Villa Certosa, rezidenca e ish-Kryeministrit Italian Silvio Berlusconit në Porto Rotondo, Sardini, është gati për t’u shitur.
Kjo pasuri, pjesë e trashëgimisë së Berlusconit që tashmë e kanë fëmijët, do të bëhet një nga transaksionet më të mëdha, ndoshta më e rëndësishmja ndonjëherë, në tregun e pasurive të patundshme në Itali.
Corriere shkruan se çmimi i shitjes së kësaj rezidence mund të shkojë nga 300 deri në 500 milionë Euro.
Shitja është afër realizimit, duke identifikuar një blerës anonim nga Lindja e Mesme, i gatshëm të paguajë "një shumë pak më poshtë se gjysmë miliard euro".
Megjithatë, një zëdhënës i Fininvest, grupit të Berlusconit, ka bërë të ditur se: "Jemi duke mbledhur interesime të ndryshme, por aktualisht nuk ka bisedime të avancuara".
Kompanitë që po merren me shitjen janë Sotheby’s International Realty dhe Knight Castle Real Estate, një agjent i pasurive të patundshme i bazuar në Dubai, i specializuar në pronat luksoze, si dhe një tjetër kompani amerikane që shërben klientëve me pasuri të mëdha.
Nëse shitja e kësaj pasurie do të realizohet, do të mbyllet një kapitull i rëndësishëm i historisë.
Villa Certosa ka mirëpritur një sërë personalitetesh të njohura ndërkombëtare, nga Presidenti amerikan George W. Bush, Kryeministri britanik Tony Blair, Kryeministri çek Mirek Topolánek, Presidenti rus Vladimir Putin, politikanët spanjollë José Zapatero dhe José María Aznar.
E njohur për bukurinë e saj unike dhe madhështinë e peizazhit, rezidenca është 4.500 metra katrorë, me një vilë qëndrore që ka 126 dhoma dhe 174 vende parkimi.
Përveç vilës, ka edhe një amfiteatër në stilin greko-romak, një kullë, një serrë, një palestër, dhe dy pishina.
Kjo rezidencë iu shit dikur Berlusconit nga Flavio Carboni, një personazh kontrovers i përfshirë në çështje të ndryshme ligjore, si falimentimi i Bankës Ambrosiano në vitet '80 dhe skandali i P3 në vitet e fundit. Carboni e kishte përdorur vilën si një vend takimesh me figura të dyshimta, përfshirë bosët e mafias Magliana dhe bankierin Roberto Calvi, i cili më vonë do të gjendej i vdekur në Londër.
Komente
