Viti 2018, kultura në rikonstruksion (VIDEO)

31 Dhjetor 2018, 19:02| Përditesimi: 31 Dhjetor 2018, 19:18

  • Share

2018-ta, Viti i Skënderbeut

2018- ta, një vit i trazuar për artin dhe kulturën, ku debati mbizotëroi mbi ngjarjet, duke lënë shumë çështje të pazgjidhura dhe pyetje pa përgjigje. Nuk munguan as aktivitetet që lënë gjurmë pozitive në terrenin e artit dhe historisë, si Ekspozita për Skënderbeun me vepra e antikuarë të rrallë ne Pallatin e Kongreseve. Është konsideruar nga artistët, si ekspozita më serioze e realizuar në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut, dhe qenë imazhet, librat historikë e shkruar në Milano që prej 1473-tës, epistola e Papa Piut apo Historia e shkruar nga Marin Barleti në vitet 1508-‘10 dhe materiale të tjera të fjetura në arkivat tona, që zgjuan kërshërinë e publikut, artistëve dhe historianëve.

Teatri /Artistët debate me Kumbaron

Artistët në krye të vitit 2018 fillimisht u bën bashkë për të kundërshtuar ligjin “Për artin edhe kulturën”, miratuar në vitin 2010, ndryshuar në vitin 2014. Aty pikat që kundërshtuan ishin: Së pari, fakti që drejtorët e institucioneve kombëtare, që sot emërohen me Vendim të Këshillit të Ministrave, mes dy kandidaturave të propozuara nga Ministri, do të emërohen me Urdhër të Ministres, Mirela Kumbaro, ku përfshihen Qendra Kombëtare e Kinematografisë, Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit dhe Biblioteka Kombëtare. Por, edhe përse ministrja e kulturës u tërhoq nga ky projektligj, “lufta e artistëve” kundër Qeverisë vazhdoi ende. Motivi do të ishte shembja e teatrit për të ndërtuar në të njëjtin territor një godinë të re. Vendimi verbal i komunikuar nga kryeministri duke thënë: “Doni apo s’doni ju teatri do të shembet”. Kjo i irritoi edhe më shumë artistët.  Prezantimi i projektit të arkitektit danez, Bjarke Ingels, për Teatrin Kombëtar nuk u mirëprit nga një numër i madh artistësh. Sipas tyre, projekti i të ashtuquajturit “Steve Jobs i arkitekturës”, nga ana teknike kishte probleme përsa i përket skenografisë, dhomave të aktorëve, ndërtimit mbi “vetëm dy plinda” (sipas arkitektit Maks Velo) etj. Por jo vetëm kaq, sipas disa artistëve, studiuesve dhe arkitektëve godina e Teatrit Kombëtar mbart vlera të pakontestueshme për historinë dhe trashëgiminë kulturore ndaj meriton të rikonstruktohet, pavarësisht raportit të Institutit të Ndërtimit se godina kishte nevojë për restaurim në masën 90%. Ata nisën protestat, madje duke arritur deri aty sa të prezantonin projekte prej tyre. Në Komisionin e Medies artistët morën disa herë pjesë për t’u qartësuar për çfarë po ndodhte, por ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, nuk u ballafaqua asnjëherë me ta. Ndërsa, më pas situata do të ndryshonte duke zhvilluar disa tryeza dialogu. Në takime me artistët do të ulej kryetari i bashkisë Erion Veliaj. Pas këtyre takimeve, gjërat nuk do të ishin njësoj. Disa nga figurat kyçe të protestës si Robert Ndrenika, Arben Derhemi, Altin Basha etj do të distancoheshin, pasi sipas tyre, “kishin fjalën e nderit të kryebashkiakut se terreni i godinës nuk do të cenohej”.  Dialogu solli përçarje mes artistëve, një pjesë e të cilëve vijojnë edhe sot të protestojnë në agoren e Teatrit Kombëtar. Edhe përse votimi i ligjit për shembjen e Teatrit të ri Kombëtar do të kalonte dy herë me 75 vota në parlament, disa artistë ende nuk janë pajtuar me të.

Akademia e Shkencave dhe reforma pezull

Nevoja për ndryshim preku këtë vit edhe Akademinë e Shkencave. Platforma e dorëzuar në datë 31 mars nga akademikët në Ministrinë e Arsimit, është ende në pritje që të miratohet nga qeveria. Akademiku Artan Fuga dhe Skënder Gjinushi edhe pas një viti vazhdojnë që mos të kenë gjetur rrugën e duhur për të nxjerrë nga gjendja ku është këtë institucion. Qeveria akoma nuk e ka firmosur projektligjin.

