KRUJË- Mësimi në vitin e ri shkollor në Krujë do të zhvillohet në 24 shkolla me turne, pasi 13 janë dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit që lamë pas.
Kruja dhe Thumana janë një ndër zonat më të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit, ku 1690 nxënës janë të detyruar të spostohen në shkolla të tjera dhe numri do të ketë një rritje të ndjeshëm duke e bërë më të vështirë respektimin e masave kundër pandemisë së COVID-19. Një pjesë e shkollave është dezinfektuar dhe janë vendosur vijëzimet për të lehtësuar mbajtjen e distancës.
Gazetari i Report Tv Julian Shota tha se prindërit kanë pakënaqësi për mësimin me 3 turne me fillimin e dimrit, por janë shprehur se nuk do t'i lënë fëmijët pa shkollë.
"Kam vajzën në vit të parë, s'kam mundësi ekonomike, me një rrogë që marrim me nusen pa punë, çmime shumë të larta. Më mirë në klasë, se mësim online nuk përfitohet gjë. Të zgjidhet mbipopullimi, fëmijët duhet të shkojnë në shkollë, fëmija të mësojë, frikë kemi po çfarë të bëjmë", tha njëri nga prindërit.
"Kam 2 fëmijë njëri në klasën e 8 dhe njëri në të parën, do t'i marrim borxh lekët se nuk i plotësojmë, për mësim do të shkojnë në Bubq", tha një prind tjetër.
Drejtori i Komunikimit në Bashkinë Krujë, Drini Masha tha për Report Tv se ky fillim viti shkollor nuk është vit i zakonshëm pasi janë pasojat e tërmetit dhe kushtet e imponuara nga pandemia.
"Nuk është një fillim viti i zakonshëm, kemi pasojat e tërmetit të 26 nëntorit. 8230 nxënës do të ulen në bankat e shkollës me kujdesin maksimal që mos të ndikojë fluksi i madh. Në mënyrë specifike zona e Fushë-Krujës dhe ajo e Thumanës janë më shumë të ngarkuara, ne si pushtet vendor do bëjmë çmos për aq sa kemi mundësi për mbarëvajtjen. Edhe transporti i nxënësve të zonave të shkollave të dëmtuara do të kryhet nga bashkia. Mes këtyre dy problematikave kaq të mëdha, përmes komunikimit të vazhdueshëm me MAS dhe MSH është vendosur që mësimi të vijojë. Nga 37 shkolla që kishte Bashkia e Krujës tani kemi 24, pasi 13 prej tyre janë jashtë funksionit, ndaj është e domosdoshme që të bëhet zhvendosja e nxënësve", tha Masha.