Politikë

Ish-shtëpia e Enver Hoxhës hap dyert si qendër kulturore, Rama nderon me Yllin e Madh të Mirënjohjes drejtuesin e fondacionit ‘Art Explora’: Dikur vend makbethian

9 Prill, 16:08| Përditesimi: 9 Prill, 17:05

  • Share

Ditën e sotme ka hapur dyert ‘Art Explora’ ose e njohur ndryshe si vila 31 e ish-diktatorit Enver Hoxha. Prej më shumë se 1 viti, fondacioni francez Art Explora është kujdesur për të rehabilituar dhe për të marrë në menaxhim vilën e njohur dhe për ta kthyer në një qendër vizitorësh.

Ideatori për kthimin e vilës 31 në një qendër kulturore është Frederik Jousset, këtë e theksoi dhe kryeministri Edi Rama në fjalën e tij, ku veçoi se për këtë ide ai kishte vendosur që t’i jepte sot, në këtë përurim, Yllin e Lartë të Mirënjohjes. Sipas Ramës, ky është një kontribut i veçantë dhe jo thjesht një lavdërim për faktin e gjithë simbolikës që mban ky vend.

"Nuk besoj që imagjinata e artistëve këtu mund të arrijë deri në atë pikë sa të përfytyrojnë anglezët të hapin një të këtillë në Shqipëri apo gjetkë në një vend tjetër që nuk është koloni e tyre. Nga ana tjetër, unë duhet të respektoj dhe nderoj Frederikun, që edhe sot me shumë njerëz të tjerë jo vetëm flet në frëngjisht, por duke i kushtuar një fjalim të gjatë. Një fjalim të gjatë sepse, falë imagjinatës së ambasadorit tim Dritan Tola, për të falënderuar Frederikun me yllin e lartë të mirënjohjes publike, u bë ideja ta bënim diku jashtë. Nuk e kam bërë më parë këtë dhe nuk besoj se një president francez e ka dhënë Legjionin e Nderit në kopshtin Le Tuileries. Kjo tregon se jemi një vend demokratik. Ndonjëherë ambasadorët na japin urdhra prapa kurrizit, megjithatë Frederik, e fillova duke pyetur ChatGPT për ty dhe ja çfarë mora: Babai juaj, profesor financash në shkollat e shquara, president i shkollës së muzikës. Edhe ajo mendja e hijshme dhe e bukur që është mamaja juaj Arielle, kryekonservatore dhe specialiste dizajni në qendrën Pompidou. Po të marrim parasysh njerëzit në këtë vend të veçantë, dikur vend makbethian, sot një vatër kulture shqiptare për gjithë botën. Them me vete që kënaqësia që ndjej."-tha Rama.

Kreu i qeverisë falënderoi sipërmarrësin francez Frederik Jousset, si dhe i dhuroi ‘Yllin e Madh të Mirënjohjes së Republikës së Shqipërisë”.

Gjatë këtij momenti nuk munguan batuat nga kryeministri, i cili i tha “Meqë jemi vend kontrabandistësh kjo është për t’iu treguar autoritetet franceze që nuk është e kondrabanduar, por është origjinale”.

"Do doja të vinit këtu pranë meje për t’ju prezantuar me medaljen. Këtë merreni si bagazh të Art Explora. Meqë jemi vend kontrabandistësh kjo është për t’iu treguar autoritetet franceze që nuk është e kontrabanduar, por është origjinale. Nuk jeni i detyruar të thoni gjë, por nëse doni të thoni gjë”-tha Rama. 

Vila 31 x Art Explora – ish-rezidenca e një epoke të errët e kthyer në një qendër inovative artistike dhe kulturore, mirëpret rezidentët e parë nga Franca, Tunizia, Libani, Malta, Italia e vende të tjera duke sjellë një program kulturor të hapur për të gjithë: performanca, diskutime, punëtori, lexime dhe shfaqje filmash
9-13 Prill, hyrja e lirë për të gjithë.

Ora 16:59
Vila 31 x Art Explora, Gonzato: BE do të mbështesë dhe rezidenca të tjera artistike në Tiranë

 

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato u shpreh sot se, Java Europiane e vitit 2025 do të organizohet në gjysmën e dytë të muajit maj.

Në fjalën e tij në inaugurimin e Vila 31 x Art Explora, Gonzato u shpreh se: 

“Sot jemi mbledhur në një vend i cili simbolizonte në të shkuarën izolimin dhe shtypjen, por sot ju e keni shndërruar këtë vend në një vend ku lulëzon liria e fjalës dhe do të ketë shkëmbime artistike dhe kulturore. Pra një shndërrim që është simbolik dhe shumë domethënës”.

