Rreth 90 fëmijë paraqiten çdo ditë në urgjencën e pediatrisë në Elbasan të prekur nga virozat. Bluzat e bardha theksojnë se një nga shqetësimet kryesore për pacientët e vegjël është kolla, dhimbja e barkut, temperatura e lartë.
Në këtë periudhë është shoqërimi i virozave me alergjitë e stinës. Por përpos vizitave ditore janë rritur dhe shtrimet në spital, ç’ka do të thotë se virozat shkaktojnë komplikacione. Sot numërohen 45 fëmijë të shtruar në Pediatrinë e Elbasanit.
“45 fëmijë janë sot të shtruar në pavione, ka ditë që numri shkkon në 50. Fëmijët paraqesin rinite, laringit, bronkit, pneumoni. Po kështu shqetësime Gastro-enteriti, diarre dhe të vjella. Temperaturë e lartë për disa ditë”, tha mjekja Irena Palloshi, shefe e pediatrisë.
Ndërsa për fëmijët e vegjël të moshës 1-3 vjeç, mjekja këshillon prindërit që të mos u lënë në dorë ushqime të forta si kikirik apo kokoshka si dhe lodra të rrezikshme.
“Një ditë më parë dy fëmijë kanë mbërritur në spital, njëri kishte gëlltitur një vidë dhe tjetri kokoshka”, u shpreh ajo.
Sëmundshmëria në pranvere mbetet e lartë dhe e krahasueshme me periudhen e dimrit ku kishte 100 vizita në 24 orë.
Komente
