Sali Berisha po ecte me një gjysmë vrapi të nxituar drejt hyrjes së Parlamentit, me një dosje në dorë, duke ngjitur shkallët dy e nga dy, ndërsa gazetarët në oborrin godinës, të cilët po raportonin mbylljen e seancës së parë të Legjislaturës në kohë rekord me votimin e Qeverisë, po e shihnin tërthorazi me habi.
Në fraksion minute, të gjithë mikrofonët e mediave u zhvendosën për tek ai, pasi ishte kthyer në oborrin e Parlamentit ende pa u futur në sallë.
“Edi Rama po i vë drynin Parlamentin”, tha Berisha, ndoshta për të parën herë në jetë me vonesë në një seancë plenare.
Në kujtesën e jetës legjislative të vendit, ai ka qenë gjithnjë në pararojë, si në pushtet, e aq më tepër në opozitë. Sot, aksidentalisht ose qëllimisht, ishte 27 minuta me vonesë.
Aq minuta u deshën që grupi i tij të krijonte kaos të pashembullt në sallën e seancave plenare dhe mazhoranca e stërfryrë e mandatit të katërt të Ramës, të kalonte votëbesimin e Qeverisë dhe programin e Shqipërisë 2030 në kohë rekord.
E teksa jeta parlamentare vetëm e qetë nuk mund të quhet në vend, situata e krijuar e sotme, ka një emërues të përbashkët: Diellën.
Nga njëra palë, kryeministri Edi Rama e zgjodhi kohën për t’i dhënë ministres së tij të re me AI, risisë me jehonë ndërkombëtare si primat në Parlamentin e Shqipërisë, 240 sekonda të shpaloste vizionin e saj.
‘Xhindosja’ e opozitës filloi pikërisht aty – si kahu tjetër i medaljes – dhe Berisha, lideri i saj, nuk ishte në sallë!
Por, si u zhvillua e gjitha?
Seanca nisi me fjalën e kryeministrit Edi Rama, i cili e mori foltoren në përpjekje për të prezantuar programin qeverisës të Shqipërisë 2030.
Ai i vendosi piketat vetëm te fusha e Inteligjencës Artificiale, duke dhënë disa detaje dhe duke shtuar se pjesa tjetër e programit, do të prezantohej nga ministrat përkatës.
Albanian Innovation 4 do të jetë ‘akseleratori’ i ministres për AI, Diella. Duket se Rama do të kërkojë, në bazë të fjalës së tij, të marrë ekspertët më të mirë shqiptarë brenda dhe jashtë vendit për të investuar në ministren e Inteligjencës Artificiale. E quan këtë shtyllë kryesore për Shqipërinë 2030.
Ai përmend gjithashtu një cikël gjenerues për vendin përmes kësaj lëvizjeje. Digjitalizimi i qeverisjes objektiv kryesor.
Shtytja e start up-eve po ashtu në qendër të vëmendjes në programin për Shqipërinë 2030.
Më pas, episodi që nisi acarimin e opozitës. Rama i kalon fjalën Diellës si ministre AI, për të prezantuar ai çfarë u komunikua si ‘shtjellimi i punës së saj’ gjatë mandatit.
Por, kjo ka nxitur reagimin e menjëhershëm të opozitës, me tone të ashpra dhe përplasja më e fortë erdhi mes deputetit demokrat Klevis Balliu dhe vetë Ramës.
Pas disa paralajmërimeve, kryetari i Parlamentit, Niko Peleshi, i hoqi të drejtën e fjalës për seancën Balliut.
Teksa, nga ana tjetër, kreu i Grupit Parlamentar socialist, Taulant Balla, kërkoi pesë minuta pushim në mënyrë që rendi të rivendosej në seancë e mandej, nëse situata do të mbetej e tillë, lajmëroi se mazhoranca do të kalonte me votat e saj Qeverinë e re dhe programin.
Me rikthimin në seancë, asgjë nuk ndryshoi dhe mes hedhjes së programeve ndaj Qeverisë dhe tensioneve të mëdha, socialistët mblodhën 82 vota, duke miratuar kabinetin e ri, programin dhe duke e mbyllur seancën në diçka më shumë se 25 minuta.
E nga sa kuptohet, ‘Diella’ duket që në mëngjes. Parlamenti do të vijojë të mbetet ky./Albanian Post
Komente
