Muaj janar të ardhurat në buxhetin e shtetit përsëri kanë pasur rënie, çka dëshmon se pandemia COVID-19, vijon të ketë ndikim negativ në ekonomi, edhe pse nuk jemi me masa kufizuese të plota. Te dhënat më të fundit të ministrisë së financave tregojnë se në muajin e pare të vitit janë arkëtuar 284.6 milionë euro, me një tkurrje prej më shumë se 6.9 milionë eurosh krahasuar me janari i 2020, kohë kur nuk kishte nisur pandemia në vendin tonë.
Sipas të dhënave deri në fund të janarit u mblodhën nga të ardhurat tatimore 274.5 milionë euro, duke u ulur me rreth 3.2 milionë euro krahasuar me vitin me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Ndërkohë nga TVSH-ja që është ndër zërat kryesor në të ardhura janë mbledhur 90.7 milionë euro, me një rënie me 2.3 milionë eurosh krahasuar me vitin e kaluar, çka tregon që konsumi dhe xhiroja e bizneseve përsëri është e ulët.
Të dhënat fiskale tregojnë se të larguarit nga puna si pasojë e pandemisë, janë ri-integruar në treg, për shkak se të ardhurat nga tatimi mbi pagën janë një rënie të lehtë. Nga ana tjetër është ndjerë menjëherë në buxhet heqja e tatimit mbi fitimin për bizneset me xhiro deri në 14 milionë lekë, pasi arkës së shtetit i mungojnë 5.6 milionë euro vetëm nga ky zë.
Nga tatimi mbi fitimin në muajin janar janë arkëtuar 12.5 milionë euro, nga 18.2 milionë euro që u mblodhën në vitin e kaluar, ndërsa nga tatimi mbi të ardhurat personale mungojnë vetëm 623 mijë e 379 euro.
Edhe në zërat e tjerë të ardhurave ka pasur rënie por tek bizneset duket se ajo është më e lartë. Por ndryshe nga muajit e kaluar të ardhurat nga pushteti vendor janë rritur me 931 mijë euro. Në total nga bashkitë në janar janë realizuar 10.8 milionë euro të ardhura nga 9.9 milionë në vitin e kaluar.
TË ARDHURAT NGA PUSHTETI VENDOR
Janar 2020 9,949 mln euro
Janar 2021 10,880 mln euro
Diferenca +931 mijë euro
TATIM MBI FITIMIN
Janar 2020 18,256 mln euro
Janar 2021 12,572 mln euro
Diferenca -5.6 mln euro
TË ARDHURAT NË MUAJIN JANAR
Janar 2020 291,547 mln euro
Janar 2021 284,625 mln euro
Diferenca - 6.921 mln euro
TË ARDHURAT TATIMORE
Viti 2020 277,808 mln euro
Viti 2021 274,521 mln euro
Diferenca -3,286 mln euro
TË ARDHURAT NGA TVSH
Janar 2020 93,045 mln euro
Janar 2021 90,713 mln euro
Diferenca -2,331 mln euro