Talenti brazilian i Barcelonës, Vitor Roque po kalon një periudhë të vështirë në klubin katalanas dhe agjenti i tij ka drejtuar gishtin te trajneri Xavi, i cili dyshohet se është sjellë tërësisht neglizhent ndaj të riut.
Vitor Roque mbërriti në Barcelonë në merkaton e janarit me statusin e një prej sulmuesve të rinj më premtues në botë dhe pas një fillimi premtues dhe dy golave të parë, besimi se Barcelona ka një lojtar vërtet të veçantë në radhët e saj u forcua shumë.
Në rastin e tij, fillimi i mbarë nuk tregoi shumë, pasi javët dhe muajt në vijim ishin shumë të vështira dhe pas ndeshjes së tretë radhazi ku ai u ul në stol, agjenti i tij Andre Cury foli publikisht dhe pranoi se Vitor Roque ka probleme në klub.
"Do të ishte mirë nëse ai do të luante një ndeshje të tërë. Xavi duhet të ketë më shumë besim te një lojtar që përfaqëson një investim të rëndësishëm për klubin. Shikoni Vinicius në Real Madrid, atij iu deshën dy vjet për të treguar cilësinë e tij. Vitor duhet lënë të luaj”, tha Cury, i cili më pas zbuloi se Xavi praktikisht nuk merret me sulmuesin 18-vjeçar.
"Askush nuk e kupton pse Xavi nuk e aktivizon ose pse nuk komunikon fare me të. Kjo nuk është e drejtë. Së shpejti do të duhet të flasim me drejtuesit e klubit", tha Cury , duke mohuar idenë se Barcelona duhet të dërgojë Roque në huazim në një klub më të vogël.
"Një huazim nuk bëhet fjalë. Nëse ai largohet, duhet të jetë një transferim i përhershëm", shtoi Cury.
Vitor Roque ka bërë 13 paraqitje për Barcelonën deri më tani, ndërsa në La Liga ka luajtur gjithsej 276 minuta.