8 shtatori e gjeti Presidentin Bajram Begaj në shkollën 9-vjeçare të fshatit Gosë të Kavajës, në vendlindjen e tij, nga ku krahas urimit për një vit shkollor të mbarë, apeloi për një brez që e do gjuhën shqipe dhe përqafon teknologjinë.
“Uroj, besoj dhe shpresoj që ju të jeni një brez që e do gjuhën shqipe, ka pasionin e dijes, përqafon teknologjinë, çmon dhe respekton njëri-tjetrin”, tha Begaj.
Numri dy i shtetit, kryetarja e parlamentit Elisa Spiropali vitin e ri shkollor e uroi nga Instituti i Nxënësve që nuk Shikojnë. Nga aty kryeparlamentarja premtoi se Kuvendi do të ndihmojë me nisma ligjore me rëndësi për arsimin e veçanërisht për nxënësit me aftësi ndryshe.
“Me rëndësi që të miratojmë ligje të tjera, të nxisim nisma ligjore për programe arsimore dhe për investim në teknologji që të zbatojmë standardet më të mira të kujdesit për fëmijët me nevojat e veçanta”, tha Spiropali.
Nga shkolla “Angela Merkel” në Kamëz që këtë 8 shtator hapi dyert për herë të parë për më shumë se 1,100 nxënës, Ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu tha se infrastruktura shkollore dhe kushtet për nxënësit e mësuesit janë përmirësuar.
“Sot, në ditën e parë të shkollës, ne kemi hapur 30 shkolla të reja apo të rehabilituara, falë mbështetjes edhe të partnerëve, qeverisë shqiptare dhe të bashkive gjithashtu. 30 shkolla të reja të cilat ofrojnë kushte dhe standarde bashkëkohore për më shumë se 10 mijë nxënës dhe mësues”, tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.
Ndryshe nga qeveria, PD e pa ndryshe panoramën që të ofron nisja e vitit të ri shkollor.
Kryetarja e komisionit të medias, Ina Zhupa tha se 2025-sa e gjen arsimin me buxhet të ulët, me reduktim të numrit të nxënësve, me premtime që nuk mbahen për drekën e libra falas, sigurinë në shkollë apo mësim me turne.
Ndërsa deputetja e Partisë së Lirisë Erisa Xhixho tha se shumë zona në kryeqytet, ende nuk kanë një shkollë të tyre.
Zv.Presidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho ka ngritur alarmin e rënies së numrit të nxënësve në shkollat e të gjithë vendit.
Në një deklaratë për mediat këtë të hënë që u shënua edhe nisja e sezonit të ri shkollor, Xhixho tha se shumë shkolla janë mbyllur për shkak të rënies së numrit të nxënësve, që sipas saj, lidhet me shpopullimin.
Zv/Presidentja e PL thotë se problemet e vjetra nuk janë zgjidhur as këtë sezon të ri.
Projekti ‘dreka në shkolla’ mbeti një premtim, thotë Erisa Xhixho, sikundër nuk ka marrë zgjidhje as problemi i turneve të dyta. Ndërsa në Sauk, Fresk dhe Astir, thekson Xhixho, nuk ka një shkollë për fëmijët e këtyre zonave.
Deklarata e Zv. Presidentes së Partisë së Lirisë, Znj. Erisa Xhixho:
Përshëndetje!
Dua ta nis këtë komunikim me ju me një urim për të gjithë nxënësit dhe mësuesit që nisin sot vitin e ri shkollor. Një urim të veçantë për të gjithë vogëlushët që ulen për herë të parë në bankat e shkollës dhe një mirënjohje të veçantë për qindra mësues që punojnë në kushte aspak të lehta.
Fatkeqësisht, edhe ky vit shkollor nis me probleme të cilat janë mbartur nga viti i kaluar, madje edhe janë thelluar. Dua ta filloj me alarmin e rënies së numrit të nxënësve në të gjithë Shqipërinë dhe si pasojë edhe mbylljen e shkollave.
Shpopullimi vijon me ritme të larta dhe më qartë se kudo tjetër e shohim sot te 17 mijë nxënës më pak në arsimin parauniversitar. Zbrazja e shkollave është e frikshme. Kemi humbur mbi 115 mijë nxënës në 5 vjet. 22 shkolla të tjera kanë mbyllur dyert këtë vit për shkak të rënies drastike të numrit të nxënësve. Qindra mësues e nisin këtë vit shkollor me ankthin se vitin tjetër mund të mbeten pa punë, se nuk do të kenë nxënës.
Shkollat e reja i shohim të shkëlqejnë në rrjetet sociale të ministrisë dhe pastaj me detyrim në çdo profil mësuese, por nuk kanë zgjidhur emergjencës që kanë lagje të tëra të Tiranës.
Fëmijët e Saukut, Freskut e Astirit janë ende pa shkollë edhe në këtë vit të ri, ndërkohë që miliona euro hidhen për fasada dhe rikonstruksione. Në Astir, 70 mijë banorë të lagjes, nuk kanë as shkollë as kopësht për fëmijët. Problemi i dy turneve në Tiranë nuk ka marrë ende zgjidhje, ndërkohë që në rrethe klasat e bashkuara për shkak të rënies së numrit të nxënësve cenojnë rëndë cilësinë e procesit mësimor.
