Ne foto Visar Morina (me mes), anash protagonistet e filmit "Exile"

Visar Morina me "Exile" rrëmbeu “Zemrën e Sarajevës”. Në qendër të filmit, emigrantët e paragjykuar

22 Gusht 2020, 12:54| Përditesimi: 22 Gusht 2020, 13:01

  • Share

Ndonëse, këtë vit për shkak të pandemisë COVID 19, Festivali i Filmit në Sarajevë u zhvillua online. Regjisori shqiptar nga Kosova, Visar Morina, arriti të triumfojë në këtë edicion të 26-të, si “Filmi më i mirë”, duke rrëmbyer çmimin më të rëndësishëm të festivalit, “Zemrën e Sarajevës” për filmin “Exile”.  

“Exile” (Mërgimi) rrëfen historinë e Xhaferit, një inxhinier farmaceutik 45-vjeç nga Kosova, që kalon një krizë identiteti për shkak të racizmit që përjeton për shkak të prejardhjes etnike në vendin e tij të punës.  

”Jam shumë i lumtur për këtë çmim, faleminderit! Kam patur një vit shumë të ngarkuar në realizmin e këtij filmi. Ndonjëherë jam ndjerë më i humbur se vetë personazhi i tij, kështu që ky çmim më ndihmon shumë. Faleminderit jurisë dhe festivalit” është shprehur përmes një videomesazhi regjisori Visar Morina.

Aktorët që luajnë në këtë film, që vjen si bashkëprodhim Belgjik, Gjermani dhe Kosovë, janë: Sandra Hüller, Mišel Matieviq, Flonja Kodheli, Getuart Hajrizaj, Astrit Kabashi, Valentina Dubovci, Ameli Kabashi etj. 

Visar Morina është edhe regjisor i filmit “Babai”, i cili ka rrëmbyer disa çmime ndërkombëtare.

Festivali i Filmit në Sarajevë

Festivali i Filmit i Sarajevës (edicioni 26) u themelua në Sarajevë në 1995 gjatë rrethimit të Sarajevës në Luftën e Pavarësisë së Bosnjës. Festivali ka për qëllim jo vetëm të promovojë iniciativat e kinemasë së rajoneve, por t’i mbështesë dhe ndihmojë me distribuimin e tyre në tregun evropian të filmit. Përveç filmave të gjatë dhe të shkurtër në këtë festival përfshihen dokumentarët.

Ky Festival promovon dhe mirëpret sidomos filmat nga Kosova, Turqia, Shqipëria, Bosnja, Bullgaria, Qipro, Kroacia, Serbia, Rumania, Malta, Maqedonia, Sllovenia, Gjeorgjia e Greqia. Në këtë festival marrin pjesë premiera botërore dhe rajonale, filma që nuk janë shfaqur në ndonjë ngjarje tjetër ndërkombëtare kinematografike, përveç atyre të kategorisë A, si Festivali i Kanës, i Berlinit, Roterdamit, Lokarnos dhe Venecias.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po japin rezultat protestat e PD-së?