë natës (VIDEO)

Është dashur një ndërhyrje intensive gjatë gjithë natës nga forcat zjarrfikëse dhe efektivët e Forcave të Armatosura për të përballuar flakët që rrezikuan fshatrat Dhivër dhe Shën Ndre në Bashkinë Finiq. Qëllimi kryesor i operacionit ishte parandalimi i përhapjes së zjarrit në zonat e banuara.

Për shkak të përkeqësimit të situatës, gjatë mbrëmjes u mor vendimi për evakuimin e banorëve nga fshati Dhivër, si masë sigurie. Fatmirësisht, deri më tani nuk raportohen dëme në njerëz.

Aktualisht, intensiteti i flakëve ka rënë ndjeshëm, ndërsa në orët e para të mëngjesit ka mbërritur sërish një helikopter për të ndihmuar në operacionet ajrore të shuarjes së zjarrit.

 

 

K.M/A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Tani: 07/08/2025 15:43

    Turp turp per djegjen e plehereva ne vlore i helmuan njerzit

    Përgjigju
    • Nuk kuptoj: 07/08/2025 18:55

      Ore ore po digjini mbas sezonit turistik sic keni ber perher. Nuk e di pse nuk duan ta bejne kete komb!? E bukura eshte se vete ja vejne flaken edhe vete thojne do i denojme fajtoret. Keni par ndonjeri te denohet per zjarrvenie apo sic thojne (piroman-et) asnje denime qesharake.nuk duan ta bejne kete komb

  • Sondazhi i ditës:

    A po i liron hapësirat publike aksioni i qeverisë?