Vizita e Clinton në Tiranë, Muça: Erdhi se tensionet në veri nuk vijnë vetëm nga serbët! Haklaj: Zgjodhi Tiranën se po pengon Kosovën! Çaça: Pati fjalim njësoj si Rama

4 Korrik 2023, 21:44| Përditesimi: 5 Korrik 2023, 07:16

  • Share

Vizita e ish presidentit amerikan Bill Clinton në Tiranë është mirëpritur nga pjesa më e madhe, por kishin edhe të tjerë që kritikonin dhe dukej se po krijonin frymë anti amerikane. Për këtë është diskutuar mbrëmjen e sotme në ekranin e Report Tv në emisionin ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga.

Të ftuar ishin Azgan Haklaj, Flogert Muca, Fabian Topollaj dhe Përparim Çaça, të cilët analizuan vizitën e Clinton dhe deklaratat e tij për Kosovën.

Sipas gazetarit Flogert Muça, Clinton vjen në një periudhë mjaft të vështirë për Ballkanin që nuk e shkaktojnë vetëm serbët. Sipas Muçës, për vizitën e ish presidentit amerikan është vënë në lëvizje ushtria e dy figurave të opozitës, Ilir Meta dhe Sali Berisha që sulmojnë për shkak të shpalljes ‘non grata’ të këtij të fundit.

“Ky është një moment i vështirë për Ballkanin të cilin ai e ka shkundur mirë në mars të 1999 dhe ka sjellë paqen. Tani është në rrezik por jo vetëm nga serbët, por edhe nga fëmija i SHBA-ve, Kosova që po luan gabim. Kemi 2 personazhe që e kanë përtokë pëlqyeshmërinë, Berisha e Meta që kanë ushtritë e tyre dhe hedhin baltë mbi faqe ambasadash e shajnë e i bëjnë inventarin Yuri Kim. Këto sulme vijnë prej shpalljes non grata. Janë 4-5 kokrra që për të sulmuar Edi Ramën janë gati të rrëzojnë prindin e tyre”, tha Muça.

Analisti Azgan Haklaj tha se ish presidenti amerikan zgjodhi Tiranën për të dhënë mesazhin se nuk po bëhet ndihmë për Kosovën në përballjen me serbët pasi prej më shumë se 1 muaji ka tensione në veri të Kosovës.

“Ai tha Open Balkan e kreu detyrimin, tani i kthehemi Procesit të Berlinit. I bëri Rama dhuratë Bill Clintonit. Clintoni ishte një nga presidentët më të suksesshëm. Ai vjen në një moment delikat për Kosovën. Bushi erdhi e tha, pavarësi sot, nesër është vonë. Të dy e zgjodhën Tiranën. Njëri e zgjodhi se Tirana e pengonte pavarësinë e Kosovës aso kohe se i shkëputej feudi i vet. Edhe sot e njëjta gjë po ndodh. Mesazhi i Clintonit është shtet kombi. Ne nuk jemi komb dinastik, jemi komb etnokulturor dhe po përpiqen të na vjedhin kulturën. Pavarësisht se kush e ka sjellë Clintonin, i besoj asaj që tha se kur ishte 18 vjec mendonte si ta shihte bunkerin shqiptar. Është Clintoni e SHBA që realizuan ëndrrën e Kosovës për liri e pavarësi”, tha Haklaj.

Ndërsa avokati Përparim Çaça u ndal te Ballkani i Hapur duke thënë se nuk solli asnjë ndryshim për rajonin. Sipas tij, fjalimi i Clinton nuk kishte asgjë ndryshe nga ato që jemi mësuar të dëgjojmë e lexojmë nga Rama.