Biblioteka Kombëtare pas zjarrit nën ujë

Ashtu si pas 15 marsit të 2017-ës kur Biblioteka Kombëtare u  bë pre e një zjarri të shkaktuar nga një shkëndije elektrike, as përmbytja e 23 qershorit të 2018-ës nuk do të shkaktonte asnjë dëm të parikuperueshëm. Edhe kësaj here, pavarësisht pamjeve të rënda dhe kushteve të vështira në të cilën po bëhej tharja e librave të dëmtuar me tharëse flokësh dhe ekspozim në dritare, të 12 njësitë bibliotekase  do t’i përkisnin 15-vjeçarit të fundit dhe për më tepër ishin të zëvendësueshme. Pas kësaj ngjarjeje Instituti i Ndërtimit do të nxirrte edhe një raport, ku godina do të paraqitej e amortizuar dhe e papërshtatshme për Bibliotekë Kombëtare.

Dekomunistizimi në art, që e kërkon PD-ja

Propozimi fillestar i Agron Tufës për dekomunisizimin, u ribë këtë vit nga ana e përfaqësuesve të Partisë Demokratike. Një projektligj që synon shoqërimin e filmave apo veprave letrare të socrealizmit që i kanë shërbyer atij sistemi  me një shënim përkatës ku të shpjegohej një funksion i tillë i tyre. Ndonëse, askush nuk e ka lexuar të plotë këtë projektligj,  sërish edhe për vitin 2018 ky debat është pritur me diskutim nga artistët, shkrimtarët edhe botuesit.

1 milion shqiptarë pa lexuar asnjë libër në 2017-ën

Është ky raporti i INSTAT që ngjalli debatet për distancimin e lexuesit shqiptar nga libri dhe që mandej do të bëhej edhe shkas për nismën “LexoNjëLibër” ndërmarrë nga botues dhe Ministria e Kulturës. Panairi i 21-të i Librit  i çelur në 14 nëntor evidentoi problematika të tjera si libra të përkthyera keq, mungesë orientimi të lexuesve, lënin në harresë të letërsisë shqipe veçanërisht të asaj për fëmijë.

Vëmendje mediatike dhe të lexuesit tërhoqi edhe romani më i fundit i Kadaresë, “Kur sunduesit grinden”. Radhë të gjata u krijuan në Panair  për të pasur një autograf apo shënim të autorit.

Lahutën që na “morën” serbët!

Vendimi i UNESCO-s që Lahuta, serbe (gusle), të jetë pjesë e Trashëgimisë Jomatëriale Kulturore e Njerëzimit kudo në botë, nuk u prit mirë nga shqiptarët. Qenë edhe muzikologë e studiues që ngritën zërin duke theksuar faktin se origjina e lahutës është shqiptare. Mirëpo studiuesi Shaban Sinani njëkohësisht edhe një nga hartuesit e dosjes së Eposit të Kreshnikëve sqaroi se fakti që gusla është bërë pjesë e kësaj liste nuk krijon asnjë pengesë për palën shqiptare. Ngërçi sipas tij qëndron në faktin se dosja e konkluduar nga studiuesit që në 2012-ën nuk është dorëzuar ende.

Festivali i Teatrove dhe niveli i shfaqjeve

Elementët që do ta bënin mbarëkombëtarë Festivalin e Teatrove të mbajtur në skenën e re të “ArTurbinës” munguan. Ashtu siç munguan veprat për Skënderbeun edhe pse u tha se ky festival i qe dedikuar vitit të heroit. Rreth 14 trupa teatrore nga mbarë trevat shqipfolëse u ballafaquan mes tyre, në regji, aktrim dhe përzgjedhje pjesësh. Kritiku i artit Josif Papagjoni analizon gjendjen e teatrit tonë.

Papavrami në Tiranë për sonatat e Beethoven

Sonatat e Beethovenit rikthyen në Tiranë në 3 nëntor  Tedi Papavramin.  Violionisti erdhi i shoqëruar nga bashkëshortja e tij e re artistja japoneze Maki Okada, e cila e ndoqi koncertin, ku Papavrami shoqërohej nga pianisti francez Francois-Frederic Guy, në radhët e para të Qendrës Kulturore të Katedrales Ortodokse.

Marc Chagall “vjen” në Tiranë

180 gravura në bardhë e zi të artistit ruso-francez Marc Chagall u ekspozuan gjatë tetorit në ambientet e Qendrës për Hapje edhe Dialog në kryeministri. Artistët si dhe kryeministri Edi Rama e konsideruan si ngjarjen më të rëndësishme për kulturën për 2018-ën. Gravurat ku Chagall ka ilustruar romanin “Shpirtra të Vdekur” nga Nikolai Gogol, apo  dramën “Stuhia” Uilljam Shekspirit dhe “Fabulat” e La Fontenit dashamirësit e artit kanë mundësi ta vizitojnë deri në 12 janar të 2019-ës.

“Delegacioni” triumfon në Varshavë

Filmi shqiptar “Delegacioni” me regji të Bujar Alimanit dhe skenar të Artan Minarollit u shpall fitues i edicionit të 34-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Varshavë. Në garë për “ËarsaëGrand Prix” ishin 15 filma mes të cilëve 9 tituj evropianë.

