Erion Veliaj

Politikë

Viti i ri shkollor, Veliaj mesazh nxënësve nga qelia: Tim bir s’e shoqëroj dot në klasë të parë, m'u thye zemra! Bëhuni gjahtarë idesh dhe jo njerëzish

4 Shtator, 11:30| Përditesimi: 4 Shtator, 14:36

  • Share

Mesazhin e urimit për nxënësit për nisjen e vitit të ri shkollor, traditë në 10 vite, këtë radhë kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj e shkroi nga qelia e paraburgimit të Durrësit.  Këtë vit e konsideron të veçantë, pasi edhe djali i tij shkon në klasën e parë, ndaj thekson se ndihet zemërthyer që nuk do mundet ta shoqërojë në ditën e parë. 

Teksa shpreh krenarinë për shkollat, kopshtet dhe çerdhet e reja në Tiranë, Veliaj, shkruan edhe për një peng të tijin, që thotë se shpreson ta vë shpejt në jetë.

"Ndihem i keq ardhur që u penguam në projektin e drekës falas në shkolla. Ndalimi arbitrar i vullnetit të popullit për t’u qeverisur në bashki prodhon pasoja. Përgjegjësia mbetet tek unë dhe do ta rikuperoj sa më shpejt që të mundem", shkruan Veliaj. 

Në një sërë këshillash që i jep fëmijëve në drejtim të dijes, mesazhet duket se shkojnë edhe drejt ngjyrimit politik drejtuar kundërshtarëve të tij, ndaj situatës që vetë ai po kalon në përballje me drejtësinë. “Bëhuni gjahtarë idesh dhe jo njerëzish”, shkruan kryebashkiaku Veliaj, ndërsa të rinjve të Tiranës u jep mesazhin se edhe nëse rrëzohen, kjo nuk zgjat pafundësisht.

"Qytetin në dritë e nxjerrin ata që ndjekin përpjekjet e mira, jo ata që përndjekin njerëzit e mirë. Zgjidhni të jeni luanë dhe jo hijena. Bëhuni gjahtarë idesh dhe jo gjahtarë njerëzish. Gjuhën shqipe përdoreni si ilaç që shëron, jo si helm në rrjete e portale ndaj njëri-tjetrit. Jeta mund t’ju ulë në gjunjë - ja, më pyesni mua - por, nëse ngrihesh dhe ja kris vrapit sërish, e rigjen veten dhe vendin që meriton. Rrëzimi nuk është e kundërta e suksesit, e as nuk zgjat pafundësisht", shkruan Veliaj. 

Kryebashkiaku Veliaj është në hetim në masë arresti me burg prej 10 shkurtit të këtij viti, për korrupsion pasiv, pastrim parash, fshehje pasurie dhe futje e sendeve të paligjshme në burg, në një proces që deri më tani është deklaruar i pafajshëm.

Po këtë të enjte, Veliaj iu drejtua Gjykatës së Posaçme, duke kërkuar që ajo ta lejojë të takohet me 4 avokatët e tij të huaj, refuzimin për të cilët SPAK e argumentoi se nuk janë të licencuar në Shqipëri. Veliaj i thotë gjykatës se SPAK nuk ka të drejtë ta bllokojë, pasi avokatët e huaj nuk i do për gjyqin në Shqipëri, por për padinë që po përgatit për në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut, në Strasburg.

Postimi i plotë i Erion Veliaj:

Një urim, një ndjesë dhe tre këshilla

Të dashur miqtë e mi, nxënës të Tiranës,

Prej dhjetë vitesh ju kam shkruar personalisht çdo shtator, për t’ju uruar sukses e mbarësi. Ndaj, edhe pse virtualisht, nuk doja të mungoja këtë vit për t’ju dhënë kurajo me një mesazh zemre.

Ky vit është posaçërisht i veçantë për mua, teksa edhe im bir shkon në klasën e parë. Edhe pse më është thyer zemra, pasi nuk mund ta shoqëroj në shkollë në ditën e parë, e di që edhe për shumë familje të tjera ka pasur sfida këtë vit. Por, kjo s’duhet të na heqë gëzimin e këtij fillimi të ri, shprese të re. Ndaj, nga zemra ju uroj sukses për vitin e ri shkollor 2025-2026.