Për këtë arsye, nënvizoi ai, “BE është shumë krenar që të ketë mbështetur pikërisht këtë kalim, nga historia, nga e shkuara tek e ardhmja, nga të qenit të mbyllur në të qenit të hapur, nga aspekti ideologjik, në ndërtimin e urave ndërmjet programit “Europa krijuese””.

Ambasadori u shpreh se gjatë ditëve në vijim BE do të mbështetë disa rezidenca artistike në këtë vilë dhe një simpozium.

Gonzato gjithashtu njoftoi se, nesër në Durrës nis festivali Art Explora, me 10 ditë performanca, filma e koncerte për të gjitha moshat.

“”Europa krijuese”, është nga programet, jo vetëm më të suksesshme, por fuqizon artistët, lidh institucionet kulturore dhe na ndihmon që ta tregojmë historinë e Europës në të gjithë larminë e saj. Sot Europa po ndihmon që të lidhë artistët shqiptarë me kolegët e tyre në Europë dhe të gjithë kontinentin. Ky do të thotë integrim europian nëpërmjet kulturës, kur njerëzit bashkohen me njëri-tjetrin shumë përpara se të përfundojnë negociatat për anëtarësim”, tha Gonzato.

“Arti dhe kultura nuk janë pjesë anësore e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, por janë në zemër të tij, sepse artistët dhe të gjithë ata që punojnë për krijimtarinë ndihmojnë për shndërrimin e shoqërive për të arritur të bëhen shtete anëtare, duke qenë të hapur sjellin reflektimin kritik, mendimin kritik, lirinë e fjalës, inovacionin”, tha Gonzato.

Prandaj shtoi ai, “BE dhe Shqipëria po punojnë shumë me artistët dhe me institucionet kulturore. Ne dëshirojmë që të bëjmë lidhjen me krijimtarinë, por edhe me vlerat themeluese të BE-së”.

Gonzato njoftoi gjithashtu se, “Java Europiane e vitit 2025 që do të organizohet në gjysmën e dytë të muajit maj do të ofrojë mundësinë dhe hapësirën për artistët shqiptarë që të tregojnë zërat e tyre dhe të kontribuojnë në formësimin e të ardhmes, e cila do të jetë e rrënjosur në vlerat e BE-së”.

Ora 16:45
Gonxhja: ‘Vila 31 x Art Explora’, një platformë për promovimin e artit dhe kulturës

 

Ministri për Ekonominë, Kulturën dhe Inovacionin, Blendi Gonxhja deklaroi sot se “Vila 31 x Art Explora” sjell bashkëjetesën e kujtesës historike me krijimtarinë e gjallë të së tashmes.

Në ceremoninë e pritjes së rezidentëve të parë nga Franca, Tunizia, Libani, Malta, Italia e vende të tjera, në “Vila 31 x Art Explora” – ish-rezidenca e një epoke të errët e kthyer në një qendër inovative artistike dhe kulturore, Gonxhja tha se transformimi i “Vilës 31”, është shembull i përkushtimit për të promovuar artin dhe kulturën si motorë të zhvillimit ekonomik, forcimit të identitetit dhe rritjes së ndikimit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare kulturore.

“ArtExplora nga vetë emri, qëllimi, ngjall eksplorimin krijues dhe ndërveprues mes vendeve dhe komuniteteve duke rrëzuar hierarkitë, ashtu siç punët e artistëve që do t’i përjetojmë sot, fryt i misionit të Vilës 31, ku sot bashkëjetojnë shpirtra të lirë nga e gjithë bota, brenda mureve ku dikur ekzistonte vetëm një fantazi – ajo e antilirisë”, tha ai.

Përmes artit dhe reflektimit, vijoi ai, ky vend jo vetëm që ruan historinë, por e riimagjinon dhe përshtat atë në funksion të ndërgjegjes, përfshirjes dhe emancipimit shoqëror.

Një vëmendje shumë të rëndësishme, sipas tij, merr promovimi i artistëve të rinj vendas, duke i mbështetur në rrugëtimin e tyre krijues dhe duke i krijuar hapësira ku ata mund të shprehin veten dhe të ekspozojnë veprat e tyre.

“Këtë vit, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka mbështetur përmes Programit Kombëtar të Granteve për Kulturën dhe Krijimtarinë, dhjetëra artistë e aktivitete që do të zhvillohen te Vila Art Residence, edhe më gjerë”, informoi ai.

Festivali që çelet sot këtu dhe nesër në Durrës, shtoi ministri, është një ndër ngjarjet më domethënëse demokratike, edukative dhe frymëzuese për Shqipërinë europiane, për publikun vendas dhe ndërkombëtar.

