Kronikë

Virozat e stinës/ 250 fëmijë në ditë në urgjencën e QSUT, pediatrja: Më shumë urgjenca se 1 vit më parë për të miturit e moshës nga 1 deri në 5 vjeç

4 Gusht 2021, 16:12| Përditesimi: 4 Gusht 2021, 16:20

  • Share

Ndryshe nga vitin e kaluar që përkon me periudhën e pandemisë, këtë sezon veror ka më tepër vizita dhe urgjenca në pediatri. Anila Sevdari, mjeke pediatre në Qendrën Shëndetësore nr.9 në kryeqytet tregon virozat më të shpeshta që prekin fëmijët.

"Sezoni i verës shoqërohet me diagnoza e veta që janë, rinite, faringite, infeksione të veshit otitet, në të shumtën e rasteve infeksione të rrugëve të sipërme respiratore dhe duke qenë se shkojnë një pjesë e fëmijëve dhe në det dhe në pishina kemi pasur dhe irritime të lëkurës që janë dermatitet. Më të shpeshta dhe ajo që e bën prindin që të vijë më herët tek mjeku është temperatura, dhimbje fyti dhimbje veshi, dhimbje barku sepse kemi pasur dhe gastrointeritet që kanë qenë me tepër me të vjella dhe diarre. Këto kanë qenë në periudha të ndryshme, me ditë të ndryshme, me javë. Për shembull këtë javë kemi më tepër infeksione të rrugëve të sipërme që janë faringitet, laringitet që është kolla e shpeshtë mbytëse edhe problemet me temperaturën", tha Sevdari.

Gjatë ditës një mjek pediatër kryen deri në 30 vizita në ditë tek të vegjlit.

"Në përgjithësi vizita sidomos  për Qendrën tonë Shëndetësore i kemi nga 25-30 vizita në ditë. Grupmosha që është 1-5 vjec që janë më të shpeshtë dhe diçika më pak 5-10 vjeç. Ekspozimi duhet të evitohet kur ka mbingarkesë,  mbipopullim me fëmijë, në vendet siç janë pishinat apo në vendet me lojëra që kemi shumë fëmijë, aty ka më shumë risk që të marrin infeksione, viroza nga njëri tjetri", u shpreh mjekja.

Në këtë periudhë të nxehtë mjekja Sevdari këshillon që fëmijët mos të dalin jashtë pas orë 10 të paraditës.

"Ne i kemi këshilluar gjithmonë që të ekspozohen në orët e para të mëngjesit deri në orën 09:00, maksimumi deri në orën 10:00, sidomos këto ditë që kanë qenë shumë të nxehta nuk e kemi këshilluar fare daljen nga shtëpia pas orën 10:00 deri në orën 18:00. Në momente që iu është dashur patjetër që të dalin, ti veshin sa më lehtë, me veshje të pambukta, me kapele, ti japin sa më shumë ujë, të kenë gjithmonë ujë me vete sepse dhe fëmija duke qenë vet organizmi që shumicën e ka ujë kanë shumë nevojë për ujë dhe për ushqime të freskëta. Të kenë kujdes me ushqimet e blera, me fast-food, akullore, me ushqimet e konservuara", theksoi Sevdari.

Në urgjencën pediatrike në QSUT mesatarisht paraqiten në ditë 200 fëmijë, ndërsa në fundjavë ky numër rritet duke shkuar deri në 250 vizita në 24 orë.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?