Edhe këtë vit, me mijëra prindër janë të detyruar t’u drejtohen after-school dhe qendrave të kurseve, sepse shkolla mbaron në orën 11:00. Kjo e bën koston e arsimimit në shkolla publike njësoj sa ajo në shkolla private. Një prindi në Tiranë, i cili ka zgjedhur shkollën publike, i duhen rreth 3 milionë lekë të vjetra në vit, për t’i përballuar ato. Projekti “Bëjmë detyrat e shtëpisë” nuk arriti kurrë të bëhet alternativë që ofron zgjidhje reale. Premtimi për drekën në shkollat që duhej të hapeshin këtë shtator mori fund me fushatën elektorale.
Këtyre kostove u shtohen librat, të cilat prindërit i blejnë çdo vit të reja, pasi tekstet falas që propagandon qeveria janë mashtrimi më i madh që u është bërë ndonjëherë atyre dhe fëmijëve të tyre. Kurrikulat kanë nevojë urgjente për reformim, pasi kanë mangësi të theksuara dhe nuk nxisin mendimin kritik, për të cilin nxënësit shqiptarë renditen të fundit në botë, sipas PIZA-s. Mbi 60% e nxënësve janë analfabetë funksionalë dhe kjo është alarmante.
Shkolla si qendër komunitare ka dështuar. Mjafton të kujtojmë rastet e dhimbshme të vitit shkollor që lamë pas për të kuptuar shqetësimin e çdo prindi për pasigurinë në shkolla. Dhuna dhe bullizmi janë të pranishme në çdo shkollë. 60% e shkollave nuk kanë oficerë sigurie. Ky është tregues i mungesës së theksuar të seriozitetit me të cilin Ministria e Arsimit e sheh këtë shqetësim kaq të madh.
Përveçse përpiqet të fshehë dështimin me të gjitha mënyrat, Ministria e Arsimit nuk ka hartuar asnjë strategji të qartë. Nuk ka asnjë studim dhe asnjë plan afatgjatë! Nuk ka politika nxitëse për degët e mësuesisë, ndërkohë që në pak vite vendi rrezikon të mbetet pa mësues.
Arsimi vijon të mbetet i nënfinancuar, me më pak se 2.29% të PBB-së. Mësuesit janë më të keqpaguarit në rajon, shkollat në rrethe janë në gjendje të mjeruar. Ndërkohë që Ministria flet për digjitalizim e laboratorë smart, ka shkolla në Tiranë ku nuk ka as ujë apo ngrohje në dimër. Imagjinoni ç’ndodh në shkollat e rretheve.
Të dashur nxënës, prindër e mësues. Për Partinë e Lirisë, arsimi mbetet mjeti më efektiv përmes të cilit mund të rindërtojmë Shqipërinë. Ne do të luftojmë krah jush për një arsim më cilësor dhe me standarde, sepse arsimi dhe fëmijët tanë janë kryepriopritet për ne!
Faleminderit!
Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, ka përcjellë një mesazh për nxënësit, mësuesit dhe prindërit, ku thekson se siguria në shkolla mbetet prioriteti kryesor i Policisë.
Mesazhi i Ilir Prodës:
Të dashur nxënës, mësues dhe prindër,
Çdo fillim i vitit të ri shkollor është një emocion i madh për të gjithë, sepse aty ndërtohet e ardhmja e fëmijëve tanë. Për Policinë e Shtetit, siguria në shkolla është dhe mbetet prioriteti ynë kryesor.
Në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, oficerët e sigurisë në shkolla, mësuesit, drejtuesit e shkollave, prindërit dhe qeveritë e nxënësve, Policia e Shtetit do të jetë pranë jush përmes Patrullave të Përgjithshme, strukturave të Policimit në Komunitet, Policisë Rrugore dhe Policisë Kriminale, për të garantuar mjedise të sigurta brenda dhe rreth shkollave.
Ne besojmë se vetëm së bashku mund t’u japim fëmijëve tanë atë që meritojnë: një vit të qetë, të sigurt dhe të mbushur me dije.
Ftoj të gjithë aktorët që i ngarkon ligji për zbatimin e masave të përcaktuara në Paketën e Sigurisë në Shkolla, që të kontribuojnë në interesin e përbashkët: sigurinë e fëmijëve tanë.
Uroj një vit të mbarë shkollor për të gjithë nxënësit, për fëmijët e punonjësve të Policisë së Shtetit të cilët nuk u shoqëruan sot në shkollë nga prindërit, për shkak të angazhimit në detyrë, dhe në veçanti për fëmijët e dëshmorëve të Policisë.
Në ditën e parë të vitit të ri shkollor 2025-2026, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, së bashku me Kryetarin e Bashkisë së Kamzës, Rakip Suli, ishin në shkollën e re 9-vjeçare “Angela Merkel” në Bashkinë Kamëz për të uruar nxënësit, mësuesit dhe prindërit për nisjen e vitit të ri shkollor.
Shkolla “Angela Merkel” është një nga 30 institucionet arsimore të reja ose të rikonstruktuara që hapin dyert këtë vit, duke iu shtuar kolanës prej 450 shkollash e terrene sportive të ndërtuara ose rehabilituara në dekadën e fundit.