“Qeveria shqiptare e ka bërë kryefjalë mbështetjen dhe bashkëpunimin me skenën artistike, me politika kulturore dhe me investimin, besimin e shtetit tek shprehia krijuese bashkëkohore. Besojmë fort se kultura është jo vetëm mjet i kujtesës, por edhe themel për të ndërtuar një të ardhme më të hapur, më të lirë dhe më gjithëpërfshirëse”, deklaroi Gonxhja.

Sipas tij, krijimi i një skene kulturore vibrante, dinamike, provokuese është kryefjala e ditëve që po jetojmë dhe atyre që do të vijnë.

“Kjo lëvizje dhe frymë vjen përmes lidhjes së ndërtesave të trashëgimisë kulturore, programeve artistike, por po ashtu dhe me inaugurimin e hapësirave të reja të cilat i vihen në funksion skenës së pavarur. Nuk ka asgjë më efektive sesa kur një shoqëri vetëreflekton, vetëkorrigjohet, hapet ndaj një katarsisi konstant kulturor e artistik, liron vetveten nga klaustrofobia lokaliste dhe emancipohet përmes artit”, deklaroi ministri Gonxhja.

H.K/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 10/04/2025 03:37

    Xhaxhi nuk ka patur kurre prone.Ajo shtepia e famshme ne Gjirokaster ka qene e Kokalareve,vila e vjeter,ku pati rezidencen e pare ne Tirane ka pasur pronar,por jo EH,kjo e reja,eshte shteterore,por nuk e di kush e ka patur titullin e pronesise mbi token ku u ndertua.Sa per ate qe Rama e quan /makbethiane/,te kishte dale nga goja e ndonje disidenti,apo artisti te persekutuar ne ate kohe,do te ishte e besueshme e mjaft kuptimplote,por e dale nga goja e Rames,i biri i nje babai nga me te mbeshteturit ne art nga diktatori dhe kur vete Rama,jo vetem u shkollua ne nje nga shkollat me te mira ne vend,por u be pedagog ne Akademine e Arteve,kur femijeve te /armiqve te popullit/u jepnin kazmen ne bujqesi e miniera ne vend te shkollimit,del vertet /makbethiane/por ne kuptimin hipokrit.

    Përgjigju
  • One: 09/04/2025 18:47

    Komunistet vrane gjithe kundershtaret real dhe imagjinare, u moren pronat, tani po ju mesojne nepermjet artit ne shtepine e diktatorit dhe admistruar nga mbesat dhe niperit e bllokut, si te mos behen si ata :(. Ne ate vend nuk ekziston gara dhe te gjitha avantazhet u jepen njerezve te caktuar. Nuk eshte gje tjeter vecse zgjatim i diktatures komuniste veshur me petkun demokratik

    Përgjigju
  • ASIM ZENELI.: 09/04/2025 17:37

    PO MËRGIMTAR, ASHTU KA QËNË E DO TË JETË NË JETË TË JETËVE AI BURRË I PA MPOSHTUR.SHTËPIA E ENVER HOXHËS ËSHTË NË GJIROKASTËR, KUSH NUK E DI LE TË SKOJ E SHOHI ATO SARAJE.POLITIKAN E KUSHDO TJETËR QOFTË LËRENI KOHËN TË FLASË DHE JO JU.

    Përgjigju
  • Mergimtari: 09/04/2025 17:21

    A ishte ajo shtepi "prone" e Enver Hoxhes,apo ishte prone e shtetit Shqiptar?Duke qene prone e shtetit ku ka banuar Enver Hoxha mund te thuhet se kjo vile u kethye ne muze.Po te kete qene e Tij ajo duhej tu kethehej ne baze te ligjit per pronen.Nuk kuptoj se pse vazhdojme te risim vlerat?Kjo tregon se ai edhe pas 40-vitesh i vdekur,ju nuk e mundni dot me bemat tuaja.

    Përgjigju
    • Po: 09/04/2025 18:16

      Nuk ka qene kurre prone e Enverit por vile qeveritare. Enveri nuk la asnje qindarke dhe femijet emugruan si gjithe shqiptaret se ngelen pa shtepi. Gruaja e Enverit vdiq ne nje dhome me qera tek ish pularia e Tiranes. Keta te sotmit po te jene te zote te kthejne ndonje kulle ne qendra kulturore e artistike se na mbyti injoranca dhe mediokriteti.

  • Sondazhi i ditës:

    Fushata për 11 majin, a i besoni premtimet e partive politike?