Viti për vogëlushet nis me ‘Hirushen’ te Teatri i Kukullave! 5 aktorë në skenë, i japin jetë personazheve të përrallës

8 Janar 2023, 09:11| Përditesimi: 8 Janar 2023, 09:21

  • Share

Paraditen e së shtunës, Teatri i Kukullave mbajti të parën shfaqje për fëmijë këtë fillim vit... Përralla e “Hirushes”, me regji të Klajd Ymerit zë vend në sallën “Tonin Harapi”... Edhe ditën e sotme, do të luhet e njëjta shfaqje për fëmijët në Teatrin e Kukullave. 

5 aktorë në skenë u japin zë kukullave, në një shfaqje tavoline... Dhe fëmijët udhëtojnë në rrëfenjën e një mbreti që do të martojë të birin brenda natës, e ku pse jo festës së një balloje, mund t’i përgjigjej vajza e duhur...

Esmeralda Kame sjell vajzën e dlirë, që vuan sjelljen brutale të njerkës dhe dy vajzave të saj, të interpretuara nga Ermonela Alikaj dhe Albana Koçaj.

Peshën kryesore të shfaqjes e mban aktori i ri Ilia Kaçi, i cili vjen me rol të trefishtë, si Lolo, i besuari i mbretit që duhet të vërë në jetë idetë e tij, njerka dhe princi... Një princ ndryshe nga ai klasiku i mençur e zemërbutë, që me fjalët e tij ia shton komicitetin kësaj vënie skenike...

Aktorët e Teatrit të Kukullave e mbyllën vitin që lamë pas, duke interpretuar në Tiranë e rrethe, ku mundën të merrnin emocione të forta...

Në pritje të teatrit të ri, edhe ky vit nis me sfida, të cilat siç thonë, i tejkalojnë me pasionin për artin , e duartrokitjet e publikut.

G.MO/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?