Marine Le Pen

Bota

Viti i zi i Marine Le Pen, hodhi poshtë edhe të atin për të ‘marrë’ Elysee

1 Prill, 13:05| Përditesimi: 1 Prill, 13:15

  • Share

"Ashtu si babai im, di të relativizoj dhe të shëroj plagët. Është një dhuratë", përsërit shpesh Marine Le Pen. Një mantra që sot tingëllon si një mburojë ndaj rënies së një fati familjar që dukej i paracaktuar, por që në vitin 2025 nisi me tragjedi. Ndërsa liderja e Rassemblement National përballej me procesin që e kishte frikësuar si një "ekzekutim politik", viti u hap me funeralin e babait të saj, Jean-Marine Le Pen, në La Trinité-sur-Mer, streha e dinastisë breton. Dhimbjes iu shtua edhe pendimi: "Nuk do ta fal kurrë veten për atë vendim. E di që i shkaktoi dhimbje të madhe", pranoi Marine, duke iu referuar përjashtimit të babait të saj nga partia në vitin 2015, pas një tjetër provokimi antisemitik. Një rrëfim i ri, që tradhtonte një dyshim të pashprehur deri tani. Si të thuash, rruga e gjatë drejt "normalizimit", e nevojshme për të arritur pushtetin, kishte filluar të rëndonte. Pikërisht tani, kur objektivi dukej më afër se kurrë, etiketimet – raciste, fashiste, antisemitike – që për vite me radhë e kishin shoqëruar, po humbnin efektin e tyre.

"Unë nuk jam e dëshpëruar, jam e revoltuar", deklaroi dje në një intervistë televizive, duke mohuar zërat se është dorëzuar tashmë. Vjeshta për të ishte një periudhë e dhimbshme, e ndarë mes seancave në gjykatë dhe shtratit të vdekjes së babait. "Ka dalë e rrënuar, e rraskapitur", thonë njerëz të afërt të saj, duke shpjeguar kështu mungesën e një strategjie mbrojtëse të efektshme në gjykatë. Akuza e prokurorisë dhe ndalimi i saj për të kandiduar në zgjedhje, me efekt të menjëhershëm, hodhën në erë "strategjinë e kravatës" – profilin e ulët dhe përgjegjës që deputetët e saj kishin mbajtur në Parlament. Pothuajse në të njëjtën kohë me përshpejtimin e procesit gjyqësor, në dhjetor Le Pen vendosi të luante një kartë të fortë: rrëzimin e qeverisë së Michel Barnier. Një lëvizje që duhej ta rikthente në qendër të skenës politike, por që përfundoi duke u përplasur me vendimin më të frikshëm.

Gjatë leximit të vendimit gjyqësor, sa herë që kryetarja e trupit gjykues përmendte emrat e të dënuarve – sekretarja, truproja, majordomi i Jean-Marine, ish-partneri Louis Aliot, motra Yann – Marine tundte kokën. Ajo, një avokate me profesion, u largua nga salla pa pritur fundin e seancës dhe menjëherë thirri një mbledhje urgjente në selinë e partisë. Deri në momentin e fundit, nuk donte ta besonte. Fundjavën e kaluar, shprehej e qetë, duke u marrë me kopshtarinë mes maceve të saj të dashura: "Nuk besoj se do të shkojnë deri në këtë pikë", përsëriste për gjyqtarët. Por dita e kobshme, që ajo e quajti "një ditë e zezë për demokracinë dhe për Francën", erdhi.

Tani, ajo premton betejë. Por përreth saj, ndjenja se diçka është krisur në mburojën që ka ndërtuar ndër vite po rritet. Pamjet e saj duke qarë, teksa mëson nga gazetarët për vdekjen e babait, qarkulluan shpejt në internet. Një cenim i privatësisë, sigurisht. Por jo diçka e re për një familje që prej gjysmë shekulli ka jetuar nën dritat e reflektorëve. Nëna e saj, Pierrette Le Pen, pozoi nudo për revistën Playboy pas ndarjes me të shoqin. Marine atëherë ishte vetëm nëntëmbëdhjetë vjeç. "Nëna na braktisi dhe u bë lajm në televizion, në gazeta. Na akuzonin për gjithçka: babai im torturues në Algjeri, vrasës i mikut Lambert. Na pështynin. Kjo më ka dhënë forcë", tregonte ajo. Por sot, ajo mburojë duket se po fillon të çahet.

Në moshën tetëvjeçare, Marine përfundoi në rrugë, vetëm me një këmishë nate, pasi një shpërthim me njëzet kilogramë dinamit shkatërroi apartamentin e familjes. Për mrekulli nuk pati viktima, por autoritetet nuk nisën ndonjë hetim serioz.  "Aty kuptova diçka të tmerrshme," kujton ajo. "Babai im dhe familja ime nuk trajtoheshin si të tjerët. Donin të na vrisnin, dhe askujt nuk i interesonte. Ajo sulm ishte fillimi i një ostracizmi radikal. U rrita me ndjesinë se isha një e përjashtuar. Dhe kjo të forcon."

Ata që e njohin thonë se Marine kishte parashikuar një tërheqje nga politika në vitin 2027, nëse humbiste për të katërtën herë garën presidenciale. Por të largohej tani, me një dënim mbi shpatulla dhe pa mundësinë e duelit final, është një ide që e shkatërron. Ajo ndihet e legjitimuar nga miliona votues, nga një parti pothuajse e rehabilituar dhe nga një makinë politike që ka arritur të reformojë, madje edhe në borxhet me Moskën.

Fyerje, bomba, përçarje familjare – dinastia e Montretout, e përjetësuar në atë foto të famshme të patriarkut me tri vajzat bionde në kështjellë, ka përjetuar gjithçka. Ajo ka qenë pjesë e historisë franceze nga gjysma e dytë e shekullit XX deri në ditët e sotme. Sot, ajo ndodhet në një udhëkryq. Dhe mbiemri Le Pen mund të mos peshojë më në politikën franceze./La Repubblica

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A e keni vendosur se për kë do të votoni më 11 maj?