Orkestra Sinfonike e Radiotelevizionit shqiptar ka nisur mbrëmjen e kaluar sezonin e ri koncertor, duke prezantuar disa artistë të rinj.
E njohur si një nga formacionet më të mira në shkallë vendi, Orkestra drejtohet për të dytin vit radhazi nga dirigjenti francez Aurelien Azan Zielinski, i pari drejtues i huaj në historinë e këtij formacioni.
Holli “Gjon Simoni” i RTSH, ishte tejmbushur me artistë dhe simpatizantë të muzikës klasike, të cilët duartrokitën gjatë interpretimin e violinistit 26-vjeçar, Daniel Vlashi Lukaçi.
Artisti 26-vjeçar, aktualisht është zv/koncert maestër i Orkestrës Sinfonike gjermane të Berlinit, dhe kishte zgjedhur për veprimtarinë e Tiranës Koncert në La maxhor nga W A Mozart.
Mjaft i sigurt në lojën e tij dhe në harmoni të plotë me orkestrën e drejtuar nga Zielinski, violinisti i lindur në Korunja (Spanjë) shpalosi bashkë me talentin, edhe përgatitjen e gjatë në disa shkolla europiane, si dhe kontributin në orkestrën Sinfonike të Galicisë (Spanjë) dhe në Operan e Lionit (Francë).
Muzikaliteti dhe teknika e interpretimit e dominuan lojën e Danielit, i cili solli jo pak edhe nga shkolla shqiptare e violinës, falë kujdesin të prindërve artistë nga Durrësi, Florian (Violinë) dhe Rediana (violonçel).
“Bir arti”, pjesëmarrës në shumicën e edicioneve të Bienales “Netët e Muzikës klasike” që i jati organizonte që nga viti 2003 në Durrës, Danieli e njeh shumë mirë sfondin e muzikës koncertore në vendin tonë.
I nxitur nga pasioni i tij për Muzikë dhome, Daniel Vlashi Lukaçi ka themeluar kuartetin “Quatour Confluence”, me të cilin ka fituar disa çmime duke dhënë koncerte anë e mbanë Francës.
Interpretimi i tij mbrëmjen e kaluar fitoi admirimin dhe duartrokitjet e të pranishmëve në koncertin e parë të sezonit 2023-2024, ku Orkestra simfonike.
interpretoi edhe “Valle Popullore Shqiptare nga kompozitori i ri Jetmir Zaganjori, si dhe “Sinfonia nr 5 në Do Minor” nga L V Beethoven.