Viti i çka nëse?

17 Janar, 16:29| Përditesimi: 17 Janar, 16:32

  • Share

Ballkani Perëndimor u frikësua me vitin 2024 si vit kur mund të fitojë Trumpi, e djathta ekstreme në Evropë dhe Putini në Ukrainë. Tashmë kemi hyrë në të, por Ballkani Perëndimor nuk ka bërë kthesë vendimtare për integrim në BE. Përkundrazi, siç dëshmoi Banjska në shtator të vitit të kaluar, ka më shumë liri të lëvizjes së urrejtjes e të destabilizimit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor sesa të katër lirive evropiane që lidhen me tregun e përbashkët

1.

Ka ardhur viti i “Çka nëse?”

Në katër vjetët e fundit shumë transatlanticistë, liberalë e miq të Ballkanit Perëndimor kanë përsëritur se koha për të arritur marrëveshje që e vendosin Ballkanin Perëndimor në një qartësi integrimi në BE, duke lënë anash konfliktet e viteve ’90, është mu tani. Me “tani” përshkruhej koha e presidentit Biden në Amerikë dhe Komisionit Evropian, Van Der Leyen, që për dallim të atij të mëhershëm kishte shpallur se dyert e BE-së për Ballkanin Perëndimor ishin të hapura.

Arsyetimi ishte i thjeshtë dhe pak e shumë bardhezi. Bardh: tani janë rreshtuar letrat (apo yjet në qiell) si është më së miri në Amerikën e pas-Trumpit e BE-në e pas-Junckerit (që kishte deklaruar në fillim të mandatit se nuk shihte shtet të ri të Ballkanit në BE). Zi: nëse nuk shfrytëzohet rasti tani, do të vijnë letrat (apo yjet e tjera), si p.sh Trumpi në Amerikë e forcat e ngjashme me të në Evropë, dhe më nuk do të jetë e mundur kthesa historike e Ballkanit Perëndimor kah e mira.

Në ligjërimin e deritanishëm nga miqtë liberalë e transatlanticistë vlente kërcënimi i butë: gjërat duhet të rregullohen në Ballkanin Perëndimor në këtë interval historik, sepse “çka nëse...?”, e pas kësaj pyetjeje vinte një përshkrim skenarësh, që fillonte me rizgjedhjen e mundshme të Trumpit si president amerikan e deri te zhvillimet negative në Evropë, prej zgjedhjeve që favorizojnë të djathtën e skajshme deri te humbja e Ukrainës në luftë.

2.

Hyrja në vitin 2024 nënkupton se “çka nëse” nuk është ndoshta realitet i kërcënimeve të realizuara, por është gjithsesi realitet i viteve të shpenzuara të frikësimit. Pra, jo, nuk është arritur asnjë gjë e rëndësishme që do të tregonte për një rrugë të sigurt të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së. Vendet e BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor nënshkruan zotimin për treg të përbashkët të Ballkanit Perëndimor më 2020 në Sofje dhe jo që nuk janë më afër këtij tregu, por animozitetet dhe krizat identitare janë më afër se ç’është tregu i përbashkët. Siç dëshmoi Banjska në shtator të vitit të kaluar, ka më shumë liri të lëvizjes së urrejtjes e të destabilizimit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor sesa të katër lirive evropiane që lidhen me tregun e përbashkët.

Rrjedhimisht lidhet njëri argument: miqtë transatlanticistë nuk kanë nevojë më për frikësim me skenarë negativë të së ardhmes, sepse e tanishmja është mjaftueshëm e keqe. Pra, nuk ka nevojë të thuhet se Ballkanin Perëndimor e presin katër vjetët e Trumpit, Orbanit, Parlamentit Evropian, ku fjalën kryesore mund ta ketë e djathta e skajshme alla Wildersi holandez. Katër vjetët që po kalojnë me politika të Bidenit, Von Der Layen e Macron-Scholz nuk është se krijuan një kthesë të dukshme pozitive në Ballkanin Perëndimor.

3.

Natyrisht, e udhës do të ishte që vendet e Ballkanit Perëndimor të zgjoheshin më 2024 dhe të konstatonin se tashmë viti i “çka nëse” ka filluar e se nuk duhet ta presin fundin e tij , sepse mund të jetë më i keq se fillimi, dhe se duhet të arrijnë disi ta bëjnë kthesën vetë. Por, kjo nuk do të ndodhë. Fillimisht, sepse këto vende janë të lidhura me fuqitë transatlantike dhe përpjekjen e tyre për të zgjidhur diçka gjatë kësaj periudhe sa nuk kemi hyrë në “çka nëse”. Dhe dy, sepse brenda Ballkanit Perëndimor tashmë ekzistojnë përllogaritje të ndryshme për skenarët e fundit të këtij viti. Nuk është perspektiva e njëjtë e Prishtinës, Sarajevës , Beogradit apo Podgoricës për zhvillimet në SHBA, Ukrainë a Parlament Evropian. Lufta në Ukrainë mund të arrijë në pozitë që të mos ketë fitues të qartë ushtarak, zgjedhjet në SHBA mund të prodhojnë një president që nuk i jep pesë para për Evropën e Parlamenti Evropian i Robert Schumanit mund të prodhojë një shumicë që i afrohet më shumë Robert Ficos të Sllovakisë. (Ai në “Pravda” të Bratislavës kritikon Perëndimin për ndihmë Ukrainës dhe bën analogjinë me Rusinë e vitit 1941 që e fiton luftën më 1944).

Ballkani Perëndimor ka hyrë në vitin e “çka nëse” si vështrues, si konsumator i lajmeve që do të jenë ekzistenciale për të. Çdo gjë është me rëndësi: zgjedhjet në Tajvan, sepse tërheqin vëmendjen amerikane kah Kina, lufta në Gaza, sepse tërheq investime diplomatike e ushtarake kah Izraeli e në dëm të Ukrainës, lufta në Ukrainë, sepse dështoi kundërofensiva verore dhe viti 2024 mund të jetë vit defansiv për ukrainasit dhe rrjedhimisht vit i hapjes së negociatave për një armëpushim me Rusinë, zgjedhjet presidenciale amerikane, sepse mund të sjellin sërish një administratë të paparashikueshme në shtetin më të fuqishëm në botë...

4.

Do të jetë e vështirë kërkesa për një politikë koherente të vendeve të Ballkanit Perëndimor apo e Perëndimit ndaj tij, në masë të madhe sepse nuk ekziston as koherencë në Ballkan Perëndimor e as koherencë në Perëndim.

Në që të dyja, prej kohësh, e vetmja gjë koherente është ideja se duhet mbyllur sytë ndaj faktit se Ballkani Perëndimor është ende zonë e konflikteve të papërfunduara dhe se mjafton që të bashkohen tregjet e këtyre vendeve, të këmbehen mallrat e lëvizin automjetet dhe disi gjendja do të rregullohet vetvetiu.

Dhe, kjo koherencë do t’i mbajë vendet e Ballkanit Perëndimor në pozitën e vëzhguesit, duke parë se si po zhvillohet viti 2024, ai me të cilin është kërcënuar “çka nëse”.

S.G/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?