Në njësinë administrative Kurjan të Roskovecit, kultivuesit e ullirit parashikojnë një prodhim të ulët për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike. Reshjet e dendura gjatë kohës së lulëzimit dhe më pas thatësira e zgjatur kanë ndikuar negativisht në rendiment.
“Ulliri nuk u lidh siç duhet, sepse koha nuk na ndihmoi. Tani thatësira i ka dëmtuar fare kokrrat”, shprehet një fermer.
Një tjetër problem mbetet mungesa e sistemit të vaditjes. Në një zonë kryesisht kodrinore, ndërtimi i tij është i pamundur, ndonëse 90 për qind e sipërfaqes së punueshme është e mbjellë me ullinj.
“Ky është një nga vitet me prodhim më të ulët për ullirin në Kurjan. Na mungon vaditja dhe tregu, ndërkohë që shumë familje kanë ende vajin e vjetshëm stok”, thekson specialisti i bujqësisë, Agur Shabanaj.
Fermerët ankohen edhe për çmimet e larta të shërbimeve bujqësore, plehrave dhe rrugëve të amortizuara, që vështirësojnë punën në tokat e tyre.
“Nuk ia dalim dot më me këto kosto. Plehrat, karburanti, gjithçka është shtrenjtë. S’kemi treg as për vajin”, thotë një fermerë.
Megjithatë, zona e Kurjanit ne Roskovec ka njohur zhvillim të ndjeshëm në kultivimin e ullirit. Nga 35 mijë rrënjë para viteve '90, sot numërohen mbi 300 mijë rrënjë, një potencial i madh që kërkon më shumë mbështetje nga shtetit për ta kthyer në përfitim për qindra familje.
Komente