“Benefitet për ardhjen e Clinton do t’i marrë patjetër Rama. Nuk ka asgjë të keqe në këtë lloj pritje. Për mua Ballkani i Hapur siç u nis dhe u bitis. Lëvizja e lirë ka qenë kohë më para, s’është se ka dhënë ndonjë produkt. Ballkani i Hapur ishte teori e 2-3 personave me në krye Edi Ramën për t’iu mbivendosur Procesit të Berlinit. Nuk dha asnjë produkt. Fjalimi i Clinton për Kosovën ishte në sintoni me atë që mendon Rama për situatën në veri të Kosovës”, tha Çaça.

Ndërsa Fabian Topollaj u shpreh se për  vizitën e Clintonit vuri re që pati shumë sulme dhe i cilëson për të ardhur keq. Ndërsa për Raamën u shpreh se nuk bën gjëra të qëllimshme kundër Kosovës.

“Jam i bindur që Rama nuk bën gjëra të qëllimshme kundër interesave të Kosovës. I përjashtoj teoritë se Rama po i shërben Vuçiçit. Nuk e besoj këtë”, tha Topollaj.

Ora 22:33
Debati në Repolitix/ Muça: Vuçiç po tall atë që s’thuhet me ne, Rama shëtit në Ballkan se e kemi luftën te dera! Çaça: Mos bëj gjithologun

 

Gazetari Flogert Muça dhe avokati Përparim Caca kanë debatuar në studion e Repolitix në Report Tv për vizitat që do të kryejë Edi Rama në Ballkan. Muça thotë se e gjitha lidhet me situatën në veri të Kosovës ndërsa Caca ndërhyn duke i thënë që të mos bëjë gjithologun.

Debati i plotë

Muça: U detyrua që të vinte e t’i përmendte Kosovës nderin që i ka bërë 25 vite më parë e për t’i thënë, ej je gabim. Për komunat donte të thoshte se kemi bërë marrëveshje me serbët se këtu do keni privilegj e është marrëzi...

Çaça: Janë tërhequr serbët. Aty nuk qeverisin në ato komuna.

Muça: Ai po i fliste Kurtit dhe Vuçiçit që siç e keni lënë këtë marrëveshje, uluni vazhdoni projektin franko-gjerman dhe mos e ndizni atë që shuajta në 1999. Ballkani i Hapur, procesi i Berlinit dhe të gjithë instrumentat që krijohen si objektiv kryesor kanë njohjen e Kosovës. Pra duan ta fusin në lojë si të barabartë. Amerikanët dhe europianët janë në luftë me njëra-tjetrën. Në një moment janë europianët më të fortë e në një tjetër amerikanët. Vuçiç dhe Hoti kur firmosën para Trump, një ndër pikat është bashkimi në zonën e Mini Shengen.

Çaça: Lëvizja e lirë ka qenë. Është bërë më parë. S’ka dhënë asnjë produkt, thuaje këtë.

Muça: Në momentin që Europa kishte problemet e veta, u krijua një mekanizëm tjetër për lëvizjen e mallrave, burimeve njerëzore.

Çaça: Më jep një marrëveshje për lëvizjen e mallrave.

Muça: O mik...

Çaça: Jo mik por s’ka pasur asnjë produkt.

Muça: Ishte instrument ndërmjetësues. Kemi një luftë që po plas atje. Në momentin e krizës që po kalon në Kosovë, u ulën dhe e morën situatën në dorë me planin franko-gjerman. Pse Rama shëtit në Ballkan? S’ka të bëjë me Open Balkan, por me luftën që kemi te dera.

Ndërhyn Përparim Caca

Muça: Ta them unë o Përparim se nuk shihen lajmet nga Kavaja.

Çaça: Kjo është shumë e ulët. Nga shihen lajmet, aty ku i shikon ti. Ky është kalamanllik, kot tani.

Muça: Vuçiç po tall atë që s’thuhet me ne sepse deputetja e Albinit thotë se Rama do më shumë Vuçiç se shqiptarët e Kosovës.

Çaça: Je zëdhënës perfekt.

Muça: Shko bëj fushatë në Rrogozhinë.

Çaça: Do e bëj, ti e ul shumë debatin. Mos bëj gjithologun.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?