Ndikimi i pandemisë në ekonomi vijon të jetë i fortë. Edhe pse pa masa kufizuese të ardhurat në tetor mbetën përsëri në rënie. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave në muajin e kaluar u mblodhën gjithsej 38.9 miliardë lekë, nga 39.5 miliardë që janë mbledhur në të njëjtin muaj të një viti më parë.
Ministria në tabelat me të dhënat fiskale sqaron se në 10 muaj janë mbledhur 347.1 miliardë lekë, me një rënie prej 36.2 miliardë lekë, duke e marrë përsëri goditjen më të madhe nga të ardhurat tatimore që mblidhen nga TVSH, tatim-fitimi apo të ardhurat personale. Konkretisht në 10 muaj të ardhurat doganore arritën në 123.7 miliardë lekë, me një rënie prej 12 miliardë lekësh krahasuar me 2019.
“Në rënien kundrejt periudhës së mëparshme ndikim kanë pasur të ardhurat doganore nga karburantet e importit, karburantet prodhim vendi, energjia elektrike dhe cigare”, shpjegon Ministria e Financave.
81 miliardë lekë janë të ardhurat nga TVSH-ja në import me një rënie prej 9%, ndërsa të ardhurat nga akciza ishin 36 miliardë lekë me tkurrje 7%. Nga ana tjetër kanë zbritur me 20.6 miliardë lekë të ardhurat tatimore, ku peshën kryesore në mosrealizimin e planit e zë mosrealizimi i Tatimit mbi Fitimin dhe Tatimi mbi të Ardhurat Personale.
“Për shkak të shtyrjes së kësteve të pagesës së tatimit mbi fitimit në ndihmë të biznesit, këto të ardhura janë realizuar 7.4 miliardë lekë, më pak se 10 mujori 2019. Faktori kryesor në mosrealizimin e Tatimit mbi të Ardhurat Personale është reduktimi i numrit të të punësuarve dhe reduktimi i kohëzgjatjes së punës, nga ana e tatimpaguesve si pasojë e COVID 19”, argumenton ministria.
Ndërsa shpenzimet publike, arritën në 412.65 miliardë lekë duke u rritur me rreth 22.6 miliardë lekë më shumë se në 10 mujorin e 2019.