Aiden dhe Akid, vijnë në jetë vogëlushët e parë për Vitin e Ri 2022! Rama: Paçin këmbën e mbarë! Ministrja e Shëndetësisë: Do të jetë viti i fëmijëve

1 Janar 2022, 00:22| Përditesimi: 1 Janar 2022, 15:02

  • Share

Dy djem janë fëmijët e parë që kanë ardhur në jetë për vitin 2022! Bebja e parë quhet Akid, dhe lindi në materinitetin 'Mbretëresha Geraldinë' në orën 00:00, si dhe Aiden i cili lindi në maternitetin 'Koço Gliozheni', në orën 00:01. Mjeku Artur Hatibi tha se foshnjet janë në gjendje të mirë shëndetësore!

'Janë në gjendje të mirë shëndetësore. Nga ekipi i roje u bëjmë një urim special të gjitha nënave të Shqipërisë' - tha mjeku Artur Hatibi.

Nga ana tjetër ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu u ka uruar dy vogëlushëve jetë të gjatë.

'Mirë se erdhe AKID! Fëmija i parë i vitit 2022 është djalë, që lindi shëndosh e mirë në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” në orën 12:00. Është djalë edhe bebi i parë që erdhi në jetë në maternitetin “Koço Gliozheni”, 1 minutë pas ndërrimit të viteve! Jetë të gjatë e paçi këmbën e mbarë Akid & Aiden!'- njofton ministrja Ogerta Manastirliu.

Për lindjen e dy vogëlushëve ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama i cili në rrjete sociale iu uroj jetë të gjatë.

'Paçin këmbën e mbarë'.-shkruan Rama.

1640994127_page.jpg

Akid dhe Aiden

 

Ora 15:01
Bebi i parë në Shkodër për 2022 është djalë! Historia e veçantë e nënës: Të dy fëmijët i kam lindur më 1 janar

Pas Tiranës dhe Fierit, edhe në Shkodër fëmija i parë për vitin 2022 është djalë. Fëmija i cili quhet Arenc Kukaj lindi në orën 7:45 dhe është fëmija i dytë i Arjeta Kukaj.

Historia e Arjetës është e veçantë sepse të dy fëmijët e saj kanë lindur në datën 1 janar. Dy vite më parë Arjeta në 1 janarin e vitit 2020 lindi djalin e saj Harisin i cili sot mbush dy vjeç ndërsa në ditën e parë të këtij viti lindi djalin e dytë, Arencin.

“Është një emocion i madh pasi të dy fëmijë më kanë lindur më 1 janar. Edhe djali tjetër i madh ka lindur më 1 janar”, tha nëna e lumtur që mbante në krahë foshnjën e saj të porsalindur.

Mjekia Armela Troshani e cila ka asistuar Arjetën edhe në lindjen e saj dy vite më parë në 1 janar shprehet se gjendja e nënës dhe fëmijës të porsalindur është shumë e mirë.

Ora 12:09
Ministrja e Shëndetësisë viziton bebet e para të vitit 2022: Do të jetë viti i fëmijëve

Fëmija i parë që lindi në Shqipëri për 2022 në orën 00.00 ishte djalë. Që nga ai moment e deri në orët e para të mëngjesit kanë lindur 12 djem dhe 2 vajza në dy maternitetet e Tiranës.

Në traditën e përvitshme, Ministrja Ogerta Manastirliu ishte mëngjesin e sotëm pranë fëmijëve të parë të vitit 2022, ku shpërndau çekun e bebes për të porsalindurit, me urimin që ky vit të jetë i shëndetshëm dhe i begatë për të gjithë shqiptarët.

“Viti 2022 do të jetë viti i fëmijëve, i zbatimit të politikave dhe programeve të reja për fëmijët tanë. Do të vijojmë programin e kujdesit neonatal me investimet në maternitetet e reja të Beratit, Kukësit, investimin madhor në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” si dhe në maternitetin Koço Gliozheni. Investimet tona nuk do të ndalen”, tha Manastirliu.

Duke folur për vitin 2022 si vitin e fëmijëve, Ministrja e Shëndetësisë u shpreh:

“Politikat për mirërritjen e fëmijëve do të jenë akoma më shumë pjesë e politikave të zhvillimit të gjithë sektorëve, ndaj ky vit do jetë viti i fëmijëve. Siç e ka deklaruar Kryeministri Edi Rama, ky vit do të hapë një erë të re për fëmijët, sa i përket programeve shkollore dhe jashtë shkollore për fëmijët, nga programet për kulturën, artin dhe zejen, tek programet e reja në teknologji dhe inovacion. Nga ana tjetër, në politikat e reja shëndetësore dhe sociale, çelim këtë vit programin e kujdesit të syve për 300 mijë fëmijë; programi i mbështetjes së fëmijëve pa kujdes prindëror me trefishimin e ndihmës ekonomike për fëmijët jetimë; dyfishimin e ndihmës ekonomike për familjet me tre fëmijë nën 18 vjeç”, tha Manastirliu.

Duke folur për programin universal të bonusit të bebeve, Manastirliu u shpreh:

“Janë më shumë se 115 mijë fëmijë që kanë përfituar nga programi i bonusit të bebes që prej vitit 2019. Vetëm këtë vit mbi 40 mijë fëmijë e kanë marrë bonusin dhe ky program që mbështet të porsalindurit, do të vijojë”.

Ora 08:48
Lindja e dy vogëlushëve të parë në Tiranë për Vitin e Ri 2022, Rama: Paçin këmbën e mbarë

1610130569_rama.jpg

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjete sociale në lidhje me lindjen e dy fëmijëve të parë për Vitin e Ri 2022. Përmes një postimi, kreu i qeverisë uron që dy vogëlushët, Akid dhe Aiden, të kenë këmbë të mbarë dhe jetë të gjatë..

"Jetë të gjatë e paçi këmbën e mbarë Akid dhe Aiden"-shkruan Rama teksa krahas postimit ka publikuar edhe foton e dy vogëlushëve.

Ora 00:25
Pas dy vogëlushëve në Tiranë, vjen në jetë fëmija i parë për Vitin e Ri 2022 edhe në qytetin e Fierit

1641023110_ill.JPG

Ka ardhur në jetë edhe fëmija i parë në qytetin e Fierit. Bëhet fjalë për një djalë i cili ka lindur në orën 00:05. Mësohet se ai peshon 3,150 gramë dhe gëzon shëndet të plotë. Dr. Teuta Mone, gjinekologe dhe Dr.Alberina Valle neonatolloge kanë thënë se Vojsava Begaj nga Fieri ka kryer një lindje normale duke sjellë në jetë fëmijën e parë të këtij viti në Fier, dhe femijën e tretë të saj.

M.Q.//ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?