“Jam e kënaqur që jemi tashmë duke finalizuar një seri të projekteve të mëdha të shkollave, sikurse është ky projekt që ka krijuar hapësira dhe mjedise fantastike për më shumë se 1,100 fëmijë që janë regjistruar nga klasa e parë në klasën e 9-të. Krijon një qendër komunitare për pasditen dhe është e rëndësishme sepse ka disa dimensione të ofrimit të aktiviteteve qoftë sportive, qoftë kulturore, qoftë artistike, me salla, palestër, terrene sportive. Jemi të angazhuar që të vijojmë investimet në infrastrukturën shkollore, por nga ana tjetër paralelisht t’u ofrojmë mundësinë që të gjithë fëmijët të kenë edhe akses në laboratorët e shkencave dhe të teknologjisë, dhe kjo shkollë i ofron më së miri këto laboratorë. Janë rreth 40 klasa, ambiente sigurisht të parametrave bashkëkohorë për të garantuar, në më shumë se 10 mijë metra katror, që është ky investim, jo vetëm hapësira e klasave por edhe hapësira për aktivitete të tjera sportive apo kulturore. Sot, në ditën e parë të shkollës, ne kemi hapur 30 shkolla të reja apo të rehabilituara, falë mbështetjes edhe të partnerëve, qeverisë shqiptare dhe të bashkive gjithashtu. 30 shkolla të reja të cilat ofrojnë kushte dhe standarde bashkëkohore për më shumë se 10 mijë nxënës dhe mësues”, tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.
Kamza renditet ndër bashkitë me më shumë investime në infrastrukturën arsimore: nga 24 shkolla në shërbim të 16,000 nxënësve, 18 janë të reja ose të rikonstruktuara. Vijon ndërkohë puna edhe për rikonstruksionin e Gjimnazit “Sulejman Elezi” dhe shkollën “Dom Nikoll Kaçorri” në Paskuqan.
Plani katërvjeçar parashikon 200 shkolla të reja e terrene sportive në të gjithë vendin, të pajisura me laboratorë STEM e inteligjentë, me synim që deri në vitin 2027 të kemi 1,000 laboratorë inteligjentë dhe çdo klasë me smartboard dhe laptop për mësuesit.
Kryetarja e komanduar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, ishte sot në shkollën “Kosova”, për të uruar nxënësit me rastin e nisjes së vitit të ri shkollor, teksa inspektoi përfundimin e rrugës te Shkolla te Kosova, që do jetë një lehtësi për fëmijët.
Ristani shprehu bindjen se Bashkia e Tiranës do të vijojë projektet në mbështetje të mësuesve dhe nxënësve, për një vit mësimor sa më të suksesshëm.
“Jemi shumë të lumtur që e hapim ditën e parë të shkollës sot me një rrugë fantastike, si kjo këtu tek shkolla “Kosova”. Është në fakt vijimi i projekteve që ne kemi për rrugët për fëmijët që do të thotë të sigurojmë qarkullimin e fëmijëve që ecin në këmbë nëse banojnë pranë shkollës ku janë të regjistruar apo nëse shoqërohen nga prindërit me mjet të kenë mundësi që të zbresin në distancë nga shkolla në mënyrë që të mos bllokohet trafiku dhe kalimi i tyre përpara dhe pas shkollës dhe të jenë të sigurt mbi të gjitha në çdo moment kur hyjnë apo kur dalin nga shkolla”, u shpreh Ristani.
Ajo shtoi se Bashkia e Tiranës do ndërhyje edhe në 20 rrugë të tilla pranë shkollave të kryeqytetit.
“Ky projekt është i financuar prej iniciativës së Bloomberg per infrastrukturën e biçikletave nga Filantropët e Bloomberg, dhe ka qenë një ndër programet ku kemi aplikuar si Bashki e Tiranës bashkë me 100 qytete të tjera dhe kemi fituar me financim të tyre dhe me punën e ndërmarrjes sonë, është bërë e mundur kjo rrugë, por ndërkohë që në plan kemi 20 të tilla. Disa prej tyre ju i keni parë që i kemi bërë në vitet e shkuara tek shkolla “Gjon Buzuku”, sipër në Kinostudio apo dhe në qendër të Tiranës tek ajo që ka qenë “11 Janari” që sot është “Edith Durham” e cila jo vetëm do të jetë një shkollë e re, por do të ketë edhe rrugën e saj që i parapriu shkollës së re. Jemi shumë të kënaqur sepse feedback-u ka qenë tejet pozitiv nga prindërit që i kanë shoqëruar fëmijët sot në mëngjes”, tha ajo.
Në fund Ristani falenderoi qytetarët për përkrahjen e tyre për çdo hapësirë që Bashkia Tiranë ja ka kthyer atyre për këmbësorë apo për biçikletë.
Në nisje të vitit të ri arsimor, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka publikuar në rrjet sociale një mesazh.
Teksa shfaqet duke shoqëruar tre fëmijët e saj në shkollë, bëri me dije se djali i saj Dreni, ulet për herë të parë në bankat e shkollë.
“Dreni ka sivjet klasën e parë” u shpreh Tabaku.
