Viti 2024 nis me rënien e besimit në ekonomi! Ndërtimi e turizmi, pesimizëm për aktivitetin dhe punësimin! BSH: Bizneset presin ulje çmimesh, konsumatorët pesimistë

1 Shkurt, 15:50| Përditesimi: 1 Shkurt, 16:50

  • Share

Çmimet e larta të vitit të kaluar, kanë nisur të japin ndikim negativ në xhepin e konsumatorëve, të cilët po ulin kursimet ndërkohë që deklarojnë se gjendja e tyre ekonomike është përkeqësuar.

Në vrojtimin e fundit të bërë nga Banka e Shqipërisë për besimin në ekonomi për muajin janar, thuhet se treguesi është përkeqësuar me 1.8%, ndikuar më shumë nga sektori i ndërtimit dhe shërbimeve. Në një masë më të vogël ndikoi edhe rënia e besimit konsumator. Nga ana tjetër, besimi në sektorët e industrisë dhe të tregtisë shënuan rritje në muajin janar.

Besimi i konsumatorëve është ulur me 0.9%, për shkak të përkeqësimit të gjendjes së tyre financiare, dhe pesimizmit për situatën ekonomike në të ardhmen. Edhe pse në muajin e parë të vitit qytetarët kanë bërë blerje me vlera të mëdha, ata presin që në të ardhmen çmimet të rriten.

Ndërkohë besimi i sektorit të ndërtimit u ul me 8.6% në janar, i ndikuar nga ulja e aktivitetit, rënia e porosive, mungesa e punonjësve dhe pritshmëritë për ulje të çmimeve. Të njëjtë tregues kanë përkeqësuar me 5.2% edhe besimin e sektorit të shërbimeve, kjo edhe për shkak të mbylljes së bumit turistik të vitit 2023, duke qenë se muajit e parë të vitit nuk regjistrojnë numër të lartë turistësh.

Kurse në sektorin e tregtisë dhe industrisë besimi është rritur me përkatësisht 4.9% dhe 4%. Ndikim pozitiv në këto tregues ka dhënë përmirësimi i aktivitetit të tyre, rritja e porosive, e prodhimit dhe pritshmëritë për punësim që janë në rritje. Edhe këto dy sektorë presin që çmimet të ulen në muajit e ardhshëm.

B.V//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?