Kronikë

Zjarret/ Kritike situata në Patos, terreni i vështirë pengon zjarrfikësit! Vatra aktive edhe në Poliçan, por në pyll dhe larg Uzinës. U ndez nga 63-vjeçari me probleme të shëndetit mendor

7 Gusht, 07:32| Përditesimi: 7 Gusht, 10:21

  • Share

Zjarri në zonën e Poliçanit në Berat vijon të jetë aktiv në zonën e pyllit, larg Kombinatit të Armëve. Mësohet se reparti i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit i Bashkisë Poliçan dhe në bashkëpunim me forca të ushtrisë kanë rinisur punën për shuarjen e flakëve që në orët e para të mëngjesit të sotëm. Burime bëjnë me dije se zjarri në zonën pranë uzinës është shuar, ndërsa po punohet për të fikur plotësisht pjesën e mbetur të pyllit me shkurre.

Ndërkohë, policia e ka identifikuar autorin e zjarrvënies në territorin e Uzinës së Armëve në Poliçan. Ai është një 63-vjeçar, banor i zonës, person me probleme të shëndetit mendor.

Duhet theksuar se terreni është tepër i vështirë dhe gjithçka realizohet me mjete rrethanore, pompa shpine dhe punë me krah. Zjarri që ra mesditën e djeshme ishte brenda territorit të uzinës së armëve, një zonë e cila është rreptësisht e ndaluar dhe ku nuk lejohen civilë apo media pa autorizimin përkatës.

Sipas drejtuesve të uzinës, mësohet se hidrantët e uzinës nuk funksiononin dhe nuk kishin ujë. Mjetet zjarrfikëse furnizoheshin me ujë duke shkuar në qytet, gjë që e vështirësoi ndjeshëm punën për shuarjen në kohë të zjarrit.

Po ashtu, kritike mbetet situata në Gjinoqarë të Bashkisë Patos, ku për shkak të terrenit të vështirë, forcat zjarrfikëse nga qyteti, si dhe Mallakastra, po operojnë për shuarjen e flakëve me aparatura shpine.

Shefi i zjarrfikësëve në Patos, Alket Halimi thotë për Report Tv se flakët janë përhapur edhe për shkak të bimësisë së dendur.

lajm në përditësim...

Ora 10:10
Policia zbulon shkakun e zjarrit në Uzinën e Armëve në Poliçan: E ndezi 63-vjeçari me probleme të shëndetit mendor

Policia e Beratit ka zbardhur shkakun e zjarrit që ra në territorin e Uzinës së Armëve në Poliçan. Nga hetimet ka rezultuar se zjarri u ndez nga një banor i Poliçanit, 63-vjeçari me iniciale M.S., i cili vuan nga probleme të shëndetit mendor.

Nga zjarri që ra në Kombinatin e Poliçanit, flakët u përhapën me shpejtësi dhe kanë djegur një sipërfaqe pyjore.

Njoftimi i Policisë Berat:

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Poliçan referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin M. S., 63 vjeç, banues në Poliçan, me probleme të shëndetit mendor, pasi dyshohet se në territorin e Kombinatit Mekanik në Poliçan ka ndezur zjarr dhe si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe pyjore.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Beratit, për veprime të mëtejshme.

Ora 09:13
Zjarr në fshatrat Dhivër dhe Shën Ndre, evakuohen banorët, ndërhyrje intensive gjatë natës (VIDEO)

Është dashur një ndërhyrje intensive gjatë gjithë natës nga forcat zjarrfikëse dhe efektivët e Forcave të Armatosura për të përballuar flakët që rrezikuan fshatrat Dhivër dhe Shën Ndre. Qëllimi kryesor i operacionit ishte parandalimi i përhapjes së zjarrit në zonat e banuara.

Për shkak të përkeqësimit të situatës, gjatë mbrëmjes u mor vendimi për evakuimin e banorëve nga fshati Dhivër, si masë sigurie. Fatmirësisht, deri më tani nuk raportohen dëme në njerëz.

Aktualisht, intensiteti i flakëve ka rënë ndjeshëm, ndërsa në orët e para të mëngjesit ka mbërritur sërish një helikopter për të ndihmuar në operacionet ajrore të shuarjes së zjarrit.

K.M/V.GJ /ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A po i liron hapësirat publike aksioni i qeverisë?