Më tej Tavaku theksoi se e ardhmja e vendit fillon pikërisht në bankat e shkollës, por që prej vitesh prindërit dhe nxënësit përballen me mungesë kushtesh, çmime të rritura të librave dhe barrën e rëndë të taksave.
Në fund, Tabaku e shoqëroi mesazhin e saj me një notë njerëzore dhe humor të lehtë.
“Fëmijët tanë duan dije, ne prindërit duam pak më shumë qetësi. Të shohim kush ia del i pari këtë vit.”, tha Tabaku.
Teksa sot ka nisur viti i ri shkollor, deputetja e PD-së Ina Zhupa, ka hedhur akuza ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama se e kanë lënë arsimin me buxhet dhe siguri të ulët.
Zhupa në një postim në Facebook, shkruan se në shkolla numri i nxënësve ka pësuar rënie drastike dhe se shqiptarët janë larguar për një arsim më të mirë.
Po ashtu deputetja demokrate ngre shqetësimin se mësuesit janë në presion të vazhdueshëm.
“Pamja e 2025 është e trishtë por detyra jonë është që të luftojmë në krah të prindërve, mësuesve dhe nxënësve për një arsim më cilësor dhe me standarte në Shqipëri”, thekson ligjvënësja e PD.
Postimi i plotë i Zhupës
Vit të mbarë shkollor për nxënësit dhe mësuesit!
Suksese në rrugën e dijes!
2025 e gjen arsimin me buxhet të ulët, me siguri të ulët, me drejtim mediokër.
Arsimi nuk është prioritet i qeverisë Rama, 70% e shkollave nuk do kenë oficer sigurie! Shqiptarët kanë zgjedhur të largohen edhe për një arsim më të mirë për fëmijët.
Në vetëm mandatin e fundit të qeverisjen Rama nga 2021 në 2025, kemi një rënie të numrit të nxënësve sipas të dhënave zyrtare në -11% në klasat e parë deri të pestë, - 17% në klasat e gjashtë deri të nëntë; - 19% e gjimnazeve dhe -11% e shkollave të mesme profesionale. Shqiptarët janë larguar edhe për njé arsim më të mirë pasi rekordet e zeza e bënin të pamundur tja besonin fëmijët këtij menaxhimi shkollor.
Arsimi është financuar më pak se 3% të PBB-së, nivel gati 40% më i ulët se financimet që vendet e zhvilluara ka dhënë në këtë periudhë dhe 20% më pak se financimet që japin vendet e rajonit.
Pas ngjarjeve tragjike në ambjetet përreth shkollave dhe brenda shkollave u propagandua se do i kushtohej rëndësi e vecantë sigurisë në shkolla. Fatkeqësisht asgjë nuk është berë, 60 oficer janë gati për sot, edhe 400 të tjerë do jenë gati sipas Manastirliut gati në Tetor dhe sikur të jetë keshtu përsëri 70% e shkollave të vendit nuk do kenë oficer sigurie.
Premtimi që do të nisnin nga ky shtator projektin për drekë falas në shkollat 9 vjeçare të Tiranës sigurisht që do ishte vetëm për fushatë dhe asnjë shkollë sot nuk e ofron këtë.
Librat e përdorur që ju jepen fëmijëve vazhdojnë si modeli më i keq i mbështetjes reale që duhet jap shteti për dijen
Mësuesit janë në presion të vazhdueshëm, pasi u përdorën për fushatë kryesisht në shërbim të Manastirliut, tani numërojnë nxënësit që ikin, me shpresën që nuk do ju bjer ngarkesa dhe nuk do shkarkohen si të panevojshëm, sidomos ata që bindjet politike i kanë të ndryshme nga drejtorët politik patronazhist.
Në 2025 ende do bëhet mësim me turne, edhe në mes të Tiranës, ende do ketë klasa të mbipopulluara dhe mungesë infrastrukture dhe mjete didaktike.
Klasat digjitale dhe fjalimet pompoze me to nuk janë realitete të prekshme ku në 50% të shkollave rurale as nuk ka internet fare.
Pamja e 2025 është e trishtë por detyra jonë është që të luftojmë në krah të prindërve, mësuesve dhe nxënësve për një arsim më cilësor dhe me standarte në Shqipëri!
Presidenti i PL-së Ilir Meta ka reaguar në lidhje me fillimin e vitit të ri arsimor në vendin tonë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Meta uron nxënësit dhe hedh akuza ndaj qeverisë se ka braktisur arsimin dhe se nga shpopullimi, bankat e shkollave janë bosh.
Postimi i plotë i Metës:
Urime të përzemërta dhe shumë suksese nxënësve, mësuesve dhe prindërve në fillim të vitit të ri shkollor, sidomos vogëlushëve që sot hedhin hapat e parë në bankat e dijes.
Fatkeqësisht, arsimi vijon të mbetet i braktisur, i nënfinancuar, pa kushtet më elementare dhe i goditur nga një axhendë e qëllimshme antikombëtare e shpopullimit, që pasqyrohet çdo ditë në pamjet dramatike të shkollave dhe bankave bosh.
Shqipëria mund të ringrihet vetëm duke ringritur arsimin: me një buxhet minimalisht 5% të PBB dhe me dyfishimin e pagave për mësuesit tanë.
