Në natën e ndërrimit të viteve, pas orës 00:00 në mesnatë, kanë ardhur në jetë 6 foshnje të gjinisë mashkull e dy të gjinisë femër, të cilët do të përfitojnë çekun e bebes.
Foshnja e parë lindi në Tiranë në orën 00:01, në maternitetin "Mbretëresha Geraldinë". Foshnja e porsalindur, e gjinisë mashkull, me peshë 3 kg e 150 gr, është pagëzuar me emrin Elis.
Prindërit e Elisit, Emilina Shtembari dhe Besmir Gogu u shprehën të lumtur që djali i tyre ishte dhe fëmija i parë i 2019-ës."Gjithmonë kemi dashur një fëmijë të seksit mashkull por që nuk e prisnim që djali ynë të ishte fëmija i parë për këtë vit", u shpreh e ëma e foshnjes Elis.
Fëmija i parë, Elis
Foshnja që konsiderohet edhe ai si i pari për këtë vit, po me gjininë mashkull, lindi në maternitetin tjetër të Tiranës, "Koço Gliozheni". Kryeministri Edi Rama e takoi personalisht nënën e Aleksit, për t'i dhënë çekun e bebes. Aleksi, si fëmija i tretë i familjes përfitoi 120 mijë lekë të reja. (Lexo këtu)
Foshnja e dytë dhe e tretë, me gjini femërore, që erdhën në jetë në natën e ndërrimit të viteve, do të përfitojnë përkatësisht 80 mijë lekë të reja dhe 40 mijë lekë të reja.
Edhe në Fier e Korcë, bebet e para ishin djem. Në qytetin e Fierit lindi një djalë ndërsa në atë të Korcës dy djem, ku i pari lindi me lindje normale në orën 01:47 e i dyti me operacion në orën 08:30. Ndërsa në Lushnjë, një çift nga fshati Gramsh u gëzua po me një djalë, pas shumë vajzave që kishin.