Harta e rrallë detare në Shqipëri

Harta Detare I e vitit 1455 udhëtimin e parë jashtë Italisë e bëri për në Tiranë. Pas shumë përpjekjeve Harta e rrallë e realizuar nga hartografi gjovanez Bartolomeo Pareto për Papa Nikollën V, të ekspozohet në Qendrën për Hapje edhe Dialog në Tiranë. Arkitekti edhe studiuesi i hartografisë mesjetare, Artan Shkreli, ka punuar për ekspozimin e artefaktit të rrallë, i cili do të jetë në COD dhe dy javët e para të janarit.

Galeria e Arteve, vetëm me 2 ekspozita në një vit

Ardhja e drejtorit te ri Erzen Shkololli në krye të Galerisë Kombëtare të Arteve fillimisht u mirëprit nga artistët. Por, ekspozitat e pakta në numër dhe marrëdhënia jokorrekte e drejtuesit me medien bëri që gjithçka të zbehet shumë shpejt. Pas katër muajsh (prill) u hap ekspozita e “Piktori i transformimit” e Edi Hilës, më pas në shtator e Flaka Halitlit “Këtu – apo atje, është më atje”.

Kumbaro mbyll përfundimisht“Onufrin”

Konfliktet mes drejtuesit të galerisë, artistëve edhe medies e nxiti edhe më mbyllja në heshtje e Ekspozitës Ndërkombëtare “Onufri”.  Vetëm në ditët e fundit të vitit Mirela Kumbaro edhe Erzen Shkololli vendosin që të mbyllin traditën e një ekspozite të arteve pamore me 24 vite jetëgjatësi.

Jonida Malqi me “Ktheju tokës” në Eurosong 2019

Këngëtarja Jonida Maliqi me këngën “Ktheju tokës” me tekst edhe muzikë të Eriona Rushitit u zgjodh fituese e Festivalit të Këngës. Jonida Maliqi rikthehet pas një mungese 11-vjeçare në Festivalin e Këngës, në skenën që preku për herë të parë në moshën 13-vjeçare. Kënga e përzgjedhur trajton një temë që ka një sensibilitet të veçantë veçanërisht për shqiptarët, emigrimin. “Ktheju tokës tënde” bëhet njëkohësisht një thirrje për të larguarit. Kënga do të jetë në shqip edhe gjatë kompeticionit në Eurosong në Tel Aviv.

Ky vit i trishtë, që na ndau nga artistët!

Arti dhe kultura do të ndiejnë mungesën fizike të atyre që kontribuuan për ta pasqyruar. U largua mes qiejve “valltari fluturues”, Rexhep CCeliku. Kritiku i artit dhe njeriu i mirë Gëzim Qendro la një boshllëk të pashlyeshëm në memorien e njerëzve. As Gjovalin Paci, Fadil Hasa, Ilia Tërpini, Luan Qerimi dhe Sulejman Dibra nuk janë më mesnesh. 

Eshtrat e Mid’hat Frashërit në atdhe

Eshtrat e Mid’hat Frashërit (1880-1949) mbërritën në atdhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.  Homazhet u mbajtën në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, për të vijuar me vendosjen e eshtrave pranë memorialit të vëllezërve Frashëri tek Kodrat e Liqenit. Frashëri u nda nga jeta para 69 vitesh.

Dilemat e artistëve për 2018-ën

2018-ta ishte një vit konfliktesh, përplasjesh, debatesh por më pak konkludues. Ministria e Kulturës dhe Galeria Kombëtare e Arteve vendosën të mbyllin përfundimisht “Onufrin”. Artistët e Teatrit Kombëtar shpresojnë që së paku 2019-ta të ketë një kalendar artistik. Në Bibliotekën  Kombëtare pavarësisht raportit të Institutit të Ndërtimit, se ajo godinë nuk është e përshtatshme për funksionin që ka nuk ende nuk është marrë asnjë masë, dhe rreziku se ngjarjet do të përsëriten qëndron si një libër i hapur. Teatri Kombëtar, çdo të bëhet me të? Shembja tanimë është legjitime por disa nga artistët vijojnë të rezistojnë. Për Teatrin Eksperimental po kërkohet një drejtor. Do ta fitoj postin drejtoresha e Metropolit Jonida Beqo? Ndërsa shqiptarët presin që lahuta të bëhet pjesë e Listës së Trashëgimisë Botërore në UNESCO, Ministria e Kulturës së Shqipërisë dhe ajo e Kosovës do të dakordësojnë për një vendim të përbashkët, për të dorëzuar dosjen e Eposit të Kreshnikëve? Artistët kanë pikëpyetjet e tyre, në një kohë që qasja në Galeri është bërë gati e pamundur për ta dhe Muzeu do t’i nënshtrohet rikonstruksionit, ku do të ekspozojnë?! Këto dhe të tjera problematika të artit dhe kulturës presin zgjidhje nga instancat përkatëse...Por edhe pas shkarkimit nga detyra të ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro dhe zëvendësimin e saj me arkitekten Elva Margariti, pyetja që artistët vazhdojnë të ngrenë është: Do të jetë 2019-ta viti i ndryshimeve pozitive?!

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?