Për Partinë e Lirisë, arsimi është një nga 5 Prioritetet kombëtare për Shqipërinë me 4 milion shqiptarë plus!
Teksa sot ka filluar viti i ri shkollor, Partia Demokratike ka hedhur akuza ndaj qeverisë se ka zbrazur institucionet e arsimit paraunveristar, pasi sipas PD, rreth 900 shkolla në mbarë vendin janë mbyllur për shkak të mungesës së nxënësve.
Drejtuesja e departamentit të arsimit në PD, Lili Sula përmes një deklarate nga selia ‘blu’, bankat e zbrazëta dhe klasat e mbyllura janë pasqyra më e qartë e braktisjes së vendit, britma të heshtura apelimi të fëmijëve të larguar.
Po ashtu Sula tha se ndërsa shkollat po shuhen, në lagjen e Astirit në Tiranë, nuk ka asnjë institucion arsimor.
“Pas 12 vitesh të Rilindjes nuk mund të flasim më për mungesë vëmendjeje por për vetëdije shtetërore për të braktisur fëmijët, dijen, të ardhmen e kombit-i cili për fatin tonë të keq, tashmë nuk është më në krizë, por drejt shpërbërjes”, tha Sula.
Ndërsa po ashtu, Sula theksoi se mësuesin në gjithë vendin janë të pasigurt për vendin e punës, për shkak të mungesës së nxënësve.
Deklarata e plotë:
Të dashur nxënës, mësues e prindër,
Në ditën e parë të fillimit të vitit shkollor, Partia Demokratike ju shpreh urime te përzemërta!
Eu4Schools, 61 shkolla në 11 bashki tashmë të përfunduara
Urime të veçanta për vogëlushët që ulen në bankat e klasës së pare!
Dita e parë e shkollës na tregon më së miri se Rilindja ka ndërtuar me shumë zell fasada të arsimit, por e ka e rrënuar çdo ditë strukturalisht atë, por sot as fasada nuk e fsheh dot më krizën.
Sot shkollat tona nuk janë më tempuj të dijes, por plagë të hapura të kombit që rrjedhin nga shpopullimi.
Bankat e zbrazëta dhe klasat e mbyllura janë pasqyra më e qartë e braktisjes së vendit, britma të heshtura apelimi të fëmijëve të larguar.
Të dhënat ndërkombëtare tregojnë se 10 % e shqiptarëve synojnë të largohen në harkun kohor të një viti, sepse këtu nuk kanë mundësi për të mbijetuar: mijëra nxënës më pak se viti i kaluar ndjekin arsimin parashkollor, mijëra më pak të regjistruar në klasën e pare, e mijëra më pak ndjekin ciklin e detyruar shkollor e atë të mesëm.
Vetëm në qarkun e Korçës arsimdashëse janë rreth 4000 nxënës më pak: 22 shkollave u është vënë dryni, dhjetëra klasave të para pa asnjë regjistrim sepse vogëlushët kanë marrë rrugën e emigrimit me prindërit. Ndërkohë tri shkollat e qytetit, dikur krenari lokale e kombëtare, sot rrezikojnë të kalojnë në shkolla vartëse për shkak të uljes drastike të numrit të nxënësve.
Në të njëjtën gjendje janë të gjitha qarqet.
Rreth 900 shkolla në mbarë vendin nuk janë më shkolla, por fantazma, dëshmi të heshtura të një kombi që po zbehet. Ndër to, disa shkolla të reja, me kosto marramendëse ndërtimi i kanë dhëna klasat për shërbime postare, shëndetësore etj. Ndërsa shkollat shuhen, në Astir, zonë me përqendrim të lartë të popullsisë prej 70 000 banorë ende nuk ka një institucion të arsimit publik.
• Viti që po nis sot mbart sezonat e vitit të kaluar shkollor. Klima e dhunës dhe bullizimit regjistroi një zinxhir gjëmash në Gjirokastër, Fier, Mat etj. Vrasja me thikë nga bashkëmoshatari e 15 vjeçarit Martin Cani në dyert e shkollës në mes të Tiranës, është ende e pashlyeshme.
• Rritja e konfliktualitetit, veçimi, dhuna, bullizimi janë ankth për prindërit, një pjesë e të cilëve vetëm për çështje të sigurisë po i kalojnë fëmijët në shkolla jo publike.
• Sipas treguesve ndërkombëtarë gati gjysma e popullsisë mbi 15 vjeç nuk është në gjendje të lexojë dhe të shkruajë një deklarate të thjeshtë dhe ta kuptojë atë, as të bëjnë llogari të thjeshtë në aritmetikë.
• Partia-shtet e ka braktisur arsimin prej vitesh – Jemi në fund të botës për arritje arsimore. UNESCO ka kërkuar në mënyrë urgjente rritjen e financimit dhe shpërndarjen efikase të burimeve, por qeveria as e ka marrë parasysh alarmin e kuq.
Rreth 16 mijë nxënës në shkollat profesionale
• Testet e maturës shtetërore, dolën të gjitha publikisht në minutat e para të provimit, ndërsa ministria shprehej me krenari se dalja e testeve nuk e cenon procesin.
