Vila në Gjirin e Lalzit dhe kandidatja e PD, Jorida Tabaku

Opinion

Vila në Gjirin e Lalzit, gjimnazi 'Sami Frashëri' dhe disfata e Tabakut në Tiranë

28 Prill 2021, 13:50| Përditesimi: 28 Prill 2021, 13:53

  • Share

Kur Lulzim Basha caktoi Jorida Tabakun si drejtuese politike të PD-së në Njësitë 2, 3 dhe 10 në Tiranë, duke e larguar nga zona e saj tradicionale, nga Njësia 8, ku është lindur e rritur, shumëkush e pa këtë si një ndëshkim për dy humbjet radhazi që Tabaku i kishte shkaktuar selisë blu në një nga zonat që historikisht ka qenë e djathtë. Për ata që nuk e mbajnë mend, Njësia 8 është edhe zona e Lulzim Bashës, e pas dy humbjeve të rënda në 2015 dhe 2017, ku kjo njësi mbështeti fort Erion Veliajn, Tabaku duhet të garonte diku tjetër në 25 prill.

Po çfarë ndodhi në 25 prill në Njësitë 2, 3 dhe 10, ku Tabaku mori drejtimin për të mundur Erion Veliajn? Në të treja njësitë, ish nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës në kohën kur drejtohej nga Lulzim Basha, ka humbur rëndë! Ajo nuk ka mundur të sigurojë një rezultat pozitiv as në Njësinë 10, e cila ashtu si Njësia 8, njihet si bastion i PD, ku PD-ja ka fituar edhe në momentet e saj më të vështira dhe kuotat më të ulëta.

Madje, Tabaku ka shënuar edhe një rezultat të dobët si kandidate individuale në Njësinë 10, ku ka mundur të marrë vetëm 286 vota, duke u renditur e 5-ta ndër figurat e PD-së të votuara në këtë njësi. Një zhgënjim i madh për Tabakun, e cila duke e pasur Njësinë 10 si zonë ekskluzive të sajën, duhet të kishte shënuar një rezultat më të mirë, të paktën për emrin e saj. Çka tregon se ajo jo vetëm që nuk ka mbështetjen e qytetarëve të Tiranës, të cilët kanë votuar në masë PS-në, por nuk ka as ndonjë pëlqim brenda zgjedhësve të PD-së, të cilët kanë votuar figura të tjera, si vajza simpatike e ekranit Oriela Nebiaj.

Për krahasim, “counterpart”-i i Tabakut nga radhët e PS, Fatmir Xhafaj, i dërguar ekskluzivisht për të drejtuar fushatën e socialistëve në Njësinë 10, ka marrë 2795 vota socialiste në emrin e tij personal, duke ndikuar fort edhe në fitoren e PS në këtë njësi.

Humbja e rëndë e Tabakut në të treja njësitë, që i kishte ngarkuar Lulzim Basha, nuk do të kalojë pa u vënë re në PD. Por, disa nga shkaqet e këtij refuzimi qytetar ndaj emrit të Tabakut mund të nënvizohet që tani.

Dy janë rastet që mund të kenë ndikuar fort në humbjen e saj në të treja njësitë: kundërshtimi i fortë që Tabaku i bëri projektit për rindërtimin e gjimnazit “Sami Frashëri” dhe lajmi që qarkulloi në media javën e fundit të fushatës, se ajo i kishte ndërprerë akuzat për ish gjimnazin e saj menjëherë pasi ishte bërë me një vilë pushimi në Gjirin e Lalzit, në rezidencën Vala Mar, që për një rastësi të habitshme ishte ndërtuar nga e njëjta kompani që po rindërton shkollën “Sami Frashëri” në Rrugën e Barrikadave. Tabaku e pranoi pronësinë e një vile të tillë, por pa sqaruar pse nuk e ka deklaruar asnjëherë në ILDKP.

Kundërshtia absurde që i bëri projektit të ndërtimit të një shkolle, çka e lidhi pashmangshmërisht me rekordin më negativ të Lulzim Bashës në Bashkinë e Tiranës, i cili në 4 vjet (2011-2015) nuk ndërtoi asnjë shkollë në kryeqytet, duket se ka rezonuar tek vota e qytetarëve, që me sa duket duan më shumë shkolla të reja në Tiranë. Qytetarët e kanë treguar qartë me votën e 25 prillit, se e refuzojnë modelin e gjobës dhe të përfitimeve personale, duke ndëshkuar me votë edhe Tabakun, e cila nuk i shpëtoi dot tundimit.

Mbetet për t’u parë se sa do të ndikojnë 3 humbjet radhazi në Tiranë për Tabakun në selinë blu, kur duket se PD-ja po përgatitet të futet në një stuhi debatesh për humbjen në 25 prill.

J.GJ./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?