Së dyti, një ndjesë të sinqertë. Ne kemi ndërtuar 50 shkolla të reja në Tiranë, totalisht europiane, dhe 110 kopshte e çerdhe të reja. Kjo më bën krenar për punën në bashki dhe për të gjithë ata që na kanë dhënë një dorë. Megjithatë, ndihem i keqardhur që u penguam në projektin tonë të drekës falas në shkolla - një ide që e kam dashur prej kohësh dhe që më në fund ishim gati ta implementonim. Dreka do ushqente fëmijët e Tiranës nga e majta dhe e djathta, vendalinjtë dhe të ardhurit. Ndalimi arbitrar i vullnetit të popullit për t’u qeverisur në bashki prodhon pasoja, ku projekti i drekës në shkolla është vetem njëri prej tyre. Megjithatë, përgjegjësia mbetet tek unë dhe do ta rikuperoj sa me shpejt që të mundem.

Dhe në fund, 3 këshilla që me shpresë do t’ua gjeni dobinë:

1.

Përqafoni dijen. Mësoni fort, lexoni shumë, kapni dijet, jo veç notat. Dija është e vetmja pronë që do keni gjithnjë me vete, dhe as e prish dot tërmeti, as përmbytet e as sekuestrohet. Është gjithmonë juaja dhe në dobinë tuaj.

Tiranën dhe kombin tonë mund ta çojnë përpara vetëm ata që shkëlqejnë në dije, ata që punojnë fort dhe sjellin risi, jo ata që pengojnë pa pushim. Qytetin në dritë e nxjerrin ata që ndjekin përpjekjet e mira, jo ata që përndjekin njerëzit e mirë.

Ndaj, bëhuni gjahtarë ideshë dhe jo gjahtarë njerëzish. Në një shoqëri demokratike, ku mund të jeni gjithçka, zgjidhni të jeni luanë dhe jo hijena.

Mësoni historinë për të mos e përsëritur atë! Lakojeni bukur gjuhën shqipe për ta përdorur si ilaç që shëron, jo si helm në rrjete e portale ndaj njëri-tjetrit. Thikat përdorini në një kurs gatimi, por kurrë në oborre shkollash ndaj shokut - brezi juaj nuk mund të jetë kopja e re e brezit të vjetër nga TV-të e një nate më parë. Përqafoni dijen miq, e ajo do t’ju nderojë.

2.

Përkraheni suksesin dhe mos i vajtoni stepjet e pengesat e përkohshme.

Nëse një nga shokët merr 10, bën një 3 pikësh apo fiton olimpiadën, gëzohuni të gjithë bashkë. E di që në shoqërinë tonë shpesh suksesi është një mëkat i pafalshëm, por ju jeni shpresë për një Shqipëri të re, ku solidariteti e mirësia e mund arrogancën e injorancën.

Rrëzimi nuk është e kundërta e suksesit, e as nuk zgjat pafundësisht. Jeta mund t’ju ulë në gjunjë dhe më poshtë se ëndrra juaj më e keqe - ja, më pyesni mua - por, nëse ngrihesh dhe ja kris vrapit sërish, më fort e më shpejt, e rigjen veten dhe vendin që meriton.

Dhe nëse shihni të tjerë që rrëzohen, mos iu gëzoni fatkeqësisë së tyre sepse padrejtësia diku, shpejt kthehet në padrejtësi kudo, ndaj fërkimi i duarve ndaj vuajtjes së tjetrit, as ju ndihmon, as ju nderon.

Përqafoni sukseset e njëri-tjetrit dhe jepini dorën shoshoqit për t’u ngritur më shpejt e avancuar më fort.

3.

Familja dhe miqtë nuk mund të zëvendësohen nga teknologjia. Përdorini mjetet digjitale, por mos harroni se jemi njerëz. Inteligjenca artificiale mund të zgjidhë probleme të matematikës apo t’ju kompozojë një këngë, por nuk ka empatinë e një shoku a një shoqeje që të përqafon, qan e qesh me ty, të ngre humorin kur pengohesh, të brohoret kur ringrihesh.

Kaloni kohë cilësore me familjet tuaja; nuk ka telefon, avatar apo chatbot që zëvendëson prindërit, gjyshërit, motrën e vëllain. Jeta nuk është e pafundme dhe as e parashikueshme, ndaj shijoni çdo moment e çdo mundësi për të qenë bashkë, biseduar, luajtur e udhëtuar.

Unë, si edhe ata, jam shumë krenar për ju. Në këto 10 vite që ju kam njohur - disa prej jush, që nga kopshti e gjer në gjimnaz, - kam parë te ju të ardhmen, dhe më është dukur e shkëlqyer. Kam parë shqiptarët e rinj plot mirësi, përulësi, dije, zell, të mençur e të dashur.

Forca pra, për një vit tjetër të shkëlqyer!

Ju dua shumë!

Lali Eri

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Berisha vijon të sulmojë drejtësinë, KLGJ nuk reagon: A ka dy standarde?