• Familjet duhet të marrin borxhe për të përgatitur fëmijët për shkollë – vetëm tekstet e lëndëve të klasës 10 kushtojnë rreth 15 000 lekë.
• Viti shkollor që sapo ka nisur i gjen mësuesit me pagën më të ulët krahasuar me mësuesit e vendeve të rajonit, ndërsa janë nën presionin konstant politik.
• 33 % e mësuesve u diskriminuan nga paga e grupit dhe ende se kanë gjetur të drejtën se shteti të merr peng të drejtën që mësuesit kanë gëzuar me dhjetëra vite.
• Mësuesit jo vetëm në zonat rurale dhe malore, por edhe në Tiranë janë të pasigurt për vendin e punës prej rënies së numrit të nxënësve, një pjesë kanë kaluar në rolin e mësuesit ndihmës, shumica presin me shqetësim nëse do të plotësohen me ngarkesën mësimore, ndërsa shumë të tjerë janë larguar në emigrim.
• Portali për mësues nuk është i Shqipërisë, por i partisë sepse fitimi i vendit të punës është ekskluzivisht pronë e partisë shtet.
-Për skemën e mashtrimit ‘Klea Rama’, ku qindra maturantë u mashtruan se do të studionin në universitete në ShBA, një i ri anonim vuan dënimin për shkeljen e ligjit, ndërsa asnjë drejtuesi nuk i hyri gjembi në këmbë, madje zonja Klotilda Jaupi e lidhur drejtpërdrejt me skemën e mashtrimit vijon të drejtojë një prej shkollave të mesme më të mirë të vendit, gjimnazin ‘Qemal Stafa’.
Të nderuar qytetarë,
Pas 12 vitesh të Rilindjes nuk mund të flasim më për mungesë vëmendjeje por për vetëdije shtetërore për të braktisur fëmijët, dijen, të ardhmen e kombit-i cili për fatin tonë të keq, tashmë nuk është më në krizë, por drejt shpërbërjes.
Në nisje të vitit të ri shkollor, Presidenti i Republikës Bajram Begaj, ka uruar nxënësit nga shkolla në vendëlindjen e tij në fshatin Gosë.
Begaj u takua me nxënës, mësues e prindër gjatë vizitës në këtë shkollë, nga ku uroi suksese në mbarëvajtjen e mësimit dhe edukimit, duke theksuar rëndësinë që ka shkolla në formësimin e individit dhe shoqërisë dhe në kultivimin e vlerave njerëzore.
“Një shkollë e fortë formëson qytetarë të ditur. Qytetarët e ditur ndërtojnë shoqëri të zhvilluar, të ardhme të ndritur dhe Shqipëri të fortë.
Uroj, besoj dhe shpresoj që ju të jeni një brez që e do gjuhën shqipe, ka pasionin e dijes, përqafon teknologjinë, çmon dhe respekton njëri-tjetrin”.
Një mesazh të veçantë Presidenti i Republikës përcolli për nxënësit e klasës së parë, më të cilët ndau eksperiencën e tij në shkollën e fshatit Gosë, duke u shprehur se këtu fillon baza e dijes, mësimet e para, ndërtohet një përvojë e pasur dhe miqësi të reja.
“Fillimi i vitit shkollor është gjithmonë emocion i madh, pikënisje që shënon një kapitulli të ri në jetën tuaj dhe të mijëra nxënësve”.
Ndërsa theksoi integrimin e shkollave me risitë teknologjike, Presidenti i Republikës theksoi në mesazhin e tij rëndësinë që ka shkolla në ruajtjen e vlerave njerëzore:
“Shkolla nuk është vetëm vendi ku mësojmë lëndë dhe libra, është vendi ku formësojmë vlera. Çdo shtator është sfidë, përgjegjësi dhe mundësi para të gjithëve: nxënësve, mësuesve, prindërve dhe shoqërisë. Teknologjia dhe rrjetet sociale janë mjete të fuqishme, por ato nuk mund të zëvendësojnë respektin, miqësinë dhe dashurinë për njëri-tjetrin”.
Kreu i Shtetit theksoi rëndësinë e respektimit të ndërsjellë në shkollë, në mënyrë që askush të mos ndihet i përjashtuar dhe, gjithashtu, theksoi se ky edukim duhet të nisë nga familja. E krahas sfidave, nxënësve u uroi t’i jetojnë vitet e shkollës me punë e pasion, duke qenë kërkues për dijen.
"Këto vite janë thesari juaj më i madh, janë suksesi i të ardhmes suaj. Kushtojuni rëndësi, mësoni me përkushtim, por edhe me gëzim. Jini kurioz, pyesni, kërkoni, studioni, zbuloni dhe ëndërroni çdo ditë. Bëni shokë dhe shoqe. Gëzojeni jetën tuaj me miqësitë më të bukura e më të vërteta të jetës.
Mësuesve u shprehu mirënjohje për misionin fisnik: “Mësuesia është profesion i pasionit dhe sakrificës, është profesion i jetës, profesion që ndërton të ardhmen e kombit. Kontributi juaj mbetet i pashlyeshëm”.
Një rëndësi të veçantë në këtë mesazh Presidenti Begaj i kushtoi gjuhës shqipe.
