Elidon Çela

Vinte nga Italia me 516 mijë euro të padeklaruara, gjykata e Durrësit liron nga qelia Elidon Çelën

16 Dhjetor 2022, 09:31| Përditesimi: 16 Dhjetor 2022, 14:39

  • Share

DURRËS- Elidon Çela pronar i agjencisë ‘Buon Aventura’, i cili u arrestua në Portin e Durrësit me 516 mijë euro të padeklaruara është liruar nga burgu në fillim të kësaj jave.

Burime për Report Tv nga gjykata e Durrësit bëjnë me dije se Çela është liruar me ‘detyrim paraqitje’ nga Gjykata e Apelit në Durrës. Ka qenë gjyqtarja Anita Mici, ajo që i ka kthyer lirinë Elidon Çelës, me arsyetimin se lirimi i tij nga dhoma e paraburgimit nuk e pengon zhvillimin e hetimit, edhe pse prokuroria e Durrësit ka kërkuar 'arrest me burg'.

Ndërkohë po për shkak të hetimit shuma prej 516 mijë eurosh do të qëndroje e sekuestruar. Hetimi ndaj Çelës, që e ndante qëndrimin dhe aktivitetin ekonomik midis vendilindjes dhe Shqipërisë është shtrirë deri në Itali për të verifikuar burimin e të ardhurave.

Pasditen e 21 tetorit, u kapën 522 mijë euro të fshehura në një autobus në zonën e kondicionerit. Paratë ishin të futura në qese marketi dhe u zbuluan nga gjurma e zezë e lënë në skaner dhe u arrestua Elidon Çela, 32 vjeç, drejtues dhe pronar i autobusit me targë AB 633 FZ, pjesë e Agjencisë së Transportit ndërkombëtar të pasagjerëve “Buon Aventura” me seli në Lushnje dhe Padova. Bashkë me të, policia arrestoi dhe 2 ndihmës shoferët e tij, Dritan Kamberi, 36 vjeç dhe Anold Cankja, 32 vjeç.

Autobusi që po transportonte 522 mijë euro cash ka hyrë nga porti i Barit në vendin tonë, por rezulton se ka përshkruar një itinerar duke ndaluar në disa qytete të Italisë. Policia kishte marrë informacione në rrugë operative ndaj përveç kontrollit me skaner, agjentët ndërhynë fizikisht në autobus, ku gjetën 6 qese plastike me 522 mijë euro me prerje nga 5 euro deri në 100-dëshe. Aktualisht në kuadër të këtij hetimi janë ngritur akuzat e pastrimit të parave, mosdeklarimit të vlerave monetare në kufi dhe kontrabandës.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?