Ashtu sikurse Shtetet e Bashkuara, Irlanda, Zelanda e Re dhe Spanja, edhe Indonezia ka ndjekur strategjinë e “vizës së artë” për të tërhequr investitorët e huaj në vendin e saj.
Drejtori i Përgjithshëm për Imigracion në Indonezi, Silmy Karim, përmes një deklarate ka sqaruar se “Viza e artë” garanton leje të qëndrimit për periudhë prej 5 deri në 10 vjet, duke nxitur kështu individët dhe korporatat e huaja t’i drejtohen vendit.
Viza pesëvjeçare u kërkon investitorëve individualë që të hapin kompani në vlerë të 2.5 milionë dollarëve, ndërsa për vizë dhjetëvjeçare duhet bërë investim prej 5 milionë dollarësh.
Sa u përket investimeve nga korporatat, Indonezia do të kërkojë investim prej 25 milionë dollarëve për leje qëndrimi prej pesë vjetësh dhe shumë prej 50 milionë dollarëve për periudhë 10-vjeçare.