“Si President i kam kushtuar rëndësi të posaçme gjuhës dhe alfabetit shqip. U gëzova vërtet shumë kur mësova nga drejtoresha juaj që jeni ndër kampionët e shkollave në këtë lëndë. Në kohën kur mbizotëron teknologjia dhe imazhi është i plotfuqishëm, gjuha shqipe mbetet çelësi i ndërlidhjes dhe i suksesit afatgjatë”.
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, vizitoi sot, në ditën e parë të vitit të ri shkollor, Institutin e Nxënësve që nuk Shikojnë, ku u prit nga drejtori i shkollës, Emiliano Lule.
Instituti, i vetmi në Shqipëri për arsimin special dhe integrimin e fëmijëve që nuk shikojnë dhe atyre me vështirësi shikimi, ndjek ciklin 9-vjeçar për rreth 70 fëmijë dhe ofron kujdes dhe edukim 24-orësh.
Spiropali përgëzoi mësuesit dhe drejtuesit për nismën “Zëri Mund të Shkojë Aty Ku Shikimi Nuk Mundet!”, ku lexues vullnetarë dhurojnë zërin e tyre për fëmijët, duke krijuar një bibliotekë zanore që mundëson të mësojnë përmes dëgjimit.
“Gjej rastin t'iu uroj të gjithë fëmijëve që sot fillojnë shkollën, një vit sa më të mbarë shkollor dhe uroj po ashtu prindërit dhe jam e sigurt që kanë po të njëjtët emocione si fëmijët që përpiqen aq shumë për edukimin e fëmijëve të tyre dhe kanë një prioritet absolut në familjet dhe jetët e tyre.
Përgëzoj edukatorët, mësuesit, ata që iu qëndrojnë pranë fëmijëve se kanë një mision të jashtëzakonshëm jo vetëm të dijes por edhe të edukimit, ndërgjegjësimit, të qëndrimit pranë ndaj fëmijëve që shkollën besoj unë si të gjithë ata që përpara tyre kanë kaluar në këtë vështirësi sidomos në këtë institut të fëmijëve që nuk shikojnë, nga ku ne kemi ardhur sot për të uruar të gjithë, këtë vështirësi që duhet ta kalojnë përmes investimeve më të mira, përmes punës, përmes programeve të reja dhe gjej rastin që nga ky institut i fëmijëve që nuk shikojnë, të uroj të gjithë dhe mbi të gjitha këta fëmijë që përballen në këtë fazë të parë të jetës me vështirësi të shtuara dhe pamundësi.
Më erdhi shumë mirë që shoh që në këtë institute ka patur investime të reja, ka patur përkujdes dhe pata rastin të shoh edhe programin e regjistrimit të zërit në studion e institutit ku fëmijë të gjimnazeve, apo edhe njerëz të kulturës dhe artit të japin zërin e tyre duke lexuar libra që fëmijët të kenë mundësi të dëgjojnë dhe mësojnë përmes dëgjimit, pasi zëri shkon aty ku syri nuk mundet siç e thoni ju.
Pata rastin të shikoj investimet që janë bërë për Kodin Braille që është kodi zyrtar i mënyrës si fëmijët që nuk shohin, lexojnë. I takova fëmijët dhe shoh që këtu përkujdesja edhe gjatë ditës dhe jo vetëm në orët e mësimit sepse ky është një institute që funksionon 24 orë, ku fëmijë nga gjithë Shqipëria edhe jetojnë së bashku.
Me rastin e nisjes së vitit të ri shkollor 2025-2026, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, ka përcjellë një videomesazh urimi për nxënësit, mësuesit dhe prindërit në të gjithë vendin, duke ndarë emocionet e kësaj dite të veçantë dhe duke prezantuar risitë që do të shoqërojnë këtë vit shkollor.
Mesazhi i plotë i Ministres Manastirliu:
“Të dashur nxënës, mësues dhe prindër!
Sot është një ditë e veçantë. Një ditë që përsëritet çdo vit, por që gjithmonë sjell emocione të reja. Është dita e parë e shkollës. Një ditë që na kujton se arsimi është fillimi i çdo rruge të bukur, i çdo ëndrre që duam të realizojmë.
Në këtë mëngjes shtatori, të gjithë së bashku ndajmë një simbolikë të fortë për fëmijët që për herë të parë hedhin hapin në klasën e parë. Për mbi 26,500 nxënës, kjo ditë është dritarja më e re që sot hapet drejt dijes. Çantat sot janë të mbushura jo vetëm me libra të rinj, por edhe me ëndrra, kuriozitet dhe gëzimin e një rrugëtimi të bukur që nis në bankat e shkollës.
Sot ju, të dashur prindër, dorëzoni më të shtrenjtët tuaj në duart e shkollës. Faleminderit për besimin dhe për bashkëpunimin. Së bashku, jemi partnerë në edukimin e brezit të ri, duke ndërtuar mbi dashurinë tuaj për fëmijët një bazë të fortë për të ardhmen e tyre.
Të dashur mësues,
Ju jeni themeli i çdo suksesi që vendi ynë arrin në fushën e arsimit. Me përkushtimin dhe profesionalizmin tuaj, ju nuk mësoni vetëm matematikën, gjuhën, shkencën apo artin. Ju mësoni vlera, mësoni shpresën, mësoni përgjegjësi, ndaj jemi krenarë për punën e secilit prej jush.
Ky vit i ri shkollor sjell të reja të rëndësishme. 30 shkolla të reja e të rehabilituara mirëpresin fëmijët të cilët rikthehen në klasat e tyre me standardet më të mira. Ne kemi vijuar punën, kemi bërë më të mirën që ta riorganizojmë dhe rikthimin në shkollë ta bëjmë sa më të kënaqshëm për ju.
Në shkolla tashmë kemi 340 laboratorë inteligjentë, ku nxënësit mund të eksperimentojnë, të krijojnë dhe të shfrytëzojnë teknologjinë moderne për të mësuar më mirë dhe po punojmë për ta çuar në 1000 numrin e laboratorëve inteligjentë në shkolla. Për herë të parë, kemi përfshirë nocionet bazë të inteligjencës artificiale në kurrikulën e TIK nga klasa e IV duke përgatitur nxënësit për një botë ku dijet dhe teknologjia ecin bashkë.
Po ashtu, nisim një program të ri për zhvillimin profesional të mësuesve, që do t’i ndihmojë ata për të zgjeruar aftësitë në platformat digjitale dhe për t’iu përgjigjur nevojave të brezit të ri. Mësues më të përgatitur do të thotë nxënës më të aftë dhe një shkollë më cilësore.
Por arsimi nuk është vetëm teknologji dhe reforma. Arsimi është mbi të gjitha njeriu. Për këtë arsye, ne përgatitemi të forcojmë mbështetjen psikosociale për nxënësit, duke i ndihmuar ata të jenë edhe më të sigurt, edhe më të përfshirë në një mjedis të qetë dhe miqësor në shkollë.
Në këtë vit, në shkolla do të kemi 340 oficerë sigurie, rreth 100 oficerë sigurie më shumë se vjet që do të punojnë sipas protokolleve dhe standardeve të përditësuara. Do të thotë një garanci më shumë për sigurinë në shkolla.
930 psikologë dhe punonjës socialë do të jenë pranë nxënësve për të adresuar çdo nevojë sociale apo emocionale të tyre.
Për nxënësit me aftësi të veçanta kemi rritur numrin e mësuesve ndihmës. 2260 mësues ndihmës do të mbështesin këta nxënës me aftësi speciale sipas planeve të personalizuara në mbështetjen e tyre në shkollë.
Shkollat tona po bëhen gjithnjë e më shumë hapësira ku nxënësit zhvillojnë talentet dhe janë më të angazhuar e të lidhur gjithnjë e më shumë me komunitetin.
300 shkolla ofrojnë programin “Art dhe Zeje”, teksa mbi 12 mijë nxënës do të jenë pjesë e programit të ekipeve sportive në shkolla, duke përfshirë në këtë program për herë të parë, veç basketbollit dhe volejbollit, edhe shahun.
Siç e dini, shkolla nuk është vetëm mësimi në klasa; këtë vit do të jetë shkolla një ekran, një skenë ku nxënësit tanë do të shfaqin talentet në konkurset që realizojmë për herë të parë këtë vit. Në Konkursin Kombëtar të Teatrit, i cili do të nxisë krijimtarinë, vetëbesimin, punën në grup dhe do u sjellë nxënësve një tjetër përvojë të vlefshme kulturore e edukative.
Për herë të parë do të zhvillojmë Festivalin e Shkencës për gjimnazet, për të nxitur tek nxënësit të eksperimentojnë me ide të reja dhe të përjetojnë shkencën si krijim dhe aventurë. Do të vijojmë me edicionin e 4-t të Konkursit Kombëtar të Gjuhës, organizimi i të cilit tashmë është kthyer në një traditë të bukur.
Të dashur nxënës,
Jam e bindur se ky vit për secilin prej jush do të jetë një eksperiencë e jashtëzakonshme që ju do ta përjetoni të rrethuar nga shoqe e shokë fantastikë, me mësues të gatshëm t’ju mbështesin në çdo hap tuajin dhe me prindërit, që jam e bindur që ju do t’i bëni kaq shumë krenarë për arritjet tuaja.
Në emër të gjithë sistemit arsimor, ju uroj të gjithëve një vit të mbarë, të mbushur me suksese, dije dhe gëzim.”
Kryeministri Edi Rama ka uruar suksese për 345 mijë nxënës që ulen sot në bankat e shkollave, përfshirë 26 500 fëmijët që nisim rrugëtimin e dijes në klasë të parë.
Komente

Kot I coni ne shkoll.prap do filloj te Ken idhuj kta memet e tik tok Öse instagram.do shikojn suaden Pa Tru e do dun te shkojn ne dubai.do shikojn kozakun me lek e do dun te bojn Si horra.do shikojn keta te tjeret qe DH e bejn Ll idhit I thojn illi etj eth.mos u ankoni e vej doren ne Zjarr QE NGA keta QE kan NIS shkollen Ket vit 90 % do Jen analfabet Funksional ne mbarim te 9 vjecares.ky brez esht ai brezi i rrit MES te mirave e QE nxjerrin burra leshi
Përgjigju